1 Tetor, 2019 - 3:14 pm
Prej ditësh opinioni publik është tronditur nga letra që mësuesi 32 vjeçar Mark Shllaku, pjesëtar i një celule social demokrate i dërgoi të shoqes Angje dhe fëmijëve, në prag të ekzekutimit me vdekje.
“E dashtuna Angje!
Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te
ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat
tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë.
E dashtuna Angje!
Të lutem me mu interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i
marrë eshtrat e me mi çu në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me
të mundësh me më njoftë.
Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i
ndershëm.
Marku.”
“Letra e Mark Shllakut drejtuar bashkëshortes, pak orë para pushkatimit na bën krenar dhe me turp në të njëjtën kohë. Nuk është vetëm dënimi i pakuptimtë dhe kriminal por është dhe fakti që sot ende amaneti i tij për një varrim njerëzor nuk eështë vënë në vend.
Marku, sipas dëshmitarëve okulare, është varrosur në Zall të Kirit, Shkodër, ku besohet se ndodhen dhe trupa të tjerë viktima të komunzimit. Kërkimi i varreve të humbura është një e drejtë e pamohueshme e Julit Shllaku Dukagjini – e bija e Markut, që ende sot mban brengën e amanetit të papërmbushur.
Shqipëria ka aderuar në vitin 2017 në Konventën për Mbrojtjen nga Zhdukjet me Forcë dhe është detyrë e institucioneve publike të garantojë fillimin e hetimit për sqarimin e fatit të të ndjerit Mark Shllaku, gjetjen e identifikimin e eshtrave si dhe kthimin e tyre familjes, për nderimet e fundit.
I bëjmë thirrje Prokurores së Përgjithshme Marku, Ministres së Drejtesisë Etilda Gjonaj, e Prokurorisë së rrethit Shkodër, të hetojnë për vendndodhjen e saktë të Mark Shllakut, të garantojë mostjetërsimin e vendvarrimit deri gjetjen e plotë të të gjitha mbetjeve humane si dhe identifimimin e tyre me ndihmën e Policisë e Mjekësisë shkencore e Komisionit Ndërkombëtar të Gjetjes së të Zhdukurve.
Ky rast le të thyejë akullin në mendjet dhe zemrat e zyrtarëve për ti hapur rrugë një aksioni tërsor për të respektuar të gjithë të zhdukurit e Shqipërisë.
Firmosja e këtij peticioni na bën më njerēzorē!
*Jeta e Mark Shllakut dhe beteja e Julit – vajzës së tij për kërkimin dhe gjetjen e eshtrave të tij u dokumentua për herë të parë nga gazetarja LULI PROGNI në dokumentarin “të zhdukurit” një bashkëpunim i Kujto.al dhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit te Shtetit”, thuhet në peticionin që është duke u nënshkruar në change.org /KultPlus.com