“Pisa – Teste për shkencën”, botimi i ri i profesorëve Et’hem Ruka dhe Maringlen Spiro

5 Mars, 2025 - 5:54 pm

U promovua, në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, libri “Pisa – Teste për shkencën”.

Profesorët Et’hem Ruka dhe Maringlen Spiro, bashkautorë të këtij botimi, vlerësuan këtë vepër me karakter didaktik, lidhur me testet dhe përpilimin e tyre, brenda programit të Pisa-s, një program ndërkombëtar vlerësimi për fëmijët 15-vjeçare në shkencë, matematikë dhe lexim.

Ky program ka startuar që në vitin 2000 dhe mbahet çdo tre vjet dhe vlen për unifikimin e vlerësimit të programeve tona mësimore me ato ndërkombëtare.

Profesor Ruka nënvizoi rëndësinë e këtij botimi, me teste të prodhuara nga vetë ne, ndërsa deri tani janë përdorur teste të përkthyera nga jashtë. Teste të tilla duhet të shërbejnë për vetëvlerësimin e nxënësve nga shkollat dhe mësuesit, madje duhet të nisin që në muajin prill të këtij viti.

Akademiku Spiro e quajti botimin një punë të vogël në shërbim të shkollës, që vendi ynë të renditet sa më mirë në rang ndërkombëtar. Sipas tij, përmbledhja e tre autorëve është e arrirë për mjedisin shkollor shqiptar dhe nivelin e nxënësve. Botimi përmbledh teste mësimore në biologji, fizikë, shkencat e tokës dhe kimi.

Të ngjajshme