18 Shkurt, 2021 - 11:30 pm
Dritëro Agolli përmes një fjalimi të guximshëm në Kopenhagë në vitin 1995, ka kërkuar mirëkuptim mes serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa është shprehur se, pa u zgjidhur drejt çështja shqiptare nuk do të ketë rend demokratik të përparuar as në Serbi, as në Maqedoni, madje as në Shqipëri.
Dritëroi ka ironizuar edhe shprehjen se Ballkani është “fuqi baruti”, duke dëshiruar që Ballkani të ishte “fuçi vere”, që “duke pirë bashkërisht ndonjë gotë, t’i zgjidhnim hallet tona dhe të dehur nga zgjidhja të shkonim të flinim pa parë ëndrra të llahtarshme”. Katër vite para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, që do ta çlironte nga regjimi i Millosheviçit, Dritëroi shprehet se dhuna dhe urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve kthehet po në dhunë dhe urrejtje dhe e tyre ndaj serbëve.
“Nëse individi shqiptar në ish-Jugosllavi nuk është i lirë, nuk është i lirë as individi serb apo maqedon. Individi serb apo maqedon nëse nuk ia lejon shqiptarit lirinë, ky serb apo ky maqedon do të jetë skllav apo rob i urrejtjes dhe mërisë”, shprehet Dritëroi. Më tej, shkrimtari i madh e sheh bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, si një domosdoshmëri logjike të pashmangshme.
Dritëro AGOLLI:
Në këtë diskutim modest, unë do të flas më shumë si një qytetar dhe si një shkrimtar, që kam po atë shqetësim të bashkatdhetarëve të mi për çështjen shqiptare, çështje që i shqetëson të gjithë ballkanasit, duan apo nuk duan. Ballkanin e kanë quajtur “fuçi baruti”, por ne ballkanasve do të na vinte mirë të na quanin “fuçi vere”, që duke pirë bashkërisht ndonjë gotë, t’i zgjidhnim hallet tona dhe të dehur nga zgjidhja të shkonim të flinim pa parë ëndrra të llahtarshme. Unë nuk jam as nacionalist dhe as shovinist dhe përpiqem ta detyroj veten të kem sensin apo ndjenjën e historizmit.
Të mirë apo të këqij ballkanasit, unë jam i detyruar të jetoj me ta dhe kur të më zërë rruga të pi një kafe në Shkup, në Athinë, në Beograd, në Podgoricë, në Prishtinë apo në Zagreb. Dhe duke pirë kafe të flas edhe ndonjë fjalë nga gjuhët tona ballkanike që i dimë, se i kemi mësuar nga njëri-tjetri.
Unë jam Dritëro Agolli, deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin shqiptar. Jam njeri që merrem me politikë, por jam një njohës i dobët i politikës; më mirë njoh verën dhe poezinë. I dëgjova me vëmendje të madhe diskutimet, veçanërisht atë të profesor Ljubica Rajiç, që ishte një diskutim i një niveli të lartë njohurish, pavarësisht nëse i pranon apo nuk i pranon mendimet dhe alternativat e tij. Për ndonjë nga këto alternativa, për të cilat profesor Rajiçi tha se i vështronte me skepticizëm, si alternativa e ndryshimit të kufijve apo e të drejtës së vetëvendosjes, unë do të thosha se edhe skepticizmi nuk është një fenomen permanent, ai ndryshon si shumë gjëra që ndryshojnë në këtë shekull.
E kujt ia priste mendja se do të shembej kaq shpejt totalitarizmi komunist?! Edhe për këtë shembje ma merr mendja që kolegu im Rajiç para pak kohësh do të ketë qenë më skeptik se unë. Rënia e komunizmit ndryshoi edhe kufij konceptesh, edhe kufij gjeografikë dhe jehona e kësaj rënieje do të ndryshojë edhe mjaft gjëra të tjera. Me rënien e komunizmit, edhe mjaft ligje dhe nene të Kartës së Helsinkit janë vjetëruar. Ku ta dimë ne se nesër do të dalë një Kartë e Kopenhagenit, ku të shënohet se: “Kufijtë janë të ndryshueshëm”. Jo të gjitha gjërat parashikohen në natyrë dhe në shoqëri. Nesër mund të zbresin akullnajat nga detet e ngrira dhe t’i rregullojnë mirë kufijtë e shteteve!…
Por të vijmë te çështja shqiptare. Shekulli që po mbaron nuk e zgjidhi problemin shqiptar në Ballkan dhe mesa duket, do t’ia lërë si barrë mbi shpinë shekullit tjetër. Në ecjen e shekullit të 20-të në Ballkan kanë ndodhur përmbysje të mëdha historike, kanë rënë perandorira dhe mbretërira, janë thyer ushtri të tëra në dy luftëra të mëdha botërore, janë ndërruar regjime politike dhe shoqërore, janë zëvendësuar ideologji dhe rryma filozofike, por vetëm një gjë për ne shqiptarët nuk ka ndryshuar: Shqipëria ka mbetur e ndarë përgjysmë si popull dhe si tokë, e ndarë nga fuqitë e mëdha të Europës për interesat e tyre dhe në dobi të fqinjëve tanë.
Në të gjitha ngjarjet e mëdha historike, si në luftën për pavarësi kundër Perandorisë Osmane dhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ballkanasit kanë luftuar bashkërisht: shqiptarët, grekërit, serbët, malazeztë e maqedonët; të plagosur kanë ngritur shoku-shokun në shpinë, duke lyer me gjak palltot e tyre. Shqiptarëve u janë bërë premtime se me mbarimin e këtyre luftërave, sa të fitohet liria, problemi shqiptar do të zgjidhet, populli vetë do të vendosë nëse Shqipëria do të bashkohet apo jo. Por fatkeqësisht çështja shqiptare ka shkuar keq e më keq. Në ish-Jugosllavi, ku jeton një Shqipëri e dytë, shqiptarëve u mohohet gjëja më njerëzore – liria, duke përfshirë këtu lirinë e arsimit, lirinë e mjeteve të informacionit, lirinë e ushtrimit të kulturës dhe letërsisë. Shqiptarëve u mbyllet akademia, universiteti, biblioteka kombëtare dhe institucionet e tjera shkencore dhe sociale.
Policë të dehur hyjnë nëpër klube e kafene, duke qëlluar me kobure njerëz të thjeshtë vetëm e vetëm se janë shqiptarë. Atëherë ku janë liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtat dhe liritë e individit? Të drejtat dhe liritë e individit në Kosovë janë të lidhura me të drejtat dhe liritë e kolektivitetit, me të drejtat dhe liritë e kombit. Pa liri dhe të drejta të kombit si kolektivitet, nuk ka liri dhe të drejta të individit. Por nëse individi shqiptar në ish-Jugosllavi nuk është i lirë, nuk është i lirë as individi serb apo maqedon. Individi serb apo maqedon nëse nuk ia lejon shqiptarit lirinë, ky serb apo ky maqedon do të jetë skllav apo rob i urrejtjes dhe mërisë. Duke qenë i pushtuar nga urrejtja, serbi vetë nuk është i lirë, pasi është në thonjtë e urrejtjes dhe e drejton urrejtja. Urrejtja i prish moralin, i prish qetësinë dhe gjumin. Me urrejtje nuk ka liri as individi serb.
Siç thashë, Shqipëria është e ndarë në dy pjesë: tre milionë banorë jetojnë në Shqipërinë e brendshme dhe tre milionë banorë jetojnë në Shqipërinë e jashtme. Me këtë ndarje përgjysmë të Shqipërisë edhe demokracia mbetet gjysmake, mbetet një demokraci e vockël me një horizont të ngushtë, një demokraci provinciale e fyer nga shtetet e fuqishme. Ngushtimi i popullsisë dhe i territorit sjell edhe ngushtimin e demokracisë në Shqipëri. Kjo ndarje e Shqipërisë në dysh dhe mohimi i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve sjell shumë të këqija.
Ajo, përveç të tjerave, gjymton njeriun dhe ia prish moralin. Nga kushte të vështira ekonomike dhe politike shtohet ushtria e emigracionit. Nga Shqipëria e jashtme – Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, janë mbi 400 mijë emigrantë në Europë dhe Amerikë. Po rreth 400 mijë janë nga Shqipëria e brendshme, që bëjnë 800 mijë më shumë se ç’ka banorë republika e Malit të Zi. Vetëm në dy vitet e fundit dergjen në burgjet e Europës mbi 50 mijë shqiptarë dhe janë vrarë për arsye të ndryshme mbi 1500 veta. Ky është rrjedhim edhe i ndarjes së Shqipërisë përgjysmë dhe përndjekjeve ndaj shqiptarëve.
Ne themi me gjuhën e diplomacisë se kufijtë janë të pandryshueshëm, pasi këtë ndryshim nuk e lejon Karta e Helsinkit. Logjika të shtyn të pyesësh: kjo Karta e Helsinkit Bibël qenka? Vetëm Bibla është e pandryshueshme. Në Shqipëri ka tri mendime për çështjen e Kosovës, tri mendime zyrtare dhe popullore. Mendimi i parë është që Kosova të jetë republikë me lidhje të ngushta me Republikën e Shqipërisë; mendimi i dytë i sferave diplomatike, i detyruar nga Europa, është që Kosova të fitojë një autonomi të civilizuar të shkallës së Kushtetutës së 1974-ës dhe mendimi i tretë popullor është që Kosova të bashkohet, siç ka qenë, me Shqipërinë, duke e mënjanuar padrejtësinë historike të 1913-ës, kur fuqitë e mëdha e ndanë në mënyrë cinike dhe megalomane vendin tonë. Ndërsa për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni mendimi aktual joabsolut është që ata të quhen si popull shtetformues bashkërisht me maqedonët.
Ne Maqedoninë e njohëm të parët si shtet dhe atëherë nga ana e saj u premtua se do të respektonte të drejtat dhe liritë e shqiptarëve. Tani na del se asnjë universitet nuk lejohet të hapë shqiptarët. Madje në ditën e inaugurimit qëllohen me armë arsimdashësit shqiptarë, plagosen dhe vriten. Po a qëllohet me armë një gjë kaq e ndritur siç është shkolla? Ne me Maqedoninë po bëjmë një autostradë Shkup-Durrës, do të bëjmë edhe hekurudhën. Me autostradën dhe hekurudhën, Maqedonia lidhet me detin Adriatik, pasi ajo vetë nuk ka det. Shqiptarët Maqedoninë po e shpien të lahet dhe të bëjë banjo në plazhin e Adriatikut, ajo na qëllon me kobure.
Ballkanasi është një specie njeriu shumë e çuditshme. Njeriu ballkanik ka tri shpirtra: ka shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin europian. Ballkanasit një herë i shfaqet shpirti nacional, një herë shpirti ballkanik dhe një herë shpirti europian. Këto tri shpirtra shpesh përleshen mes tyre brenda vetes së ballkanasit. Është e vështirë të vendosësh harmoni mes këtyre tri shpirtrave. Kur të ketë harmoni mes tyre, do të ketë civilizim të vërtetë demokratik në Ballkan dhe çështjet nacionale do të zgjidhen drejt. Po nuk u zgjidh drejt çështja shqiptare nuk do të ketë rend demokratik të përparuar as në Serbi, as në Maqedoni, madje as në Shqipëri.
Diskutim i mbajtur më 19 shkurt 1995, në Konferencën e Forumit Internacional të Lëvizjes Punëtore në Kopenhagë./Panorama/ KultPlus.com