16 Gusht, 2019 - 9:30 pm
Në heshtje kalova pranë vendit të punës. E dashura kishte mbërritur para. Pa e përshëndetur, i kalova ngjitur dhe hyra në oborrin pa derë të godinës. Ajo më erdhi mbrapa, por nuk më foli. Ajo nuk më flet asnjëherë.
Ngjita shkallët me mermer të bardhë, si ndoca pllaka varresh të zeza, dhe arrita në zyrën time, pa takuar askënd. E kë mund të takoja?!
Kishte muaj që askush nuk më fliste. Sapo shikonin se po vija, të gjithë hidheshin ndër tallazet e punës dhe duke provuar të shpëtonin prej tyre, nuk më flisnin. Edhe unë, për të mos i munduar, mora një vendim: Në punë shkoja para të gjithëve, thuajse gjysmë ore para orarit të caktuar.
Pse kishte ndryshuar aq turrëajazshëm ana e monedhës së sjelljes me mua, nuk e mora vesh. Dikur të gjithë më flisnin me dashuri, më përshëndesnin e më uronin punë të mbarë. As arsyen përse atëherë ishin aq të dashur me mua, nuk e mora vesh.
Vetëm në zyrë, duke parë nga xhami i murit (apo muri i xhamit?!) të dashurën, dëgjova oshtimën e një fjale: “Egoist!” Gjithë nerva!
I trembur, u mbështeta në karrige dhe fillova të ha thonjtë. Kush po më thërriste? Godina ishte bosh.
U ngrita dhe ndoshta për të mbrojtur sadopak veten, derën e kyça me çelës. Edhe tarabën e xhamit të murit (apo murit të xhamit) e ula. Mospërfillëse, e dashura më pa.
U ula në karrige dhe bashkova ballin me gjunjët duke krijuar një rrasë guri pak a shumë në formën e asaj që bëhesha kur flija.
Kaluan orë, sikurse m’u duk mua, dhe asnjë zhurmë nuk dëgjova. Kur erdhi orari për të filluar punën, u ngrita dhe çela derën. Ngrita edhe tarabën dhe sërish zura vend në karrige. Ndeza kompjuterin dhe si çdo mëngjes, pashë se si mbilleshin lulet ndër kopshte zonjash me fisnikëri paraje.
Kopshtarja e episodit të asaj dite m’u duk e njohur. Si tym i shtyrë nga era, më doli para sysh një tjetër video, e parë dikur. Ishte një video e pistë. Pra, porno. Nuk desha ta them, por ja që e thashë.
Dikush më tha emrin. Ndala videon dhe u ngrita. Dola jashtë. Një ndër vajzat e veshura hollë, për klimën që ishte aty brenda prej ajrit të kondicionuar ishte më shumë se hollë, më tha se drejtori (ajo përdori termin “i madhi”) po më priste.
Përse po më thërriste? S’e di dhe as këtë nuk e mësova kurrë, pasi ai nuk më priti. Veç, në paradhomë, më dha një letër në të cilën ishte shkruar:
Ti pushohesh nga puna pasi,
Ndonëse sheh porno njëlloj si shokët e tu, nuk e thua këtë dhe kurrë nuk diskuton me to rreth ndonjë videoje.
Shpreh dëshirat që ke, çfarë do të thotë se je një egoist i çmendur që mbërrin deri nëfazat e egocentrizmit.
Mendon para se të flasësh dhe flet atë çfarë mendon, çfarë do të thotë se flet pa asnjëpërgjegjësi, pasi të flasësh atë që mendon është shumë e thjeshtë.
Punon shumë dhe sipas studimeve, kush punon shumë, ka probleme mendore dhe mund të kthehet në një maniak në të ardhmen.
Nuk ke një jetë për të qenë, pasi je në një moshë të konsiderueshme dhe nuk ke një tëgrua apo një të dashur.
Pasi e lexova, e grisa. E hodha në tokë dhe shkova në zyrë. Dikush i ulur në karrigen time m’u prezantua në pozicionin tim dhe më pyeti se çfarë kërkoja. Unë i kërkova veç ndjesë dhe dola nga aty. Në derë u hasa me të dashurën e cila nuk më përfilli, por u fut brenda dhe puthi atë djalin në karrigen time.
Desha t’i them se nuk jam unë ai, por më pas u kujtova se ajo ishte e dashura e zyrtarit dhe jo e dashura e Andreasit.
Dola jashtë, rrasa duart ndër xhepa dhe shkova te vendi ku duhet të ishte një derë. Roja i cili s’kishte ç’të ruante, po hante disa fara luledielli. I kërkova të më jepte disa dhe plot entuziazëm më tha “Po, zyrtar!” dhe zgjati grushtin drejt pëllëmbës sime të shtrirë.
“Ish-zyrtar”, – i thashë. Grushti u ngjit lart dhe pas disa çastesh dhimbjeje të pandier, pashë copa dhëmbësh para këmbëve të mia. U ula kaluç dhe i mora. Pika të kuqe binin aty pranë.
I mblodha në grusht, grushtin e rrasa në xhep dhe eca drejt shtëpisë. Ish-nëna dhe ish-babai më kishin bërë gati një valixhe.
“Ne jemi prindërit e zyrtarit”, – më thanë dhe më përcollën.
Duke tërhequr valixhen zvarrë, i thashë vetes: Po unë, kush i kujt jam? /exlibris/ KultPlus.com