23 Shkurt, 2022 - 6:32 pm
Shkruan: Shpëtim Selmani
Letër poetëve
mbushni xhepat e pantollonave me
vjershat e bëra shuk dhe gjuajeni çdo
ndërtesë qeveritare,
sulmoni
me vargun e lirë,
ndërtesën e organizatës së kombeve të bashkuara ta poshtëroni me fjalët më të ndyra,
nuk ka kombe të bashkuara
ka poet të bashkuar,
ëndërrimtar të bashkuar që nuk i duhen askujt,
futini vjershat e juaja të mjera brenda
ndërtesës së Nato në Bruksel,
rrini të hidhëruar para carit të tërbuar,
çdo hidhërim është i nevojshëm,
digjini të gjitha traktatet që i gjeni
dhe me pas lexojeni Holderlinin
si një kor antik dhe deklarojeni
atë që është,
nga lashtësia e deri tash
sall lakmi, barbarizëm dhe gjak gjelash,
kudo në sheshet e botës,
poet, bashkohuni,
para shtëpisë së bardhë
ju jeni rus,
para kremlinit
jeni amerikan,
para amerikanëve dhe rusëve
jeni poet,
para identiteteve kombëtare
jeni njerëz,
para njerëzve jeni fëmijë,
luftoni me biberonet e juaj
të përgjakur dhe akuzojeni
me zë të lartë, atë që ka
krijuar mendjen. / KultPlus.com