23 Maj, 2019 - 3:50 pm
Nobelisti për paqe, izraelito-argjentinasi, Ernesto Kahan, poet dhe humanist, në një vizitë që po i bën Kosovës, ku edhe do të shpallet doktor Honoris Kausa në Universitetit AAB, sot vizitoi Klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë. Me këtë rast, iu promovua libri me poezi, “Pakti im testament”, i botuar nga IWA “Bogdani”, si dhe bëri një bashkëbisedim me qytetarët e Gjakovës, duke evokuar paralelet e luftës nga koha e hebrenjve dhe rasti më i fundit i luftës në Kosovë.
Klubi letrar, e kishte për nder ta priste këtë poet e humanist, pasi që në vitin 1985, ishte laureat i çmimit për paqe, duke luftuar kundër armëve nukleare. Erneste Kahan, është mjek në pension, por, ka një renome të bujshme të aktivitetit të tij, si mjek, profesor i mjekësisë në disa universitete të botës, prej nga edhe e merr çmimin Nobel. Biografia e tij, jep përmasën e një njeriu, emrin e të cilit e ruan kujtesa e botës, poliglot me shumë gjuhë të njohura, por, ai kudo esencën e tij e shpjegon në dashurinë ndaj njeriut, pa diferenca që sot po rriten deri në kërcënim serioz të njeriut, thuhet në biografinë e tij.
Në emër të Klubit letrar “Gj.N.Kazazi”, foli kryetari, Muharrem Kurtaj e Agim Byci, duke e konsideruar se ky është nderi më i madh që po bëhet klubit letrar, por edhe popullit tonë në tërësi. Ndërsa me një fjalë përshëndetëse dhe me mirënjohje e shpërbleu kryetari i Asamblesë në Komunën e Gjakovës, Anton Shala. Ndër të tjera, prof. Jeton Kelmendi, shoqërues dhe botues i librit me poezi, dha një pasqyrë biografike të tij, ndërsa e njohu humanistin me gjenetikën dhe historikun e këtij populli, me shumë ngjashmëri me fatin e hebrenjve, duke shpjeguar se ju hebreut keni dhënë mësim se si duhet ndjekur fatin e vet secili popull, deri në fitore.
Redaktori i librit “Pakti im testament”, krijuesi Engjëll I. Berisha, në recensionin që i bëri kësaj vepre theksoi” Libri kapë shumë tema, Tel Avivi, Aushvicin, dhomat e gazit, Holokaustin, Sirinë, vende e ngjarje, si dhe popuj, pa i ndarë në kontinente as prejardhje, por, gjithnjë konfrontohet me simbiozën e besimit e të ndërgjegjes. Gjendja psikologjike e përmasës, ia kaplon individualitetin e tij, lufta që ndodhë në Lindje dhe kudo tjetër, krijimtaria e tij në një përmasë bëhet herë rënkim e herë mallkim, me vetveten e tij në mbijetesë të pambrojturve të nënave e fëmijëve të pafajshëm.
Nga ky mendim i Berishës, del dhe një prezantim se: “Këto poezi që ia ekspozojmë lexuesit në gjuhën shqipe, kanë një tipologji referente të rrëfimit sa historik, po aq edhe të vetë autorit, aq sa është koncepti i identitetit të tij, është një skicë e dobësisë njerëzore. Dhimbja që bën dergjë, në këtë përmbledhje, është e formës së palimpsestit.
Ndërsa në përfundim, nga mendimi kritik i krijuesit Berisha del mesazhi nga vepra e poetit e humanistit Kahan “Predikuesit e rrejshëm”.
Paralajmërimi që nga Zanafilla e Re, se do të dalin predikues të rremë, shikuar poezinë, e krahasuar me biografinë e tij, në mes shkencës e poezisë, është krijuar mendimi refleksiv, gati si puna e laborantit antropologjik, për ta rigjetur vetveten, e në këtë rast, autori integron gjithë realitetin që e rrethon atë, popullin e tij, paragjykimet e thella që shpesh e përcaktojnë edhe fatin e njerëzimit, me moton se shkenca e vetëdija pa dashurinë njeri, janë të pamjaftueshme.
Ndonëse, në përgjithësi poezitë janë të një sensi delikat aty këtu shihet trishtim i zymtë, poeti gjithnjë e ruan sensin krijues brenda forcës shpirtërore të tij, gjithnjë me një dritë për fatin e popullit të vet. Kjo është fuqia humane e tij prej profesionit që ushtroi dhe shkrimit me të cilin, sikur thotë biografia, ka mbajtur hallkën e lidhur ndërmjet izraelit, vendit të tij, migrimit dhe karakterin si faktor me rëndësi edhe për revolucionet që bëhen ndonjëherë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Ernesto Kahan, do të ligjërojë sot në Universitetin Publik në Prishtinë, ndërsa nesër është i ftuar i Kolegjit AAB në Prishtinë.
Biografia
Prof. Ernesto Kahan. Izraelit – argjentinas. U lind në vitin 1940, dhe u arsimua në Argjentinë (Universiteti i Buenos Aires) dhe në SHBA (Universiteti i Uashingtonit). Doktor i mjekësisë, pedagog i universitetit dhe poet. Nënkryetar i Akademisë Botërore të Arteve dhe Kulturës. Profesor në universitete në Argjentinë, Izrael, Peru, Rep. Domenikane, Meksikë, SHBA dhe Spanjë.
• 1985 – Kandidatë për të marrë Çmimin Nobel për Paqe iu drejtua mjekëve Ndërkombëtare për Parandalimin e përçarjeve në çështjet Bërthamore IPPNË në Oslo / Norvegji
Autor i 7 librave dhe më shumë se 200 artikujve në revistat ndërkombëtare. Libri i tij “GENOCIDE” i shkruar me Taki Yuriko (në tri gjuhë), krijoi çmimin “Çelësi i artë i letërsisë dhe Culturës Hanchon” dhe u vlerësua në shumë festivale. Hartuesi i antologjisë “Los Escritores del Alba”, editorial Certeza, Spanjë. Themelues i Shoqatës së Mjekëve për Paqe në Izrael, Uruguaj, Kili dhe Bolivi; Nënkryetari i Mjekëve Ndërkombëtar për Parandalimin e Luftës Bërthamore – IPPNË, (1985 Lauerat i çmimit Nobel për Paqe), President i Grupit Letrar “BRASEGO”. Nënkryetar i Forumit Ndërkombëtar për Letërsinë dhe Kulturën e Paqes (IFLAC). Redaktor i Letërsisë për Paqe në “Palabras Diversas”.Nënkryetar i Kongresit Botëror XXV të poetëve, Los Anxhelos 2005, nënkryetar i Kongresit Botëror XXVI të poetëve Mongolia 2006. Nënkryetar i Kongresit Botëror të Poetëve XXVI, Meksikë 2008. / KultPlus.com