20 Shtator, 2023 - 9:17 am
Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa do të jetë i ftuar si mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, shkruan KultPlus.
Ky kongres, i 42-ti me radhë, sivjet për herë të parë mbahet në një anije gjigante dhe do të marrin pjesë poetë nga mbarë bota.
Kongresi do nisë në Romë-Itali dhe do të lëvizë bashkë me vargjet e poetëve nëpër ujërat e Mesdheut, në Maltë, në Greqi dhe përsëri do të kthehet në Itali.
“Poezia mbi ujë”, shprehet poeti Lulzim Tafa teksa tregon që është i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj eksperience e njëkohësisht për faktin që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia shqipe.
“Jam i lumtur që do t’i takoj shumë nga miqtë e mi poetë nga të gjitha anët e globit, po ashtu jam i lumtur që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia jonë”, shprehet Tafa.
Kongresi Botëror i Poetëve do të mbahet më datë 22 deri më 29 shtator. / KultPlus.com