27 Gusht, 2019 - 12:00 pm
Në kuadër të Akademisë Verore të organizuar nga Universiteti Amerikan në Kishinao, Ministrisë së Arsimit dhe Konferencës së Rektorëve, në Universitetin Constantin Stere në këtë qytet është zhvilluar ceremonia e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa për poetin nga Kosova, Lulzim Tafa, përcjellë KultPlus.
Në ceremoninë e organizuar për këtë rast përveç profesorëve e studentëve merrnin pjesë edhe shumë mysafirë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, institucioneve kulturore, rektorë nga 28 universitete të ndryshme, ambasadorë të shumë vendeve të botës, përfshirë edhe ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si nga Federata Ruse, Azerbajxhani, Bjellorusia, Ukraina, Kina, Rumania, Gjeorgjia, etj..
Në fjalën e vet laudatori e ka cilësuar Tafën poet që me vargjet e tij ka fituar zemrat e lexueseve në Evropë dhe më gjerë.
Ndërsa Lulzim Tafa në fjalën e tij para të pranishmeve ndër të tjera tha se ky është një nder që i bëhet atij, letërsisë dhe vlerave të saj: “Ju faleminderit që besoni në këto vlera, unë nuk do ta harroj kurrë një moment kaq të bukur, kurse ju do të jeni gjithmonë në zemrën time, unë frymëzohem nga të rinjtë, nga gjenerata e teknologjisë. Teknologjia e ka zvogëluar botën por i ka rritur shanset për njohje më të mirë të njëri tjetrit, njohjen e letërsisë dhe kulturës së njeri tjetrit. Janë rritur edhe shanset që të punojmë së bashku për të mirën e njerëzimit siç janë edhe avancimi i të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë, të drejtave të kafshëve dhe mjedisit”, ka thënë ndër të tjera Lulzim Tafa. / KultPlus.com