10 Shtator, 2023 - 12:30 pm
Të shtunën në kuadër të Festivalit të 38-të Ndërkombëtar Letrar Vilenica u nda çmimi tradicional Kristali Vilenica për vitin 2023. Festivali është një nga festivalet më të njohur të Evropës Qendrore, që e organizon Shoqata e Shkrimtarëve te Sllovenisë, përcjell KultPlus.
Fituesi i Kristalit të Vilenicës 2023 është përzgjedhur nga juria mes autorëve të ftuar të festivalit. Juria e sivjetshme e përbërë nga Alesh Muster, Gregor Podlogar dhe Julija Potrç Shavli ka vendosur që çmimin tradicional ‘Kristalin Vilenica 2023’ t’ia dhurojë poetit Shpëtim Selmani nga Kosova.
Vlerësimi i jurisë
Shkrimtari, poeti dhe aktori Shpëtim Selmani me poezitë e tij shkund realitetin socio-politik me ndershmëri dhe humor brutal. Me një përdorim të kthjellët të ironisë dhe auto-ironisë, ai pasqyron ngjarjet historike dhe trajton me lehtësi temat që në dukje janë të vështira, duke mos rrëshqitur asnjëherë në sentimentalizëm. Me një lloj sekuencimi të ngjarjeve historike, Selmani tregon se në realitet asgjë nuk ndryshon dhe se historia përsëritet si një farsë. Kjo është gjithashtu poezi e drejtpërdrejt që fillimisht lidhet me traditën Bitnike me mënyrën e të shkruarit dhe formulimin kritik të problemeve socio-politike. Poezitë e Selmanit flasin drejtpërdrejt dhe prandaj na bëjnë që ti reflektojmë shoqëritë në të cilat jetojmë. Poezia e Selmanit nuk është predikuese por kritikë shoqërorë e në një mënyrë që çmonton realitetin. Shkurtimisht, bëhet fjalë për poezi që, pavarësisht referencave dalluese, lundron nëpër peizazhet e poezisë moderne dhe që pas leximit lë mbresa dhe kujtohet gjatë.
Në festival morën pjesë shkrimtarë nga Zvicra, Sllovenia, Polonia, Kosova, Gjermania dhe Austria.
‘Kristalin e Vilenicës’ më herët e kanë fituar edhe dy poete shqiptare, Luljeta Leshanaku më 2009 dhe Blerina Gaxha Rogova më 2015. / KultPlus.com