7 Dhjetor, 2018 - 9:30 pm
Shtëpia botuese Inner Child Press International LTD, nga New Jersey, SHBA, botoi librin e radhës nga poeti kosovar Fahredin Shehu. Libri titullohet “ HERENOW” ose “Këtutania” që shfaq një poezi avangarde me notë të fuqishme të lirikës shpirtërore dhe kontemplative gjë që është vulë kreative e poetit Shehu.
Poezitë janë të ndara në ciklet: Humnera e sipërisë, frymëzuar nga filozofia e Jean Baudrillard. Dy masa të prera për të vetmin shpirt, që e riaktualizon Maister Eckhart në epokën digjitale, cikli Fytyrat nga Asgjëkundia, dimensioni i Afërlargët i njeriut dhe relacioni i tij kosmologjik me kreativitetin. Pesha e dhembjes, një cikël me lirikat shpirtërore nokturnale dhe diurnale dhe cikli i fundit Aktet të pafajshme të Vetëdijes.
Për Librin kanë shkruar emrat më të shquar të letërsisë botërore aktualisht nga vende të ndryshme të botës. Vlen të ceket vështrimi i profesori i letërsisë nga Dublini, Patrick Lodge, i cili shprehet:
“…poezitë janë të ndjera duke mbarsur thelle diçka shpirtërore në çdo varg. Vetëm poezia “ “Kah shpresa”, do të mund të ishte një vepër e vetme dhe ajo flet …thuaje fjalën o poet, fjalën depërtuese si një raketë, Herenow është një raketë e tillë”, përfundon prof. Lodge.
Nga një kënd tjetër i globit shkruan profesori i letërsisë amerikane nga Universiteti Meiji në Tokyo, profesori Keijiro Suga.
“Ndalo së adhuruari Kohën, sepse Koha nuk është më Zot. Tokat e largëta rrotullohen, por për ty poet nuk ka Lindej as Perëndim. Të jesh këtu, të jesh Tani…të jesh i zëshëm si qielli. Atje ti e gjen vetën që i ngjan askujt dhe e emërton Fahredin Shehu. Engjëlli i fundit i dashurisë në Tokë, ose një, i cili përpiqet të bëhet”, ka shkruar Suga.
Për këtë libër ka shkruar edhe profesoresha Fiona Sampson nga Universiteti Roehampton në Londër. Sampson është njëra nga katër poetë më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar.
“Fahredin Shehu një shkrimtar më dhunti të shtrira gjithëndej të lirikës, visionit dhe guximit. Poezitë e tij evokojnë botë të mundëshme dhe ato botë të pamundëshme si dhe gjetjen e revelatave/ zbulesave nga jeta e përditëshme. Ai është shkrimtar që duhet celebruar, frymezues në admirim dhe mendjeprehtë në elegji”, ka shkruar Sapmson.
Ndërkaq poeti dhe dramaturgu më i njohur Turk, Tarik Gunersel thotë: Kur poeti me një horizont aq të gjerë të dijes, si Fahredin Shehu thotë Herenow/ Këtutania, unë e përqafoj mundësinë sfiduese të aventurës, në një udhëtim të hapur në secilën “këtutani” të mundshme dhe në secilën temë. Unë vazhdoj të argëtohem më një udhëtim të këtillë begatues.
Libri i ka 120 faqe dhe gjendet në shitje në Amazon books, shkruan gazetaere.com./ KultPlus.com