28 Qershor, 2019 - 10:59 am
Laureatja e disa prej çmimeve më prestigjioze të Izraelit dhe disa çmimeve ndërkombëtare flet posaçërisht për gazetën online “Izraeli Sot”.
Prej 17 vjetësh, Peja është kthyer në një qytet të kulturës evropiane dhe asaj botërore, falë Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”, të cilat i kanë sjellë Kosovës, personalitete të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare, dhe kësaj herë e ftuar është dhe poetja izraelite, Hava Pinhas CohenPërmes këtij manifestimi ndërkombëtar, Kosova ka shpalosur vlerat e humanitetit, parimet universale të lirisë, duke dëshmuar trashëgiminë kulturore jo vetëm letrare por edhe atë historike të shqiptarëve.
“Jam shumë kurioze të jem dhe të përjetoj festivalin në Kosovë. Dhe sidomos për çmimin e aktivitetit, “Azem Shkreli. Është një nder i madh të jem këtu”, tha poetja izraelite për gazetën online “Izraeli Sot”.
“Letërsia dhe përkthimet janë urë më e mirë ndërmjet gjuhëve dhe kombeve, kjo është mënyra më e mirë për të njohur njëri tjetrin dhe për të respektuar njëri-tjetrin në një mënyrë shumë të ndershme”, shton autorja e përkthyer dhe botuar në Shqipëri (nga Entela Kasi), në Angli, Francë, Gjermani, Holandë, Bullgari, Serbi, Kinë, Turqi, Slloveni dhe Maqedoni.
Ky Manifestim i cili mban emrin e poetit Azem Shkreli, një prej majave të letërsisë shqipe, mbetet i një rëndësie të veçantë, dhe njëkohësisht një urë lidhëse midis Kosovës, rajonit të Ballkanit, Evropës dhe botës. Emmanuel Pierrat, shkrimtar, Kryetar i PEN Francës, njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe të PEN International, do jetë i pranishëm në këtë Manifestim. Gjithashtu marrin pjesë Sylvestre Clancier, Antonio Della Rocca dhe Rafaël Newman. Mes emrave të 18 autorëve shqiptarë, në Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, do të jenë për publikun në orën qëndrore të Manifestimit, Aleksandër Çipa, Rozafa Shpuza, Naime Beqiraj, Arjan Kallço, Flamur Shala, Xhevat Latifi, Irena Gjoni, Lindita Ramushi Dushku, Rami Kamberi, e shumë autorë të tjerë shqiptarë nga hapësirat mbarë shqiptare.
Hava Pinhas Cohen është laureate e disa prej çmimeve më prestigjioze të Izraelit dhe disa çmimeve ndërkombëtare. Poetja izraelite tregon një respekt të madh për letërsinë shqiptare.
“Shumë shkrimtarë shqiptarë janë përkthyer në hebraisht dhe ne e vlerësojmë letërsinë shqipe. Personalisht, më pëlqen shumë poezia dhe kam përkthyer disa”, thekson Hava Pinhas Cohen, e cila vetë është autore e shumë librave me poezi, dhe autore e librave me studime për letërsinë, gjuhën, artet, kulturën hebraike.
Hava Pinhas Cohen është studiuese dhe kërkuese shkencore në Universitetin Bar Ilhan, prej vitit 2012. Themeluese dhe drejtuese e revistës “ Dinooy”, prej vitit 1989.
Ajo e njeh mjaft mirë historinë dhe lidhjet historike midis shqiptarëve dhe hebrenjve, dhe veçanërisht shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë Holokaustit të tmerrshëm që solli vdekjen e të paktën 6 milionë hebrenjve.
“Ne e dimë në Izrael se gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët ishin midis disa që shpëtuan dhe ndihmuan për të shpëtuar më shumë se 3000 hebrenj nga gjermanët”, thotë me krenari poetja izraelite,
Nuk mungon edhe një kompliment për Entela Kasin, presidenten e PEN Albania, bashkorganizatore e Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”, së bashku me PEN Kosovën.
POETJA IZRAELITE HAVA PINHAS COHEN
Poete, botuese, lektore e arteve në Jerusalem. Studiuese dhe kërkuese shkencore në Universitetin Bar Ilhan, prej vitit 2012. Themeluese dhe drejtuese e revistës “ Dinooy”, prej vitit 1989.
Është autore e shumë librave me poezi, dhe autore e librave me studime për letërsinë, gjuhën, artet, kulturën hebraike. Ndër temat e saj kërkimore janë për shtrirjen e kulturës hebraike në Ballkan, prej periudhës së shekullit të xv deri në luftën e dytë botërore dhe Holokaustin.
Është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë dhe vende të botës. Ndër librat e saj të fundit, kritika ka çmuar ‘ Të bashkosh të ndarët’ , botuar nga Siracuse University Press, 2016 dhe libri me biseda titulluar , ‘Shkolla e njeriut’, me poetin Israel Eilzar.
Është laureate e disa prej çmimeve më prestigjioze të Izraelit dhe disa çmimeve ndërkombëtare. Është botuar në Angli, Francë, Gjermani, Holandë, Bullgari, Serbi, Kinë, Turqi, Slloveni, Maqedoni. Është përkthyer në gjuhën shqipe nga Entela Kasi.
***
POEZI NGA HAVA PINHAS COHEN
URË PËR TË NDARËT
…
Dhe Abrahami u zgjua herët
Pa ditur se po ecte kodrave të Jerusalemit
Ndërsa binte dielli në kodrat e Moabit
Shkëmbinjve të kuqerremtë të artë
Dhe era e ftohtë e vjeshtës
Hyrë në eshtra
Nën lëkurë dridhej
Në tokën mbetur pas shkëmbinjve
Mbolla dadofil dhe anemene
Perime të dimrit për supë të gjelbër
Ndryshe nga ati nuk mbolla
Fruta ose pisha
Shegë, portokaj, ullinj
Sikur
Të gjitha së bashku
Të mund të kthenin
Dashurinë
(Përktheu Entela Kasi)