18 Dhjetor, 2024 - 11:13 pm
Personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, miq e familjarë u mblodhën sonte, në këtë mbrëmje të bukur dhjetori, në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery për të shijuar ‘Mbrëmjen Letrare’ dedikuar poetit të njohur Lulzim Tafa, i cili ndër vite me krijimtarinë e tij ka pasuruar botën e adhuruesve të letërsisë dhe të poezisë.
Kjo mbrëmje e mbajtur sonte nën organizimin e KultPlus Caffe Gallery në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit ka dhuruar emocione të shumta përmes vargjeve të poetit Tafa, që u interpretuan nga artistët, kolegët e tij poetë si dhe vetë ai, nën tingujt e bukur të kitarës së Riad Ramadanit.
Me poezi dhe vargje të përzgjedhura në këtë mbrëmje poetike u paraqitën aktorët Albana Gashi me poezitë “Si toka” & “Tue kërkue veten” si dhe Valmir Kraniqi me “Vasha e Dukagjinit” & “Të dielave mos më thirr më”.
Ndërsa me interpretimin e tyre kolegun poet e nderuan: Sali Bashota me poezinë “Këshillë për poetët e rinjë”, Naime Beqiraj me “Bisedë me hijet”, Rrahman Paçarrizi me “Paketimi i mërzisë”, Vlora Konushevci me “Nuk më luftohet, më flihet”, Arbër Selmani me “Pas pandemisë” dhe “Dritaren e ke të lejuar” dhe Jeton Kelmendi me një poezi kushtuar poetit Tafa. Më video poezi interpretuan vetë poeti Lulzim Tafa, Labinot Laçi dhe Vedat Haxhislami.
Drejtoresha e Mediumit KultPlus, njëherit edhe organizatore e mbrëmjes poetike, Ardianë Pajaziti ka thënë se është kënaqësi për të që mbrëmjen e fundit letrare për vitin 2024 ta përmbyllë me poetin Lulzim Tafa.
“Faleminderit që jeni pjesë e kësaj mbrëmje poetike të poetit dhe mikut tonë Lulzim Tafa. Kjo është mbrëmja e fundit që organizohet në KultPlus Caffe Gallery për këtë vit. Jo rastësisht po mbahet kjo mbrëmje me përzgjedhje të poezive me kaq përmbajtje dhe kaq të thella, të cilat prezantohen prej miqve të tij. Luli vazhdon me qenë mik i KultPlus-it. Kjo mbrëmje i dedikohet pikërisht për miqësinë poetike që e ka krijuar ndër vite me ne. Lulin e njohim të gjithë ai nuk rekomandon që t’i drejtohemi me tituj të tjerë, gjithmonë e thekson që titulli që i fle më së shumti është ai i poetit” ka thënë drejtoresha Pajaziti.
Ndërsa, poeti Sali Bashota i cili edhe e ka udhëhequr mbrëmjen artistike për poetin Tafa ka thënë se ai është vazhdues i ideve të Ali Podrimjes.
“Është një poet i veçantë që jeton me poezinë. Është një vazhdues i ideve të Ali Podrimjes. I njoh vetëm dy poetë që jetojnë vetëm me poezinë. Luli është i tillë, i thjeshtë, modest, një poet që po ngjitet majave të poezisë shqipe me veprat e tij poetike. Deri tani ai i ka botuar 300 poezi. 300 të tjera i janë djegur në luftë”, ka thënë poeti Bashota duke potencuar se Tafa është një poet që po ngjitet shkallëve të poezisë shqipe me talentin e tij të rrallë.
Bashota më tej ka thënë që poeti Tafa në dy vitet e fundit ka pasur shumë suksese edhe në prezantimin dhe promovimin e disa prej vlerave të tij intelektuale në akademi të ndryshme, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Luli i prezantohet edhe publikut në Shqipëri si një poet me vlera të arrira letrare. Sonte të gjithë miqtë e tij do të jemi bashkë me poezinë e Lulzim Tafës, e cila në çdo mënyrë na mbledh që të jemi sa më afër njëri tjetrit, ta duam poezinë, t’i duam vlerat e letërsisë shqipe. Do të ishte kënaqësi që çdo javë të kemi nga një takim të tillë me poetë të Kosovës që promovojnë vlerat tona sepse askush më shumë se poezia nuk mund ta paraqes atë ndjenjë dhe përjetimin e botës sonë shpirtërore, dashurinë në radhë të parë. Luli është poet edhe i ëndrrave por edhe poet dashurisë”, ka thënë poeti Bashota.
Poeti Lulzim Tafa është shprehur tejet falënderues për këtë mbrëmje dedikuar poezisë së tij, e cila përkon edhe me ditën e poetit të tij të preferuar, “Rumit”.
“Të nderuar miq, faleminderit që jeni sonte këtu, në këtë përjetim poetik të cilin e shijova shumë. Kjo mbrëmje është organizuar për mua. Nata e mbrëmshme ka shënuar ditën e vdekjes së Rumit, një ndër poetët më të mëdhenj që kishte njerëzmi, që kishte linjda e perëndimi. Edhe pse ai vetë thoshte që nuk i takonte as lindjes, e as perëndimit sepse ai nuk kishte kufinj. Ai thoshte se unë i takoj dashurisë, ashtu siç është e pakufishme edhe dashuria. Ju e dini lidhjen time me Rumin, me mistikun e hatashëm. Mund ta merrni me mend që kjo koincidencë pas natës së Rumit të mbahet në Prishtinë, një mbrëmje poetike me mua, më mrekullon”, ka thënë Tafa duke potencuar që poezia është jeta e tij.
Kurse, shkrimtari dhe profesori universitar Rrahman Paçarrizi ka thënë që poezia e Tafës vazhdon ta mrekulloj çdo herë e më shumë.
“Mendoj që jam ndër ata të cilët i lexoj poezitë e tij ende pa u botuar. Në njëfarë mënyre jam një lloj konsulenti për Lulin, sepse pasi ai shkruan poezinë iu lexon disa miqve të tij. Në këtë kuptim, siç u tha sonte ai i ngjason poetit Ali Podrimja nga mënyra e funksionimit, mënyra e të shkruarit të poezisë, por edhe nga mënyra e të jetuarit me poezinë. Për mua ka qenë një moment i veçantë. Në asnjë rast dhe për asnjë tjetër nuk do të lexoja poezi të huaja, por poezitë e Lulit i ndiej goxha sikurse të mijat e sidomos poezinë që e lexova sonte”, ka thënë Paçarrizi.
Ndërkaq, poetja tjetër Vlora Konushevci ka thënë se Tafa me krijimtarinë e tij i ka kontribuar letërsisë shqipe, shpesh herë duke dalë edhe jashtë kornizave të brezit të tij.
“Poezinë e tij e kam lexuar qysh moti. Fillimsht më duhet ta them që Luli është njeri shumë i mirë, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të qenë pastaj edhe poet i mirë, sepse nëse je njeri i mirë e ke edhe empatinë e zhvilluar, ku pastaj në shkrim del i jashtëzakonshëm, ashtu siç del edhe Luli. Mendoj që letërsisë i ka dhënë shumë në veçanti me lirikat e dashurisë, por ka edhe poezi që janë më urbane. Nuk është që ka mbetur në ciklin e brezit të vet. Ka dal edhe jashtë kornizave duke sjellë edhe risi dhe gjëra të bukura e interesante për letërsinë tonë”, ka thënë Konushevci, duke e komentuar edhe poezinë me të cilën u prezantua para miqve të mbrëmjes.
“Poezia që e lexova sonte, më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ka qenë në një periudhë kur flitej për luftë gjatë gjithë kohës. Në kohën e luftës kam qenë mjaftueshëm e madhe dhe e di çka është lufta. Më ka pëlqyer që Luli nuk e ka romantizuar, nuk e ka mitizuar luftën por ka dalë me një poezi antiluftë siç kanë bërë edhe shumë poet të tjerë para tij. Ka pasur edhe lëvizje të tëra kundër luftës ku janë përfshirë edhe shkrimtarë të ndryshëm si në Amerikë e Evropë. E shoh sikurse copë të atij mozaiku që e ka plotësuar këtë pjesë të letërsisë edhe me rrëfimin e Kosovës, prandaj edhe e kam përkthyer edhe në gjuhën angleze”, ka përfunduar poetja Konushvci.
Mbrëmja mes adhuruesve të poezisë vazhdoi me shijimin e verës dhe tingujve të bukur të kitarës edhe për disa orë./ KultPlus.com