4 Janar, 2020 - 11:45 pm
Nga: Bujar Meholli
Poeti shkodran Frederik Rreshpja, kontaktet e para me lexuesit i pati me përmbledhjen poetike „Rapsodi shqiptare“ në vitin 1967, dhe më pas me përmbledhjen tjetër të vitit 1972 „Në këtë qytet“ ku spikat lirizmi dhe figuracioni i pasur. Që herët, u përfaqësua nëpër antologji të ndryshme por e denoncoi regjimi i kohës, dhe kështu e hoqi nga programi. Rreshpja, ishte cak i regjimit të asaj kohe, i cili largoi tekstet e tij nga shkollat. Megjithkëtë, poezia e Rreshpjes është mjaft e pasur, me imagjinatë të fuqishme e koncept të pjekur artistik; Rreshpja ishte tërësisht i lirë për të bërë art të vërtetë. Vepra e tij fiton dimensione lirike, intime, refleksive, estetike e metafizike.
Sa i përket gjuhës, Rreshpja, në vëllimin e tij të parë përdor atë gegërishte, ndërsa më pas shkruan në gjuhën standarde. Duke qenë se vepra e Rreshpjes, shtrihet në dy periudha kohore me sisteme të ndryshme politike e sociale, dimensioni i lirisë së krijimit, është faktor mjaft i rëndësishëm në ligjërimin e tij poetik. Rreshpja në mënyrë të shkathët e zhvendos fokusin duke i dhënë nerv e spontanitet poezisë; lëviz e përshpejtohet ritmi, dhe nga një artikulim me ton të shtrirë, kalon në tonalitet të lartë që shfaqet nëpërmjet një sintetizmi artistik.
Poezia “Jemi ne”, e cila u fut nëpër tekste shkollore, fillon me pyetje retorike “Kush jemi ne?” që poeti vetëpërgjigjet me metafora entuziaste;
Jemi buzëqeshje e lirshme që u mungonte kohnave;
Jemi filizat e pranverës së ardhme.
Mbimë Pas krismave partizan, mbas gjëmimesh
Udhëve të jetës Udhëve
të atdheut.
Poezia është e populluar me metafora e simbole, me ngarkesë emocionale e estesike, me mbartje kuptimore direkte për brezin e ri. Pyetja retorike „Kush jemi ne?“, e përcjellur nga metafora foljore Jemi, ka një forcë, e cila shkakton efekt ngulmues, e përveç kësaj kjo metaforë përcjellë artistikisht idenë e lindjes së një shoqërie të re a të njeriut të ri.
Në vijim të kësaj gjendje ideologjike, është edhe poezia „Udha“, e cila ngrihet mbi simbolin e udhës që shënjon një vijë nga e cila ecin njerëzit, mjetet, kulturat e idetë. Në kuptimin e dytë, pasqyrohet një idealitet e përfytyrim i një të ardhmeje.
Një tjetër poezi e Rreshpjes, që titullohet „Mëngjezi“, shfaqet semantikisht si arketip i shpresës, i një fillimi të ri, që ka brenda dritë e dëlirësi.
Partizani i vjetër që kthehesha nga zbori thotë ai; dhe,
Sot unë hapa mëngjezin, …
Diellin e madh e solla unë.
Mesazhi është retorik. Partizani, i identifikuar me „Unin“ e poetit është heroi lirik, si misionar i idesë së përparimit dhe ky lloj entuziazmi çon drejt afirmimit të këtij realiteti. Simbolika, i jep një lloj konotacioni drejt një teskti plot entuziazëm poetik.
Në këtë strofë, vërejmë ndërtimin sipas konceptit të përjetimit;
Perdet e errta të reve lëkundeshin në lindje,
Dhe dielli i madh – ja ndjeva hapat,
Afrohej t’u vinte flakën reve.
Nëpër vargjet e Rreshpjes hasim në një lloj vetmie, me elementet e saj si; malli, pritja, trishtimi, mbyllja në vete, kur gjithçka i nënshtrohet ideologjitetit dhe vëzhgimi estetik për jetën e të bukurën i trajtojn parimet e realizmit socialist.
Te poezia “Te liqejtë malorë”, hasim në një substancë me dramaticitet lëvizjesh, ngjyrash e tingujsh;
U ngrit agimi që nga honi i ujnave,
Mbi retë e rënda,
Që enden në hapsinën e heshtur të liqenit.
Shënjohet agimi nga dita e re, lindja e saj, me lëvizje kontastuese vertikale. Ndodh diçka e pazakontë; një përplasje si apokalips, siç është lindja e ditës së re, e cila përcillet me vuajtje e dhimbje. Heshtja e liqenit ndjehet sikur heshtja e vetmisë së tij, që ka ndalur në përgjimin e tingujve, zhurmave, gjëmimeve e përplasjeve.
Si përfundim, tipologjia tematike e Rreshpjes ishte në logjikë tematike përgjatë Realizmit socialist; motive të kufizuara që çonin drejt artit të porositur, por që në thelb kishte një censurë të pushtetit. Në thelb të strukturimit të poezive, Rreshpja, përdor me efikasitet imazhin si element surrealist.
Pas viteve ’90, lexuesi i poezisë së Rreshpjes u shumua, po kështu i mbeti besnik veprës së tij. Tek poezia e tij, kërkohej realizimi estetiko-poetik: befasia e vargut, lirizmi i brishtë, ndjeshmëria e figurativiteti i thellë e spontan. Qasja ndaj ideologjisë, e ideve të reja – kishin në qendër barazinë sociale.
Në një realitet të ri, pas viteve 90, poeti ka një prekje më të gjerë tematike. Liria, dhe mungesa e kufizimeve të regjimit, i dhanë hapësirë dhe dimensione të reja artit të tij poetik, i cili u përvijua me tipare e elemente bashkëkohore, me sistem konceptual që i përafrohet atij modernist dhe post-modernist. Kjo poezi, cilësisht e evoluar në format e shprehjes, mëton drejt të panjohurave të qenies – me mjetet e gjuhës poetike, e plotëson dhe realizon arealin tipologjik të poezisë së tij, por gjithashtu profilizon dhe spikat individualitetin e tij poetik. /KultPlus.com