21 Gusht, 2024 - 8:51 pm
Pol Valeri zë një pozicion në historinë e letrave franceze, që është njëherësh strategjik dhe tejet problematik. Kritikët i kanë ngjitur emërtime të ndryshme, të gjitha pjesërisht të sakta. U quajt simbolisti i fundit, i pari postsimbolist, një prosodist klasik mjeshtëror, avokat i pozitivizmit logjik dhe një intelektual narcist.
Duke refuzuar poezinë, Pol Valeri, i pritur nga të gjithë si poeti i brezit të tij, futi në shekullin XX një ndërprerje rrënjësore. I neveritur nga “letërsia letrare”, Valeri vendos që poezia nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur një formë të dijes. Pra, kushti i parë që duhet të përmbushë artisti është të kuptojë mekanizmat e tij mendorë. Egoizmi valerian është një metodë, në të cilën shpërthen egoja, e marrë si objekt, e shpërndarë dhe e përballur me vetveten.
“Në thellësi, poezia dhe letërsia është teknika për t’u drejtuar dhe orientuar, që të bëhesh ajër dhe erë duke kapërcyer caqet për balonin tënd. Ky balon duhet të fluturojë edhe atëherë, kur vetë qielli nuk ekziston, apo është zhdukur…Nuk luaj me fjalët. Flas për lëvizjen dhe zbulimin që bën dikush në çast, kur arrin t’i hapë krahët diçkaje dhe t’i japë jetëgjatësi më të madhe”, – shprehet ai. /Hejza/ KultPlus.com