11 Gusht, 2018 - 11:16 pm
Unë jam tradicionalist, duke qënë tradicioni fuqija e një nacioni, fuqija shpirtërore dhe spirituale dhe materiale e nacionit.
Kur ke tradicion, je nacion, je komb, jo popull, jo popullsi, jo popullatë. Një pjesë e njerëzisë (që s’ka traditë), një grup njerëzor (që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, është popullsi – po nuk është komb, nuk është Nacion. Njerëzit, kur janë grup (pa traditë), s’janë Nacion (me traditë). Grupi s’ka fuqi shpirtërore dhe spirituale dhe materiale, është amorf. S’ka ekspresion special të grupit të vet. S’ka zhvillim, evoluim, evolution, përparim, perfekcionim gjatë jetës së tij. Ay nuk mbush dot, nuk përmbush dot, nuk realizon dot veten e tij, vetëveten, për të vajtur drejt perfekcionit, drejt perfekcionimit, drejt përsosjes. Domethënë ay nuk e jeton dot Destinin e tij, Misionin e tij për të cilin është lindur në këtë botë. Ay s’ka zhvillim, mbetet në vënd, në vënd nëmëro! Ay e fillon jetën gjithnjë Da kapo, gjithnjë nga fillimi, nuk shkon drejt perfekcionimit. Ay është Zululand, Hotentot, Kakarec. Zululand që s’ka traditë, Hotentot që s’ka traditë, Kakarec që s’ka traditë. Ay s’është Njeri. Ay s’është, s’është fare, nuk ekziston. Ç’domethënë zakon, traditë, tradicion? Zakon, traditë, tradicion domethënë Komb, domethënë Nacion, domethënë njeri i vetëdijshëm, njeri që e di veten e vet, që e njeh vetëveten…
Lasgush Poradeci