Porosia e Kantit dhe shpërdorimi nga moderniteti

11 Janar, 2025 - 11:56 pm

Nga Albert Vataj

Shprehja e Kantit “Njeriu duhet trajtuar gjithmonë si qëllim dhe kurrë si mjet” është një nga parimet qendrore të etikës filozofike, të shprehur në kryeveprën “Imperativin Kategorik”. Kjo ide lidhet me respektin që duhet të kemi për dinjitetin dhe vlerën morale të çdo individi.

Kanti argumenton se çdo qenie njerëzore ka një vlerë të brendshme dhe të pakushtëzuar që nuk varet nga qëllimet e jashtme apo interesat utilitare. Kjo do të thotë, se njeriu nuk është thjesht një mjet për arritjen e qëllimeve të dikujt tjetër, por një qenie me dinjitet dhe autonomi që meriton respekt të pakushtëzuar.

Trajtimi i njeriut si qëllim do të thotë të respektosh autonominë e tij, të drejtën për të marrë vendime të lira dhe të arsyetuara për jetën e tij. Nuk duhet të manipulosh, të shfrytëzosh ose të detyrosh dikë për të arritur qëllimet e tua, gjë e cila është një realitet që merr nën kërcënim identitetin dhe integritetin e individit në përballjeN e tij me rritjen e pretendimeve dhe minimizimin e mundësisë për të përfituar nga atributet e kësaj të drejte themelore, për të cilën këshillon Kant dhe shpërdoron moderniteti.

Kësisoj konstato se trajtimi i njeriut si mjet, ndodh kur një person përdoret për përfitim personal, pa marrë parasysh ndjenjat, interesat ose dinjitetin e tij. Kjo mund të ndodhë në situata si të themelta që lidhet me parimet, mbi të cilat vepron pragmatizmi i realitetit.

Referuar mësimeve të Emanuel Kant përftojmë se, çdo person ka të drejta të patjetërsueshme që nuk mund të sakrifikohen për “të mirën e përgjithshme”.

Pacientët nuk duhet trajtuar si mjete për eksperimentim shkencor, por si qëllime më vete, me të drejtën për të vendosur mbi trupin e tyre.

Kant na thotë se njerëzimi brenda çdo individi është një qëllim në vetvete. Duke e respektuar këtë parim, ne afirmojmë dinjitetin njerëzor dhe ndërtojmë një shoqëri më etike dhe më humane.

Është fakt i pamohueshëm se moderniteti e ekspozon njeriun ndaj kërcënimit të trajtimit si mjet dhe jo si qëllim, pa pikësynim të qëllimshëm, por thjeshtë për shkak të ndryshimeve të mëdha sociale, ekonomike, teknologjike dhe politike që kanë karakterizuar botën.

Progresi i pagjasë shpesh e trajton individin si një mjet për prodhim dhe përfitim, ku punëtorët konsiderohen thjesht si burime të zëvendësueshme dhe jo si qenie me vlera të brendshme.

Globalizimi ka krijuar një treg global pune ku njerëzit, veçanërisht në vendet më të varfra, shpesh shfrytëzohen për kosto më të ulëta të punës, duke u trajtuar si mjete për përfitime të atyre që marrin nën kërcënim resurset dhe kapacitetet gjeneruese të botës, si një habitat i gjithëpranuar në një bashkëjetesë të harmonishme, ku mundësitë janë në proporcion të drejtë me kërkesën.

Në epokën e teknologjisë së informacionit, njerëzit shpesh reduktohen në të dhëna dhe algoritme. Kompanitë teknologjike përdorin të dhënat personale për qëllime komerciale, duke trajtuar individët si mjete për reklamim dhe fitim.

Manipulimi i informacionit në mediat sociale ka krijuar një model ku njerëzit trajtohen si mjete për të ndikuar opinionin publik ose për të manipuluar vendimet e tyre konsumatore, dhe jo vetëm kaq, për të shpërbërë në mënyrë graduale dhe të pakthyeshme thelbësoren e njeriut, duke e zhveshur atë nga çdo parim, ideal dhe ego e progresit shpirtëror.

Në botën politike, njerëzit shpesh trajtohen si një masë për vota, ku udhëheqësit fokusohen në mbajtjen e pushtetit dhe jo në mirëqenien e individëve. Populizmi dhe manipulimi politik shpesh shfrytëzojnë emocionet dhe frikërat e njerëzve për qëllime të ngushta pushteti.

Njeriu modern shpesh shihet si një konsumator, ku vlera e tij përcaktohet nga aftësia për të blerë. Në këtë mënyrë, individi reduktohet në një pjesë të një mekanizmi ekonomik dhe humbet vlerën e tij si qëllim.

Respektimi i dinjitetit njerëzor nga Kanti te moderniteti kanë pësuar një ndryshim të themeltë, por pa mundur dot ta shuaj atë zë të gjëmimshëm të mendimit pozitivist, sipas të cilit shoqëria duhet të respektojë secilin individ si qëllim në vetvete. Kjo kërkon sisteme që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, duke garantuar që askush të mos shfrytëzohet për interesin e dikujt tjetër.

A është e mundur kjo?

Kant do të argumentonte për ndërtimin e ligjeve dhe institucioneve që mbrojnë autonominë dhe dinjitetin e individëve, duke kufizuar pushtetit absolute, të orientuar nga manipulimi dhe shfrytëzimi e njerëzve.

Individët duhet të fuqizohen për të kuptuar dhe mbrojtur vlerën e tyre si qenie me dinjitet. Formimi etik mund të ndihmojë në krijimin e një kulture që refuzon instrumentalizimin e individit.

Mendimi filozofik i Kanti ka qenë dhe mbetet në anën e zgjidhjes së problemeve, më shpresën dhe synimin për një botë ku njerëzit janë partnerë të barabartë dhe jo mjete të shfrytëzimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme