14 Janar, 2020 - 4:31 pm
Shkruan: Adil Olluri
Shkrimtari rron aq sa kujtohet nga të tjerët. Mosha biologjike është pakrahasimisht e vogël përballë kohës që shkrimtari mund të qëndrojë në kujtesën e njerëzve dhe lexuesve të tij.
Takim i veprës së tij me lexues që nuk janë të moshës së tij biologjike, veçmas me lexues që do të lindin pas vdekjes së tij biologjike është takim i vërtetë. Vetëm atëherë vepra e një shkrimtari bën jetën e saj të njëmendtë. Kështu që, ndajmë bindjen tonë të plotë se vepra poetike e Basri Çapriqit do ta arrijë këtë takim të shumëdashur për secilin krijues dhe do të jetë në duart dhe në mendjen e lexuesve që janë sot dhe do të vijnë nesër. Këtë e themi për dy arsye.
Së pari, për shkak të jokonvencionalitetit konceptual që bart poezia në krahasim me poezinë e shkruar nga bashkëkohësit e tij. Derisa shumica e poetëve shqiptarë të Kosovës të viteve 70-të, 80-të dhe 90-të të shekullit të kaluar, shkruanin poezi me struktura të një abstraksioni stilistik e me një ndërthurje të metaforave me koncepte etnografike mbi jetën, vendin dhe idealin për liri, poezia e Basri Çapriqit nuk e kishte këtë ngjyrim. Ai e stilizonte konkretësinë dhe na shpaloste një dimension tjetër për jetën dhe idealet e kohës.
Derisa bashkëkohësit e tij, përmes vargjeve të tyre e aspironin një ideal (siç ishte liria), Basri Çapriqi ishte dyshues ndaj një ideali të tillë. Poezia e tij shprehte hamendje dhe hezitime për rrëfimet e mëdha. Ajo asnjëherë nuk i përshëndeti ato. Eci e vetme. Nuk u bë asnjëherë pjesë e “mainstreemit”, e idesë se “kështu është mirë të shkruhet” apo “është koha për të shkruar kështu.” Poezia e tij dha një botëkonceptim atipik për mënyrën e të menduarit për kohën në të cilën u shkrua.
Dhe këtu qëndron veçantia e saj konceptuale. Së dyti, për shkak të formës së saj. E thamë edhe më sipër se poezia e tij nuk i ndoqi vijat e strukturimit me një sistem stilistik, të përberë prej metaforash me përmbajtje etnografike, që në letërsinë shqipe dha shartimin e një letërsie me veçori etnomoderne, që ishte moderne për nga forma, ndërsa në përmbajtjen e saj e kishte etnosin dhe lokalen.
Poezia e Çapriqit ndoqi një rrugë tjetër formale. Ajo na i dha metaforat me një botëkonceptim universal dhe krijoi një frymë të imazhit përmes strukturës poetike. Andaj, shumë lehtë mund të themi se poezia e këtij poeti lirisht mund të cilësohet si imazhiste, që është e rrallë në korpusin e gjithëmbarshëm të letërsisë sonë bashkëkohore. Strukturimi i saj metaforik i jep dimensionet e një botëkonceptimi universal, që nuk ndalet në një vend apo një kohë të caktuar. Është thënë me plotë të drejtë nga studiues e shkrimtarë të ndryshëm se poezia e Basri Çapriqit është gërshetim i metaforave mediterane, si një tipar stilistik e konceptual i vargut të tij. Duke qenë me prejardhje bregdetare (nga Ulqini), deti dhe shenjat poetike që ndërlidhen me të dalin të natyrshme në poezinë e tij.
Një ndërtim i tillë metaforik i veprave të tij na bën të mendojmë se jemi duke e lexuar një poet ndryshe të letërsisë bashkëkohore, të zhvilluar në Kosovë në fundin e shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI. Çapriqi është autor i një sërë përmbledhjesh me poezi dhe i një sërë veprash studimore rreth letërsisë shqipe. Veprat e tij poetike janë: “Ulli me dy mijë unaza” (Rilindja, Prishtinë, 1983), “Në fund të verës” (Rilindja, Prishtinë, 1986), “Ma qet gjuhën” (Rilindja, Prishtinë, 1989), “Frutat bizare” (Rilindja, Prishtinë, 1996), “Burimi nën gjuhë” (përzgjedhje me parathënie të Ali Podrimjes, Toena, Tiranë, 2005), “Zbutja e gjarprit” (PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2006), “Përkryerja e shiut” (Art Club, Ulqin, 2013). Ndërsa, veprat e tij studimore janë: “Mikrostruktura e tekstit” (Rilindja, Prishtinë, 1990), “Aksidenti i orës shqiptare” (Fjala, Prishtinë, 1993), “Përmasat e kontekstit” (Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë, 1998), “Simboli dhe rivalët e tij” (PEN Qendra e Kosovës, 2005), “Paradigma kadareane” (Onufri, Tiranë, 2006). Basri Çapriqi në studimet e tij letrare dha shenjat e një studiuesi të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Me dy veprat e tij studimore “Mikrostruktura e tekstit” dhe “Simboli dhe rivalët e tij” na shpalos format e një zbërthimi imanent të teksteve letrare, që do t’ju hyjnë në punë secilën herë studiuesve të tashëm dhe të ardhshëm të letërsisë shqipe.
Megjithatë, ne ndajmë bindjen se vlera më sublime e krijimtarisë së tij letrare qëndron te krijimet poetike, te poezia e tij. Në pamundësi për t’i analizuar veprat e tij poetike veç e veç, për shkak të natyrës së këtij shkrimi-homazh dhe për shkak të hapësirës së gazetës, ne i kemi përzgjedhur gjashtë poezi të tij, që i kemi cilësuar si antologjike brenda korpusit poetik të këtij autori.
Për mendimin tonë, ato janë: “Liria”, “Dritaren lëre hapur”, “Përkryerja e shiut”, “Kontributi im për revolucionin është zero”, “Guaca” dhe “Të kanë parë tek lexon vargje atyre në Had (Ali Podrimjes).” “Liria” është një poezi fenomenale në aspektin stilistik e tematik dhe është njëra nga poezitë më jokonvencionale në aspektin konceptual e ideor në letërsinë e gjithëmbarshme shqiptare. Aty shohim një diskurs ironik e dyshues për atë që shoqëria e cilëson si ideal. Këtu është edhe madhështia e poetit, që ka mendimin e tij personal edhe për gjërat që shoqëria mund t’i cilësojë si të paprekshme. “Dritaren lëre hapur” është poezi antologjike për shkak të ritmit të saj dhe shpalimit ideor. “Dritarja” në këtë poezi nuk është më vetëm një objekt konkret, por merr përmasën e një simboli. Këtë dimension e ka edhe poezia “Përkryerja e shiut”, ku shiu shndërrohet në një strukturë simbolike që prodhon mundësi të ndryshme interpretimi.
Po ashtu, edhe guaca te poezia me të njëjtin titull shndërrohet në një shenjë simbolike, që mund të interpretohet si një poetizim i mbylljes së qenies njerëzore. “Të kanë parë tek u lexon vargje atyre në Had (Ali Podrimjes)” është njëra nga poezitë më të arrira përkushtuese që është shkruar në letërsinë e sotme shqiptare. Aty ai, përmes vargut poetik, i flet mikut të tij vdekur dhe njërit prej poetëve më të mirë shqiptarë, Ali Podrimjes, pranë të cilit shkoi jo shumë vite pas shkrimit të kësaj poezie.
Ndërkaq, “Kontributi im për revolucionin është zëro” ka një ngjashmëri ideore me poezinë e parë, të përmendur këtu. Me të poeti shpreh një ironi dhe një revoltë me zhurmuesit dhe të pasinqertët që tentojnë t’i marrin namet e paqena. Për ta ilustruar këtë, po i japim disa vargje të kësaj poezie:
Kontributi im është zero
Për revolucionin për historinë
Jam frikësuar si mos më keq
Kam ikur larg t’i strehoj fëmijët
Gruaja më thotë ato tashti
Kush s’u frikësua kur mbulonte terri
Po s’u zë goja gjëra të tilla
Tanimë që mori fund e gjitha
Së paku mund të kemi strehë
Për kalamajt more aman
Të gjithë pëlcasin fjalë të mëdha
Po prandaj e them
t’u jap guxim Atyre.
Gjatë këtyre ditëve, pas së dielës së kobshme kur profesori e poeti Basri Çapriqi na la, secili prej nesh kemi thënë fjalë të mira e të thurura bukur për të. Sikur gjysmën e tyre t’ia thoshim sa ishte gjallë… /KultPlus.com