10 Gusht, 2017 - 12:15 pm
Varianti kosovar i gjuhës shqipe deri në Luftën e Dytë Botërore ishte një variant shqip krejtësisht i pazhvilluar. Në periudhën 1967-1991 Kosova jetoi iluzionin e saj më të madh gjuhësor. Më 1991 ritakimi i kosovarëve me Shqipërinë kishte brenda edhe refuzimin gjuhësor nga Shqipëria. Disa kosovarë, të lënduar nga arroganca gjuhësore e Tiranës, filluan të futnin në përdorim të folmen e tyre lokale, që ishte një nëndialekt krejtësisht i pamundur që të përdorej si gjuhë e shkrimit… Dhe, në fund, disa dilema kur lexon Mjedën, Fishtën, Koliqin, Camajn dhe Pashkun.
(Nga libri “Identiteti kosovar”, vazhdim)
Po të mbetej Kosova jashtë zhvillimeve gjuhësore mbarëshqiptare, çfarë do të ndodhte në të vërtetë? Para se të përpiqemi të japim përgjigje në këtë pyetje, është e nevojshme t’u bëhet një vështrim sado përciptazi zhvillimeve gjuhësore kosovare, si fenomen i mëvetësishëm, i tillë çfarë paraqitet ai. Kosova, sikundër e kemi thënë, nuk dha ndonjë kontribut të veçantë kulturor në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, ndryshe nga kontributet e saj politike dhe luftarake, që ishin shumëfish më të avancuara. Më anë tjetër, procesi i islamizimit të Kosovës në Perandorinë osmane ndodhi shumë shpejt dhe ai përfshiu jo vetëm besimin fetar, por edhe jetën sociale në përgjithësi. Me një fjalë, Kosova arrin në fillim të shekullit XX me mënyrën e jetës orientale, me kulturë orientale, me mentalitet oriental dhe, natyrisht, me një ndikim të madh të botës orientale në gjuhën e saj. Nën Perandorinë Osmane, Kosova asnjëherë nuk e kultivoi gjuhën shqipe, nuk e shkroi atë, e në ndonjë rast u përpoq të merrte gjësendi nga qendrat e tjera kulturore shqiptare. Prandaj varianti i saj i gjuhës shqipe ishte i pakultivuar, i mbushur përplot me orientalizma, që reflektonte mënyrën e jetës së folësve të saj. Kosovarët, shikuar edhe nga këndvështrimi i gjuhës shqipe, ishin gjuhësisht të prapambetur. Në turqisht, ndoshta edhe në arabisht dhe persisht mund të ishin më të avancuar, por në shqip jo që jo.
Pra, përveç që nuk trashëgoi një traditë të kultivimit të gjuhës, Kosova mbeti peng edhe i proceseve të reja frenuese. Nga Perandoria Osmane, pa një proces deorientalizimi dhe emancipimi, Kosova ra nën një pushtim të ri edhe më të egër, nën pushtimin serb dhe jugosllav. Gjuha shqipe, që ishte e ndaluar në përdorim zyrtar në kohën e Turqisë, vazhdoi të mbetej e ndaluar edhe në mbretërinë jugosllave. Tani, në rrethana të reja politike dhe shoqërore, ndikimeve turke dhe orientale iu shtuan ndikimet sllave. Prandaj, varianti kosovar i gjuhës shqipe arriti deri në Luftën e Dytë Botërore tërësisht i pamundur, një gjuhë shqipe e çoroditur nga ndikimet e gjuhëve orientale dhe sllave, me anë tjetër, një variant shqip krejtësisht i pazhvilluar, që pasqyronte një jetë sociale kryekëput rurale, krejt të paemancipuar. Por fenomenet negative të variantit kosovar të gjuhës shqipe nuk përfundojnë këtu. Për shkak të situatave politike, varianti kosovar i gjuhës shqipe vazhdon të mos komunikojë intensivisht me pjesën tjetër të arealit gjuhësor shqiptar. Prandaj disa fenomene gjuhësore jotipike zhvillohen brenda vetë këtij varianti. Por edhe marrjet një herë nga gegërishtja e standardizuar dhe pastaj nga gjuha e njësuar letrare, janë të vështira dhe jo gjithmonë efektive. Midis Kosovës dhe burimit të saj gjuhësor, qoftë gegërishtes standarde më herët, qoftë të gjuhës së njësuar letrare më vonë, ishte vendosur një kufi politik, që nuk kalohej aq lehtë.
Kështu, që nga viti 1967, ose 1972, e deri më 1991 Kosova jetoi iluzionin e saj gjuhësor. Përgjatë atyre viteve vazhduan përpjekjet për përvetësimin e standardit, në institucionet arsimore dhe kulturore, në medie dhe përgjithësisht në jetën publike. Fushata antishqiptare e vitit 1981 e prapa, zyrtarisht nuk e kontestoi aplikimin e standardit në Kosovë, ndonëse pat edhe synime të atilla që ndërmjet gjuhës letrare dhe nacionalizmit shqiptar të viheshin lidhje të dënueshme ideologjike dhe politike. Por atmosfera e përgjithshme në Kosovë tani u bë tepër e rëndë dhe aspak produktive për çfarëdo ndërmarrje dhe veprimtari kulturore, përfshirë këtu edhe lëvizjen gjuhësore, e cila, për shkak të apostrofimit politik, mbeti tërësisht pezull, u neutralizua, pra humbi në dinamikë dhe intensitet. Gjithsesi, goditjen më të rëndë kjo lëvizje e mori me ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Shqipërinë. Gjuha e njësuar letrare në Kosovë tani ishte ndarë nga modeli, ishte ndarë nga burimi i saj. Kontaktet shkencore u ndërprenë. Komunikimi gjuhësor nuk u zhvillua më përmes literaturës bazë, por përmes informacionit medial, i cili rëndohet shumë, bëhet më i vështirë. Gjenerata e albanologëve, tashmë e formuar në Kosovë, përjashtohet nga të gjitha proceset tërësore gjuhësore, përfshirë edhe diskutimet për modalitetet e zbatimit të normës drejtshkrimore. Literatura nuk këmbehet, libri nga Shqipëria nuk vjen në Kosovë, botimi i letërsisë së Shqipërisë bie ndjeshëm. Pra, me një fjalë, gjuha në Kosovë përjeton edhe një ngecje të re, ngjashëm siç kishte ndodhur më 1948.
Ndodhi si ndodhi dhe më 1991, Kosova dhe Shqipëria pothuajse papritmas u gjenden më pranë njëra-tjetrës, ndonëse në rrethana politike tepër konfuze dhe aspak produktive për zhvillime kulturore. Fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe rënia e diktaturës në Shqipëri krijuan disa mundësi për lëvizje të njëanshme, të një qarkullimi të kufizuar dhe mjaft të vështirë të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Takimi i serishëm i kosovarëve me Shqipërinë, pas një periudhe të gjatë, kësaj radhe pa qenë nën vëzhgimin e kujdesshëm të organeve të sigurimit, u zhvillua në rrethana të një keqkuptimi të dyanshëm. Ndër shumë defekte të tjera, ky ritakim i kosovarëve me Shqipërinë kishte brenda edhe keqkuptimin gjuhësor, ose një refuzim gjuhësor të tërësishëm të Kosovës nga ana e Shqipërisë. Duket se keqkuptimi dhe refuzimi kishin të tjera arsye, por gjuha ishte argumenti sipërfaqësor, argumenti i parë dhe i ndjerë më së lehti, i afishuar vetvetishëm, pa pasur nevojë që të kërkohet në brendi. Shqipëria nuk e honepste gjuhën e kosovarëve, e refuzonte, e përqeshte, e urrente atë, thuaja se bëhej fjalë për një gjuhë-përbindësh.
Më anë tjetër, kosovarët, që kishin jetuar me iluzionin se kishin bërë përparime të ndjeshme në përvetësimin e gjuhës letrare, përnjëherësh e panë veten të tallur dhe përçmuar, inferiorë në të gjitha pikëpamjet. Iluzioni i tyre gjuhësor, i kultivuar që nga Kongresi i Drejtshkrimit dhe prapa, u rrënua përfundimisht. Defektet gjuhësore kosovarët mund t’i kishin ndjerë edhe vetë, por në një mënyrë kaq të vrazhdët nuk ua kishte përplasur në fytyrë asnjeri. Iluzioni tjetër, se Shqipëria i kishte ndjekur zhvillimet kulturore në Kosovë, në fushën e letërsisë, të muzikës, të teatrit, të arteve figurative etj., ishte një kotësi edhe më e madhe, sepse Shqipëria londineze mund të ishte sadopak e mëshirshme ndaj diasporës, siç i quante ajo shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj, por në asnjë mënyrë nuk i pranonte ata si të barabartë në terrenin e saj kulturor. Arsyet përse ndodhte kështu, përveç se historike, ishin edhe ideologjike. Mirëpo, gjuha kishte qenë dhe vazhdonte të ishte një kamuflazh i mirë, një argument që funksiononte mrekullisht. Më anë tjetër, për shkak të refuzimit gjuhësor të Tiranës, kosovarët kishin gjetur mënyrë t’i minimizonin, ose t’i anashkalonin, ose t’i heshtnin defektet e tyre reale rreth gjuhës. Ata filluan të akomodoheshin në këto defekte gjuhësore, duke e quajtur gati të pamundur një komunikim të ndërvetshëm tërësisht të barabartë. Disa kosovarë, të lënduar nga arroganca gjuhësore e Tiranës, filluan të futnin në përdorim të folmen e tyre lokale, e cila tashmë nuk ishte as variant i gegërishtes deri-diku i standardizuar në një kohë pak më të largët, por një nëndialekt krejtësisht i pamundur që të përdorej si gjuhë e shkrimit. Të tjerë kosovarë filluan t’i mbanin iso kontestimit të kryehershme të vendosjes së toskërishtes në bazën e gjuhës letrare, me shpjegimin se kosovarët nuk mund të përvetësonin një standard gjuhësor të imponuar dhe të panatyrshëm për të folmen e tyre.
*
Në të vërtetë, të gjitha mosmarrëveshjet rreth gjuhës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë përmblidhen në një pikë: cili është orientimi identitar i shqiptarëve, a është ai konvergjent apo divergjent, sepse gjuha nuk është dhe nuk mund të jetë e ndarë nga identiteti, nga përbërësit identitarë, sikundër që nuk mund të jetë e ndarë nga historia, nga kultura dhe nga synimet politike të një kombi. Për të gjitha këto kemi folur ose do të flasim ndaras, por me këtë rast nuk mund të mos themi se kosovarishtja si gjuhë është e paqenë, pra inekzistente. Këtë duhet ta sqarojmë një herë e mirë për të gjithë ata që pretendojnë t’i përdorin problemet gjuhësore të kosovarëve për të ndërtuar një identitet të ri. Nuk është parë diku deri sot që identiteti të ndërtohet përmes mungesave ose mangësive. Ai ndërtohet mbi anë pozitive, mbi vlera dhe jo mbi mungesën e tyre. Thënë ndryshe, kosovarët dashkan të përfshihen në një skizmë gjuhësore dhe bëkan gjuhë më vete mbështetur mbi një inat me Shqipërinë, ose për shkak të kompleksit të inferioritetit, ndjesi këto gjithsesi negative; pastaj për t’ia përshtatur gjuhën mosdijes dhe paaftësisë së tyre për të zotëruar standardin; apo që të legjitimojnë paaftësinë e tyre që të mënjanojnë depërtimet sllave në leksik dhe sintaksë; dhe, e fundit, për të përfillur një traditë gjuhësore të dyshimtë, për të mos thënë krejtësisht negative.
Pra, identiteti i ri nuk mund të ndërtohet mbi një gjuhë të paqenë, as mbi një gjuhë të sendërgjuar, siç do të thoshte Konica. Kosovarishtja, që të bëhet krah i identitetit kosovar, duhet të ekzistojë si gjuhë e shkrimit dhe e kulturës, gjuhë e një komunikimi intensiv në përmasa tërësore. A ishte dhe a mund të bëhet ajo e tillë? Në asnjë rrethanë, sepse ajo është e folme nëndialektore, e dekompozuar në një numër variantesh lokale, ku asnjëra nuk ka forcën kulturore dhe komunikuese ta mbisundojë tjetrën. Duke qenë gjuhë lokale dhe nëndialektore, ajo nuk e ka të konsoliduar variantin e saj të shkrimit, madje shkrimi i saj mund të përmblidhet në jo më shumë se dhjetë vëllime mesatare përrallash, gojëdhënash, anekdotash dhe këngësh popullore. Me një fjalë, tradita gjuhësore e Kosovës është e përmbledhur në tërësi në vëllimet e folklorit, që Anton Çetta i kishte bërë dikur në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ajo është krejt tradita gjuhësore e mëvetësishme e Kosovës, me shumë barbarizma turke dhe sllave dhe me trajta gramatikore të ndikuara nga këto gjuhë. Madje, kjo e folme nuk paraqitet e integruar as brenda vetë Kosovës, sepse ajo ndryshon nga zona në zonë, që dëshmon se, në të kaluarën, Kosova, as si e tillë, nuk ka funksionuar si një e tërë, gjuhësisht kompakte. Përveç kësaj, një gjuhë e tillë paraqitet tepër e pazhvilluar, sepse flet vetëm për një jetë rurale, në një kohë që jeta urbane e Kosovës pothuajse nuk ka pasur traditë të hershme shqiptare.
Atëherë, pra, cila dilemë mbetet? Le ta pranojmë si të mirëqenë idenë se Kosovës do t’i binte më mirë dhe do t’i shkonte më për shtat vendosja e gegërishtes në bazën e standardit të gjuhës shqipe, sepse një standard i tillë do të korrespondonte me lehtë dhe do të qëndronte më afër me Kosovën dhe me të folmen e saj. Kjo është rrethanë objektive dhe unë e pranoj si të tillë, megjithëse më parë më duhet t’i bëj të njohura disa dilema të mia rreth gegërishtes, nëse ajo do të ishte gjuhë-kornizë, e cila do të mund t’i merrte përsipër të gjitha funksionet e domosdoshme të gjuhës standarde. Këto dilema m’u përforcuan, ndërsa tash së voni, në kontekst të shijimit të gjuhës, kam marrë të rilexoj letërsinë e autorëve gegë, në radhë të parë Mjedën, Fishtën, Koliqin, Camajn dhe Pashkun, si dhe vëllimet e shumta të letërsisë popullore, më së shumti përrallat, poezinë lirike dhe epiko-lirike. Në disa raste këtë poezi e kam krahasuar me poezinë popullore të Shqipërisë së jugut dhe me atë arbëreshe. Në përgjithësi, gjuha e vargnimit epik, njësoj si gjuha tradicionale e komunikimit, është gjuhë me nocione që kufizohen me bëmat e lidhura me trimërinë ose vdekjen, pra një gjuhë hijerëndë, e palakueshme, e vështirë për komunikim të shpejtë dhe racional. Protagonistët e kësaj gjuhe janë tipa të ashpër, të vendosur, kryesisht me jetë sociale rurale. Te arbëreshët jeta sociale është kalorësiake, madje aristokrate. Poezia lirike gege është kryesisht bukolike dhe elegjiake, pavarësisht se cilit lloj i përket. Mjeda dhe Fishta ndoqën këtë logjikë gjuhësore, kur bënë veprat e tyre më të mira. Koliqi, ndërkaq, në krijimtarinë e tij të hershme, u përpoq ta urbanizonte këtë gjuhë, por ajo, për shkak të natyrës së saj bukolike dhe rurale, në tregimet e tij shpesh e nxirrte “në piknik” jashtë Shkodrës, që atje të gjente ambientin e vet më të përshtatshëm. Krijimtaria e tij e mëvonshme, njësoj si ajo e Camajt dhe e Pashkut, mbetet peng i moszhvillimit gjuhësor. Në të vërtetë, sikundër mund të vërehet, letërsia e Camajt dhe e Pashkut ka brenda një shpërputhje të ndjeshme gjuhësore, ose një kundërshti të papajtueshme: asociacione ultramoderne, përimtime dhe analiza të holla psikologjike, të gjitha këto të shprehura me një gegërishte që esencën e saj kuptimore e shpreh vetëm ose kryesisht përmes rrathëve kuptimorë të ambientit epik apo rural. Pashku, madje, në këtë pikë nuk ishte aspak këmbëngulës, sepse tregimet e tij, të shkruara kryesisht në vitet ’60, me rastin e ribotimit në kompletin e veprave lejoi që të ktheheshin në gjuhën e sotme shqipe nga një person që nuk e njihte mirë as gegërishten, as gjuhën e sotme.
Megjithatë, dilemat e mia rreth gegërishtes janë perceptim subjektiv dhe nuk pretendoj të tumiret nga mbështetësit e saj, por pamundësitë e saj për të qenë gjuhë e komunikimit modern sa vijnë e shtohen, edhe për faktin se gegërishtja, duke qenë e përjashtuar nga procesi i standardizimit dhe i zhvillimit, në esencën e saj ka mbetur gjuhë e një tradite tashmë të lënë në harresë dhe të tejkaluar. A i është bërë e padrejtë? Mundet, por ky proces tashmë ka marrë fund dhe nuk mund të kthehet prapa me asnjë çmim, jo vetëm pse është proces që nuk mund të përsëritet, por as nuk ka ku të kthehet. Ku do të kthehej, te cila gjuhë, te cili variant? Te gegërishtja tradicionale, konservative, të cilën nuk e njohin mirë as ata që e adhurojnë? Zhvillimet gjuhësore te shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit XX, për shkak të zhvillimeve shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, kanë qenë aq dinamike (të ndodhura kryesisht në kuadër të standardit), saqë do të ishte krejt e pamundur jo më një kthim prapa, por as një ndalje sado e vogël në mes të rrugës./KultPlus.com