Prezantohen botimet e vitit 2024 të Shtëpisë Botuese ‘Drita’

21 Shkurt, 2025 - 11:04 pm

Në bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, në kuadër të takimeve kulturore mujore “Pena e Dritës”, më 20 shkurt 2025, u prezantuan botimet e Sh. B. “Drita” të publikuara gjatë vitit 2024. Shtëpia botuese “Drita” këtë aktivitet përurimi e organizon për ta paraqitur aktivitetin botues të sajin gjatë një viti, një traditë tashmë disavjeçare e saj.

U prezantuan gjashtë botime, që janë pjesë e gjashtë serive botuese, që i ka “Drita”: letërsi, psikologji, histori, humanitas, zëri i kishës dhe përshpirtëri.

Introductio e takimit u bë me një interpretim të shkëlqyer të artistëve të rinj, Art Krasniqi, violinë dhe Landi Surdulli, piano, të veprës Largetto e Carl Maria von Weber.

Një fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i “Dritës”, Don Fatmir Koliqi, falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e shtëpisë botuese, autorët, përkthyesit, redaktorët e bashkëbotuesit dhe personalitetet e pranishme, me ndihmën e të cilëve bëhet veprimtaria botuese. Ai theksoi se kjo festë e librit është festë për kulturën tonë, që “Drita” me botimet e saja mundohet të bëhet shkëndijë në botën tonë shqiptare.

U prezantuan këto libra:

Nga seria “Zëri i Kishës”, “Letra dërguar artistëve”, e Papa Gjon Pali II dhe nga seria “Letërsi” “Proza moderne shqipe. Koliqi, Pashku, Hamiti” me autore Agnesa Beqiri. Prezantoi Ndue Ukaj.

Nga seria “Psikologji”, “Bota e të rinjve. Studime psikologjike”, me autor Mihaly Szentmartoni, Prezanton: Don Shtjefen Dodes

Nga seria “Histori”: “Veprimtaria e Jezuitëve në Popullin Shqiptar”, me autor Frok Zefi. Prezantoi Dr. Gjon Berisha.

Nga seria “Humanitas”: “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne” me autor Don Lush Gjergji. Prezantoi Prof. dr. Skender Asani.

Nga seria “Përshpirtëri”:  “Plagët e shpirtit. Reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 40-50” me autor Don Anton Uka.  Prezantoi Don Lush Gjergji.

Librat u vlerësuan si kontribute të çmueshme për kulturën tonë shqiptare në fusha të ndryshme, pasi ato me përmbajtjet e tyre pasurojnë njeriun tonë në rriten e mendjes dhe shpirtit për një kulturë të mirëfilltë.

Mbrëmja u moderua nga prof. Xhavit Beqiri, kurse u animua artistikisht e me pikat muzikore Alban Marku, kitarë e këngë, Art Krasniqi, violinë, dhe Landi Surdulli, piano.

Për të gjithë të pranishmit, botimet ishin në zbritje panairi, deri në 50%. Kurse, siç bëhet tashmë në mbarim të takimeve kulturore “Pena e Dritës”, në Agorà të qendrës “BogdaniPolis”, vazhdoi takimi i bashkëndajes kulturore me një koktej të përgatitur për këtë rast./drita/KultPlus.com

Të ngjajshme