16 Gusht, 2021 - 2:44 pm
Flonja Haxhaj
Sot në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë është bërë prezantimi i librit “Atdheu im është në qiell” të poetit nga Lezha me banim në Verona të Italisë, Tonin Nikolli.
“Atdheu im është në qiell” është një përmbledhje me poezi që vjen pas librit “Gjashtëdhjetë kambana të reja”, shkruan KultPlus.
I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe shkrimtari Agim Gjakova i cili thotë se hapësira në këtë vëllim është shprehje e shumë rrethanave qofshin të impulsit vetjak që shfaqin brendinë, por jo të mbetur në vetë, të shpirtit poetik të autorit.
“Autori nuk ka parasysh dhe as qëllim të mbështetet në koncepte të caktuara filozofike, sociologjike e të tjera, por i rreket pasqyrimit të botës që e rrethon, shqiptare e të të tjerëve, të qenies së tij si përjetues i kësaj bote dhe e zhvillimeve të saj që kur mbahet në mend, me shfrim poetik të nxjerrë nga shpirti e nga mendja”- ka deklaruar Gjakova.
Ai tutje shton se shtytjet e brendshme emocionale që poeti i ka përftuar nëpër shëtitjet e jetës dhe nga i shëtit këto shtytje në poezi, janë përqasje me qetësinë dhe me tërë kundërshtimet që ndodhin në realitet.
Analistja letrare, Ajete Zogaj thotë se librin i ri i autorit Tonin Nikolli, “Atdheu im është në qiell” ka ardhë për lexuesin shqiptar si një mozaik i bukur, mozaik ku autori ka gërshetuar me mjeshtri artistike, thellësinë e dukurive dhe të ndjenjave njerëzore, të cilat e shoqërojnë poetin dhe universin e tij, botën dhe secilin njeri.
“Në poezitë e Tonin Nikollit ‘vargëzohen’ bukur poetikisht atdhedashuria, malli, dhimbja, mërzia, shpresa, dëshpërimi dhe optimizmi i poetit për ngjarje e peripeci jetësore, të ngjizura bukur në fjalën e shkruar – në poezinë.”- shton më tutje Zogaj.
Redaktori i librit Anton Nikë Berisha në promovimin e librit është shprehur të jetë i nderuar për redaktimin e librit të Tonin Nikolli, i cili e vlerësoi poezinë e tij, pikërisht për mënyrën e shtrirjes dhe përdorimit të fjalëve.
“Tonin Nikolli është një poet i madh, sikurse disa poetë që janë të mëdhenj, por jo shumë të njohur”, ka thënë Nikë Berisha, i cili ka shtuar se duhet të punohet më shumë në promovimin e këtyre poetëve që përdorin fjalët me një mjeshtëri të rrallë, sikurse që e përdorë Nikolli.
E krejt në fund, autori i librit, Tonin Nikolli u shpreh mirënjohës dhe falënderues për të gjithë të pranishmit në këtë prezantim duke shtuar se e imagjinon këtë libër si një nuse ku ai së bashku me miqtë e tij kanë ardhur si krushq./KultPlus.com