12 Qershor, 2018 - 8:27 pm
Kosovar Basha
Esat Myftari, Emrush Myftari– Monografi, Pejë, 2011, fq.269.
Monografia në fjalë është botim i vitit 2011 me autor Esat Myftarin familjar i personalitetit tanimë të njohur Emrush Myftarit. Inspirimi për libër autorin e nxiti për dy arsye – ndjenja familjare, dhe nën dy mungesa e studimeve për këtë vigan të harruar nga koha dhe historianët në përgjithësi. Autori i studimit për mbarështrimin e monografisë u mbështet në burime arkivore të pakta dhe literaturë relevante historiografike. Edhe pse në mungesë të konsiderueshme burimesh primare dhe sekondare monografia e Esat Myftari paraqet një përpjekje serioze të sfidojë punën e tij përball kritikës shkencore historiografike.
Libri është i ndarë në disa kapituj të vegjël të cilat autori i ndërthurr mjaft me elegancë. Autori bën në fillim një vështrim historik të qytetit të Pejës si njëra ndër qytetet kryesore të Kosovës. Poashtu përmend familje të njohura të këtij qyteti si Mahmutbegollët, Bashajt, Broçët, Malushagët, Ibishagët, pastaj familje të vjetra serbe si Gazikalloviqët, Shantriqët, Shoshkiqët etj. Sipas autorit në këto rrethana dhe në këtë mjedis historik dhe qytetar u rrit Emrush Myftari në një familje të njohur pejane. Familja Myftari sipas autorit ishte njëra nga familjet e njohura të këtij qyteti. Familje tregtare por me peshë ajo luajti një rol me rëndësi, kështu duhet përmendur që vëllau i Emrush Myftarit – Sherifi hyri në listën e kandidatëve komunist në zgjedhjet e vitit 1920. Përball në këto zgjedhje u ndodhën figura me peshë si Nexhip bej Basha ish prefekt i Vloërs dhe personalitet i çmuar nga familja e vjetër Basha. Një filiz premtues për nxënësin Emrush Myftari do të ishte ndikimi që pati nga mësuesi i njohur Xhevat Shkreli. Këtej me ndihmën e tij ai u bë nxënës superior, kështu vendimtar në jetën e tij do të ishte regjistrimi në Gjimnazin e Pejës. Këtu do të njoftohet me shumë nxënës të ri shqiptar si Xhemal Kada, Shaban Basha, Seniha Basha, Seit Basha e shumë të tjerë. Ndikimi në literaturën e huaj do të bënte që ai të jepej fort pas biografive të Kemal Ataturkut, Zhan d’Arc, Dizreal, Bizmark pastaj emrave të njohur të letërsisë si Balzak, Hese, Çehov, Skerliq etj. Nga Peja, Emrush Myftari do të largohej në vitin 1930 për në Shqipëri me ndihmën e Konsulatës shqiptare në Shkup, kështu në jetën e tij do të fillonte një jetë e re. Emrushit i takoj të regjistrohej në liceun e Korçës ku takoj mjaftë nxënës tjerë kosovar si Zekeria Rexha, Idriz Ajeti, Ali Boletini etj. Po edhe këtu nuk do të qëndronte shumë pasi ai do të regjistrohej në Shkollën Mbretnore Ushtarake në Tiranë e formuar për të plotësuar nevojat e ushtrisë shqiptare. Këtu ai do të diplomohej si ushtarak më 1932, dhe do të shërbente si ushtarak në ushtrinë shqiptare deri në fillimin e Luftës civile në Spanjë më 1936. Idetë e tij do të ishin të kundërta me ato të Zogut, kësisoji ai ishte i afërt me Ali Kelmendi, Shaban Bashën, Xhemal Kadën, Asim Vokshin etj. Emrushi sipas autorit nuk morri drejtëpërdrejt në ngjarje kundër pushtetit të Zogut psh nuk ishte prezent në Kryengritjen e Fierit por ndihmoj mjaftë shokët në mënyra të ndryshme. Gjysma e dytë e viteve 30 do të ishte sfiduese për djalin e ri.
Fillimi i Luftës civile në Spanjë më 1936, do të ishte për të vendimtar t’i shprehte ndjenjat e tij antifashiste. Në Spanjë do të merrte pjesë në Luftë me shumë kuadro shqiptar si Skënder Luarasi, Xhemal Kada, Mehmet Shehu, Shaban Basha, Asim Vokshi, Petro Marko, Justina Shkupi, Ymer Puka e shumë e shumë të tjerë. Me insistimin e tij do të botohej organi “Vullnetari i Lirisë”. Autori Esat Myftari na njofton për paknaqësitë e tij lidhur me disa individ pjesëmarrës në Luftë si Xhafer Miraku të cilin Emrush Myftari e cilësonte me biografi të rrejshme dhe të graduar pa merita të veçanta. Paknaqësi ndërmjet shqiptarëve vërehen edhe në raportet e Emrushit me Skënder Luarasin, ky i fundit ishte në komandën e Gustinçit – i varur direkt prej Kominternit. Vdekjen e Xhemal Kadës dhe Asim Vokshit, Emrushi do t’i përjetonte tepër rëndë sepse ishte shumë i lidhur ngushtë me të dy sidomos me Xhemalin të cilin e kishte shok që në bankat shkollore. Kapitullimi i Spanjës republikane (mars 1939) shënonte një moment kyç për jetën e secilit vullnetar. Kështu pas disa peripecish Emrush Myftari u gjend në Pejë. Autori i veprës na ofron të dhëna interesante se si Emrush Myftari pa kurrfarë rekomandimesh ku nuk qe asnjëherë anëtar i PKJ bashkëpunoj me PKJ në Pejë. Kështu Emrushit i jepeshin materiale të ndryshme që të përktheheshin në gjuhën shqipe. Emrushi ishte këmbëngulës që në trakte të mos përmendej askund Jugosllavia as popujt jugosllav. Është interesant të theksohet se edhe në komemoracionin kushtuar vdekjes së Ali Kelmendin, fjalë mbajti Emrush Myftari ku ofroj të dhëna interesante mbi jetën e këtij komunisti të vjetër shqiptar i cili dha kontribut të çmuar antifashist. Në kohën e kapitullimit të Jugosllavisë autori Esat Myftari na tregon me saktësi se si Emrush Myftari do të gjendej përball prefekturës duke festuar. Madje autori saktëson se Esat Myftari ndodhej me përfaqësuesit e intelegjencës dhe në shoqërimin e avokatit plavjan Idriz Shahmani. Pjesë interesante në libër do të gjejmë një një syth për figurën e Shaban Bashës të cilën autori e quan kontrakditor në veprimet e tij politike ndonëse nuk e fsheh intelektin e tij si erudit. Së bashku me Emrush Myftarin do të ishin në shkollë, në Tiranën e viteve 30 dhe në Spanjë. Por përfundimi i Luftës së Spanjës, siç na dëshmon Esat Myftari për Shabanin do të ishte zhgënjyes. Madje ai do të shprehej “Me vajtjen time në Spanjë unë bëra gabimin më të madh që mund të bëhet”. Figura e Bashës paraqitet tërësisht në kontekstin historik duke filluar në pozitën e Sekretarit federal në Pejë për 8 muaj, pastaj zhgënjimi i tij më fashistët dhe largimi për në Mal si dhe dhe vendosja e kontakteve me antifashist si Alush Gashi me të cilin do të formojnë një çetë në Rakosh. Në fund të konstatimeve për Shaban Bashën ai e cilëson si njeri që pati shmangje nga vija politike ndonëse i zhgënjyer prej Spanjës, por për të në mes ishte Kosova dhe synimi për shpëtimin e saj. Gjatë viteve 1941-1943 në Pejë do të funksionte edhe një librari me titull “Vllaznimit Myftari”. Por krahas ksaj librarie vepronte edhe një librari tjetër me titull “13 dëshmorët” me pronar Fahri Basha. Në librarinn e vëllezërve Myftari, do të gjendeshin libra me vlerë të madhe. Nëpërmjet historisë gojore autori i librit, përmes bashkëkohësëve, nxënësëve të gjimnazit të asaj kohe në Pejë na jep një tablo për formatin e librarisë. Në të mund të gjeje Fishtën, Sterjo Spasen, Mitrush Kutelin, Omer Khajami etj. Libraria vazhdoj punën deri kurr u arrestua Emrushi dhe u transferuan në Tiranë, kështu ajo pas një periudhe u dogj e tëra. Fundi i vitit 1943 lidhet me zhvillimet në prag të Konferencës së Bujanit. Sipas autorit fushatën e përzgjedhjës së pjesëmarrësëve e bënte Melihate Deda-Mimi.
Ajo u tregua e kujdesshme që ta shmang Emrush Myftarin pasi ai cilësohej si “spiun i Anglisë”. Mjaftë interesante janë edhe letrat e Emrush Myftarin me intelektualin me formim perëndimor Sadri Doçin. Emrush Myftari kurrsesi nuk mund të rinte indiferent ndaj zhvillimeve politike. Autori jep një faktë interesant se si në Konferencën e dytë të NDSH mbajtur më 26 shkurt 1944 në Rogovë të Hasit, Emrushi ishte ndër 11 pjesëmarrësit dhe ishte zgjedhur si drejtues i Komitetit të Pejës me një mandat të kufizuar që do të zgjaste deri në shtator 1944. Emrush Myftari do të mbante lidhje edhe me Halim Spahiun, Ibrahim Fehmiun, Sokol Dobroshin e shumë antifashistë të tjerë të pakënaqur me zhvillimet që po ndodhnin në Kosovën e vitit 44. Pjesët më interesante të librin shpalosin dëshmi të qarta me të dhëna arkivore, ku po përgatitej eliminimi i Emrush Myftarin nga komunistët jugosllavë. Nga materiale të ndyshme jepeshin disa konstatime për të nga figura të njohura si Miladin Popoviqi, Ismet Shaqiri etj. Këto të dhëna shihen qartë nga raportet interne të Komitetit të Partisë në Pejë gjatë viteve 1943-1944. Sigurisht që në këtë mes, vrasje kishte një synim të qartë eliminimin e tij për disa arsye të thjeshta : patriot dhe erudit i pakontestuar për kohën. Në vitin 44 ai do të lidhej në Rugovë me Zhuk Haxhinë e shumë bashkëluftëtar ku edhe do të strehohej atje. Në pjesët e fundit në libër gjejmë copëza mbi historikun e burgimeve të Emrush Myftarit. Në këtë kuadër evidencohen 5 burgime gjatë jetës së tij të shkurtër, ku më fatkeqi do të jetë ai nga jugosllavët më 1945 në Prishtinë. Duke munguar dokumentacioni relevant, autori i referohet librit të Fadil Hoxhës. Në gjykimin e Emrushit morrën pjesë Miladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Fadil Hoxha e shumë të tjerë, gjykimi zgjati 10 ditë dhe kështu pas 10 ditëve u pushkatua në Tokbashqe. Me një copëz pas vrasjes shihen edhe aktet brutale të pushtetit jugosllav, Emrushit i konfiskohet pasuria me arsyetimin “armik i popullit”. Emrush Myftari jetoj afër 40 vite, mirëpo i dha vulë disa periudhave historike duke e dëshmuar vetën si antifashist dhe erudit të pakontestueshëm. Vepra e tij do të mbetet një udhërrëfyes për gjeneratat e reja. Monografia e Esat Myftarit lexohet me një frymë. Një formë e veçantë e trajtimit të ngjarjeve, një mënyërë inteligjente e interpretimit të materialeve arkivore. Erudicioni i autorit të studimit, duke analizuar dhe sintetizuar në mënyrë lucide materialin përbën një sukses që edhe historianëve i mungon ky lloj i interpretimit.
( Autori është hulumtues i pavarur për shek.XX në Institutin e Historisë në Prishtinë ).