Promovimi i librit “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut”

7 Korrik, 2022 - 11:17 am

“Hije të Shtrembëruara” është një libër kujtimi me rrëfime të ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut, dy prej të cilave janë të treguara nga famijlarë e të afërm të tyre.

Historitë e paraqitura në këtë libër janë rrëfime të vuajtjeve e torturave por edhe të rezistencës e solidaritetit midis aktivistëve politikë nga Kosova që kaluan netë e ditë në dhomat e izolimit të kampit të Goli Otokut, por edhe në vendpunishte si gurëthyes, pllaka-punues, zdrukthëtarë, rrobaqepës, ekonomistë e mësues.

Përmes këtij libri ne përpiqemi t’i kuptojmë përjetimet e viktimave, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, si dëshmi e rrëfime plotësuese të një periudhe historike, siç është rasti me torturat që kanë ndodhur në burgun e Goli Otokut, kështu duke krijuar një kulturë të kujtesës e memorializimit, që shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut të mos përsëriten.

Promovimi i librit “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” do të mbahet në Muzeun e Burgut të Prishtinës, më 13 korrik (e mërkurë), nga ora 19:30.

Ky aktivitet do të hapet me fjalë rasti nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Z. Hajrulla Çeku për t’u pasuar pastaj me debatin “E kaluara para së kaluarës” me panelistë Shkëlzen Gashi, Mrika Limani Myrtaj dhe Aurela Kadriu, me moderator Eraldin Fazliu.

Projekti “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” është realizuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund. /KultPlus.com

Të ngjajshme