Promovohen disa vepra të krijuesve të mërgatës

7 Gusht, 2019 - 1:59 pm

Në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka organizuar aktivitetin “Takime letrare me krijues dhe shkrimtarë nga diaspora dhe Kosova”, shkruan KultPlus.

Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve të Mërgatës, tha se është kënaqësi e veçantë që sot ndodhen në Bibliotekën Kombëtare për të promovuar disa nga veprat e krijuesve të mërgatës.

Muhamet Selmani, këshilltar i ministrit në largim të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, tha se ky aktivitet tashmë është bërë tradicional “Ju falënderoj për krijimet e juaja. Penda asnjëherë mos ju harxhoftë. Libri është vlera dhe drita e një shoqërie. Ju uroj të çmalleni me atdheun dhe t’iu frymëzojë të shkruani edhe më shumë vepra”, u shpreh ai.

 Librat të cilët u promovuan, ishin të shumtë dhe kryesisht vëllime poetike, në përgjithësi tema që trajtonin këto vepra kishte të bënte me mërgatën, me mallin për atdheun dhe vitet e jetës të kaluara atje, kishte edhe prej atyre që flitnin vetëm për dhimbjen personale, por që në një formë prapë se prapë ndërlidhej me jetën jashtë vendlindjes.

Librat që u promovuan, janë si vijon: Fran Tanushi- Shkalla e diellit Gonxhe Letmi Begisholli- Shprushje kujtimesh Gani Bytyqi- Fletëza dhembjeje Demir Rushiti- Endje Milazim Kajtazi- Endrra e thyer Besim Xhelili- Fragmente të një zemre të dalldisur Hasan Qyqalla & Mustafë Krasniqi- Legjenda e dhembjes së heshtur Drilon Gashi- Rrugëtim publicistik.

 Përveç promovimeve, pjesëmarrësit u befasuan edhe me një pikë muzikore, nën performancën e shkrimtarit Driton Gashi, që përveç se shkrimtar, ai pohoi se muzikën e kishte pasion të kamotshëm.

Me këngën ‘’Këtu s’do jem’’, të shkruar nga Dritëro Agolli, ai argëtoj publikun e pranishëm.

Krejt për fund Hasan Qyqalla u shpreh i entuziazmuar me mikpritjen që institucionet shtetërore po i bëjnë mërgatës.

Me këtë event, përfundoi edhe edicioni i “Ditëve të Diasporës”, që edhe këtë herë ka argëtuar mërgimtarët tanë me evente të ndryshme, si koncerte, takime letrare etj. / KultPlus.com

Të ngjajshme