11 Prill, 2023 - 6:00 pm
Kolana “Ditari i tranzicionit” (në tetë vëllime) e akademik Anastas Angjelit u përurua në Akademinë e Shkencave, ku ishin të pranishëm anëtarë të këtij institucioni dhe ekspertë të njohur të ekonomisë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushi falënderoi e përgëzoi akademik Angjelin për punën e veprimtarinë e tij sistematike e profesionale, në ndjekje të të gjithë ecurisë, reformimit e problemeve të lidhura me ekonominë shqiptare në këto 30 vjet, të quajtura vite të tranzicionit, duke vlerësuar këmbënguljen e durimin për t’i pasqyruar ato në një kolanë të vetme.
“Autori si një interlokutor i besuar e permanent i institucioneve ndërkombëtare financiare si BB, FMN, OBT, B. Europiane për zhvillim etj., është një dëshmitar i vyer i rolit të tyre në këtë tranzicion”, u shpreh Gjinushi, teksa e vlerësoi këtë kolanë me vlerë të tre dekadave aktivitet intensiv e punë kërkimore-shkencore prej autorit: në fushat akademike e mediatike, institucionale e qeverisëse, intelektuale e qytetare.
“Shfrytëzoj rastin për të vlerësuar punën në rritje të komisionit të ekonomisë shkencave sociale dhe juridike, i cili ka realizuar një sërë veprimtarish të suksesshme, përfshirë nxitjen e mbështetjen e disa botimeve të autorit, së bashku me akademik Civicin. Veçanërisht çmojmë ndërmarrjen nga ky komision të një studimi të përbashkët me ASHAK, për integrimin e ekonomisë së dy vendeve tona”, tha ai në fjalën përshëndetëse.
Gjinushi theksoi se, “për vlerën e kësaj kolane, do të flasin specialistët, por dua të evidentoi vijoi ai, tre specifika të saj: është e para herë që një përmbledhje studimesh e analizash kaq voluminoze në ekonomi, të promovohet në këto mjedise të ASH; kolana është produkt i një autori, por ai në shkrimin e konceptimin e saj shfaqet me disa cilësi e funksione: si studiues e specialist i linjës së parë të ekonomisë, si politikan e si ministër Ekonomie; kolana, apo ditari rrok një periudhë të papërsëritshme të ekonomisë e historisë shqiptare, atë të tranzicionit, që rezulton më i vështiri e i shoqëruar me dukuri e eksperimente të panjohura më parë: si ngritja e një sistemi shoqërish rentiere në vend të atij bankar; si nxitja masive e ndërtimeve pa leje, në vend të urbanizimit, apo zbatimi i terapisë shok në vend të privatizimit, sipas rregullave të tregut, pa harruar se kalimi nga ekonomia socialiste në atë të ekonomisë së tregut bëhej për herë të parë, e qe një sfidë për tërë lindjen e për botën, e qarqet ekonomike”.
“Në këto zhvillime, autori ka qenë protagonist e oponent, sipas rastit, i reformave të thella a të veçanta, që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Ai ka njohur nga afër si arsyet ekonomike, ashtu dhe konjukturat politike e deri interesat e veçanta që kanë ndikuar në zgjidhjet, zgjedhjet, reformat a masat e ndërmarra ndër vite”, u shpreh Gjinushi./atsh/KultPlus.com