Promovohet “Itaka” i Fate Velajt, një risi në letërsinë shqipe

14 Shkurt, 2020 - 4:30 pm

Libri “Itaka” i cilësuar nga kritika si një risi në letërsinë shqipe, që pasuron biografinë artistike të shkrimtarit, piktorit dhe fotografit, Fate Velaj, u promovua mbrëmjen e djeshme në Qendrën e Hapjes për Dialog.

Në promovimin e librit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, shkrimtari Fate Velaj, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, shkrimtarë, artistë, etj.

Të pranishmit vlerësuan origjinalitetin dhe mjeshtërinë e shkrimtarit Velaj, jo vetëm në këtë libër, por në të gjitha romanet e botuara prej tij.

“Itaka”, romani i i tretë i trilogjisë, pas veprave “Kreuztanne” dhe “Nilkon” është një rrëfim ku liria fiton mbi modelin, një libër sipas recetës dhe përbërësve vetanakë të autorit.

Në këtë libër Velaj përshkruan personazhet dhe ngjall kërshërinë e lexuesit, duke shenjuar realisht një letërsi të re, e cila hap portën e universit të letërsisë së sotme shqipe.

Me këtë roman Velaj ka krijuar një ngjarje të re artistike dhe historike: një trilogji autobiografike e cila është e vështirë të ndahet nga imagjinata mbasi, mjeshtëria e rrëfimit të autorit, kap majat e saj.

Në këtë roman shfaqet nëna, kjo qenie që edhe pse enigmat e saj thuajse janë si erërat që fryjnë e ndalojnë sa herë flasim e mendojmë për të, autori, na e paraqit jo vetëm në funksionin e dhembshurisë, por edhe si një bashkëbiseduese gjatë rrugëtimit të tij për në Itaka.

Gjatë gjithë rrëfimit letrar në roman, ai, nëpërmjet monologut për jetën, e përdor atë për të paralajmëruar ngjarje e fenomene që do të vijnë së shpejti në të ardhmen e tij që e përjeton si të tashmen.

Falë aftësive të larta krijuese, Velaj rrëfen si komunikon me malet, me gjethet e parkut, me ketrat brenda tij, zogjtë që fluturojnë si dhe ata pa krahë që qëndrojnë brenda veshëve të tij, me blunë e detin e shkëmbinjtë, me tubetat e ngjyrave dhe penelat kur pikturon si dhe me notat e simfonive të Beethoven-it.

Trajtimi i vërtetë artistik nëpërmjet ngjarjeve të jetuara dhe atyre imagjinare karakterizojnë personazhet e romanit plotësuar me mjete pulsive gjuhësore dhe figura letrare. /KultPlus.com


Të ngjajshme