Promovohet libri i Flora Durmishit ‘Përtej kohës’

17 Dhjetor, 2024 - 11:17 pm

Në Gjilan është bërë promovimi i librit publicistik “Përtej kohës – Gra që formësuan kulturën shqiptare” i autores Flora Masurica-Durmishi, botuar nga Shtëpia Botuese Ars club ‘Beqir Musliu’ nga Gjilani.

Libri i Durmishit vjen para lexuesve si rezultat i një pune 25 vjeçare përmes  valëve të Radio Kosovës dhe angazhimit të saj në fushën e gazetarisë dhe jetës publike në Prishtinë, Tiranë e gjetiu.

Redaktorja e librit, Etleva Durmishi, tha se prezantimi i këtij libri, por edhe qasja e lexuesit duhet të nisë që nga titulli “Përtej kohës: Gra që formësuan kulturën shqiptare” sepse ai përbën një ftesë për të kuptuar idenë dhe tablonë e përgjithshme të veprimtarisë së grave krijuese dhe raportit te tyre me kohën.

“Përmes këtyre intervistave ne kuptojmë më tepër rreth rrugës që kanë bërë këto gra në krijimtari, anën e tyre private, duke hedhur dritë edhe mbi pasiguritë e tyre më të thella, e të cilat shpesh ato i rrëfejnë edhe vetë, sepse këtë pjesë të tërësisë njerëzore nuk e shmang asnjëherë krijuesi”, theksoi ajo.

Kurse Ulpiana Lama në parafjalën, ka shkruar se libri që po botohet është rezultat i një pune 25-vjeçare.

“Ua rekomandoj fort për tri arsye kryesore. E para, bota në të cilën jetojmë sot është thellësisht ndryshe nga ajo kur janë kryer intervistat e para të Florës. Bota e sotme është e përshpejtuar në çdo aspekt, jo vetëm në ushqimin e shpejtë, por edhe në informacionin e shpejtë. Flora përfaqëson profesionalizëm, integritet dhe kredibilitet. Kurse arsyeja e dytë është se një nga mekanizmat e mendjes njerëzore është të marrë gjërat si të mirëqena. Sot, liritë që ushtrojmë dhe të drejtat që mbrohen me ligj mund të konsiderohen si të mirëqena. Pas dëgjimit të një kënge nga Nexhmije Pagarusha ose Liliana Çavolli, një lexues i ri mund të shijojë intervistën përkatëse dhe të kënaqë kureshtjen. Kaq shumë gra të zonja dhe kaq shumë art e vepra të bukura! Një dimension i ri krenarie dhe inkurajimi vjen faqe pas faqe”, tha ajo.

Kurse arsyeja e tretë, sipas saj, ka të bëjë me aspektin njerëzor, pasi që puna e saj dhe ky botim na japin një mësim tjetër humanitet.

Ndërkaq autorja e librit “Përtej kohës – Gra që formësuan kulturën shqiptare” Flora Masurica-Durmishi, tha se ky libër është mirënjohje për të gjitha ato gra që me punën e tyre kanë kontribuar, për formësimin e kulturës sonë.

“Të gjitha personalitetet që kam prezantuar janë personifikim i standardeve më të larta në punë dhe profesion. Ato janë modeli më i mirë i respektimit të standardeve dhe vlerave të larta në krijimtari”, theksoi ajo. Durmishi tha se librin ia dedikoi babait të saj cili e ka mësuar të jetojë e punojë ndershëm.

Ndryshe libri është mbështetur nga Drejtoria për Kulture e Prishtinës, kurse mund të gjendet në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë!.

May be an image of 1 person, studying and text
May be an image of 1 person and text
May be an image of 5 people and text

Të ngjajshme