12 Qershor, 2019 - 8:06 pm
Buxhovi i jep një tjetër dhuratë historiografisë me një vepër voluminoze mbi Maqedoninë që nga koha antike deri në kohën tonë. Në librin e tij më të ri, me mbi 1000 faqe, Jusuf Buxhovi eksploron të gjithë historinë e Maqedonisë, përcjellë KultPlus.
Sipas kritikëve dhe miqëve të autorit, libri është quajtur si pjesë e librit disa-volumësh i veprës ‘Kosova’. Fjalën e fillimit në këtë promovim e ka marrë botuesi dhe miku i Buxhovit, zotëri Nazmi Rrahmani.
‘Autori ka nisur ta shkruajë këtë libër duke parë që Maqedonia trashëgon edhe një pjesë të shqipëtarëve, që nga ilirët e deri sot. Autori ka ngrituar çështjen maqedone duke trajtuar çdo aspekt të saj, si gjeografik e politik ashtu edhe etnik’ tregon Rrahmani.
Lëvdatave për librin pati edhe Ramadan Mjeku, përfaqësues i shtëpisë botuese, i cili ka treguar për bashkëpunimin e gjatë të tyre me shkrimtarin Buxhovi. Ai ka treguar që autorë si Buxhovi ‘e kanë marrë përgjegjësinë për ta treguar si të mirëfilltë historinë e kombit tonë.’
Urimeve për mikun e tyre i është bashkangjitur edhe redaktori i librit zotri Musliu. ‘Libri i Buxhovit i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë tona. Libri vie në një moment historik kur po bëhet ridefinimi dhe riemërimi i Maqedonisë. Autori e ka ndarë Maqedoninë në dy periudha, në kohën antike dhe moderne duke komentuar edhe në riemërimin e saj si pjesë e propagandave politike’ u prononcua redaktori i librit.
Musliu gjithashtu ka treguar që autori është mbështetur në një faktografi duke treguar lidhjet e maqedonëve me dardanët, si dhe duke gjetur lidhje farefisnore mes dy vendeve. Ai citon nga libri i Buxhovit duke thënë ‘maqedonët, grekët e pëllazgët e flasin të njëjtën gjuhë. Kronologjizmi i detajuar i historisë së Maqedonisë na mëson se si janë zhvilluar ngjarjet që nga antika deri në kohërat tona”, ka thënë Musliu për librin.
Në qendër të këtij libri janë shqiptarët, pavarësisht në cilën pjesë jetojnë, ka shtuar Musliu. Musliu na bën të ditur gjithashtu që Serbia i referohet Maqedonisë si ‘Serbia e vjetër’ duke treguar tendencat territoriale ndaj këtij shteti, në fund të fjalës së tij për librin.
Një kapitull të veçantë të këtij libri e përbën çështja e ekzistencës apo jo të popullit maqedon, duke i ftuar lexuesit të diskutojnë e të mendojnë më gjatë për këtë temë. Promovimi është përmbyllur nga vetë Buxhovi i cili ka thënë se Dardania çfare e njohim ne nuk është ajo që ka qenë, ashtu siç nuk është as Maqedonia, prandaj ka marrë përgjegjësinë ta shkruajë.
‘Libri është përkthyer në anglisht dhe pritet që të botohet në këtë gjuhë në fund të këtij viti’ ka sqaruar autori Jusuf Buxhovi për të pranishmit. Së fundi autori ka shtuar që ndihet i zhgënjyer nga raportimi i medieve për 12 qershorin, ditën e Çlirimit, që sipas tij, është përdorur për përfitime të tyre politike. Sipas Buxhovit, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku që ai merret me punën e dokumentimit të saktë të historisë.
Fare në fund autori ka paralajmëruar librin e radhës që është ‘Dardania mesjetare’. Ky libër do të plotësojë trinomin historik të krijimtarisë së Jusuf Buxhovit./RronaJaka/KultPlus/