27 Nëntor, 2024 - 6:33 pm
Vjollca Duraku
Në kuadër të projektit kulturor “Evropa Kreative” mbrëmë është promovuar libri “Kape Lepurin” i autores Lana Bastašić, në ambientet e librarisë Dukagjini, shkruan KultPlus. Libri është përkthyer nga Shkëlzen Maliqi dhe trajton një histori tejet emocionuese për luftën, vdekjen e miqësinë femërore e krahas tyre edhe për identitetin dhe marrëdhëniet femërore e pjekurinë feministe në një shoqëri patriarkale e konservatore të periudhës së viteve ’90.
Ngjarja zë fill në një udhëtim rrugor të Bosnjës së pasluftës, ku dy shoqet Lejla dhe Sara udhëtojnë nëpër të kaluarën e tyre, ku synimi i përbashkët është gjetja e vëllait të Lejlës, Arminit, i cili figuronte si person i zhdukur në luftën e Bosnjës, e që vetëm ato ishin të bindura se ai ende ishte gjallë.
Kjo ceremoni u hap nga moderusja Jeta Zymberi, e cila fillimisht dha detaje për përmbajtjen e librit si dhe të autores Lana Bastašić.
“Lana Bastašić është shkrimtare, romanciere dhe përkthyese boshnjake. Romani debutues i Bastashiqit “Kape lepurin” u botua në Beograd në vitin 2018, dhe më pas u ribotua në Sarajevë. Libri fitoi Çmimin e BE-së për Letërsinë në vitin 2020 dhe u përfshi në listën e ngushtë për Çmimin NIN. Ndërsa “Dukagjini” e sjell “Kape lepurin” ne gjuhen shqipe, në kuadër të kolonës “Effugium””, ka thënë moderuesja Zymberi.
Ndërsa, përkthyesi i librit “Kape Lepurin” Shkëlzen Maliqi ka thënë se vepra trajton një tregim mjaft njerëzor për tmerret që kanë ndodhur në Bosnjë, që në prapavijë ka zhgënjimin në shoqëri.
“Ky roman nuk është direkt, nuk flet direkt për luftën, por për pasojat te gjeneratat e mëvonshme. Jugosllavia dhe Bosnja janë në qendër. Kryepersonazhet janë dy shoqe të cilat e kujtojnë rininë e tyre kur këto kanë qenë në shkollë të mesme, atëher edhe kur ka ndodhur lufta, ku u shpërbë edhe një shoqëri që deri gjatë kohës së Jugosllavisë kanë jetuar në njëfarë sistemi vllaznim-bashkim, që në Bosnje nuk dallon shumë. Vetëm feja i dallon, bile edhe etnikisht janë një substrat”, ka thënë Maliqi.
Më tej, përkthyesi Maliqi ka thënë se romani është i shkruar në një gjuhë lehtësisht të kuptueshme, porse për të personalisht procesi i përkthimit ka qenë mjaft sfidues.
“Tregimi i këtyre dy vajzave është e shtjelluar mirë. Trajtohet ajo që e përjetojnë ato, kërkimi i vëllaut të njërës prej tyre që kthehet nga Irlanda ku ka jetuar shumë vite, se Lejla e thërret Sarën në njëfarë udhëtimi me kërku Arminin. Autorja e ka zbritur në një nivel interesant, dhe i tregon pasojat e një katastrofe që e ka përjetuar ajo shoqëri edhe ato individualisht. Ky roman është për Jugosllavinë, në të vërtetë udhëtimi në të kaluarën është një lloj përshkrimi i biografisë së vetë autores sepse edhe ajo është e Bosnjës, por që ka lindur në Zagreb”, ka thënë përkthyesi Maliqi.
Ndërkaq, shkrimtari Shpetim Selmani ka thënë se shkrimtarët e rajonit të Ballkanit në përgjithësi e trajtojnë si filozofi temën e dëshpërimit, për shkak të origjinës së tyre dhe historisë së luftërave.
“Këta e kanë dëshpërimin si filozofi. Ndoshta edhe për shkak të luftrave, e kanë të pamundur shkëputjen prej të kaluarës dhe e kanë të pamundur me u largu komplet nga identiteti. Personazhi kryesor edhe pse shkon në Irlandë dhe e ka të pamundur ikjen nga kjo temë, sepse është diçka që është formësuar gjatë kohës së fëmijërisë, është diçka që reziston tërë jetën”, ka thënë Selmani.
Kurse, sa i përketë personazheve kryesore shkrimtari Selmani thotë që nuk e ka konceptuar si një raport komplet të definuar.
“Në fakt medoj që ka dashuri edhe mes atyre, edhe dashuri erotike, megjithëse karakteri i Lejlës ka një liri personale që i mungon personazhit tjetër. E ka një vullnet që e ushtron shumë fuqishëm, e ka një liri të jashtëzakonshme. Ndërkohë që personazhit tjetër i mungon kjo. Dhe ndërkohë asaj i mungon kjo brishtësia, ky naiviteti i personazhit tjetër”, ka deklaruar Selmani.
Ai më tej thotë që Sara dhe Lejla janë personazhe të ndryshme nga njëra tjetra, por që kanë një lidhje të thellë shpirtërore.
“Personazhi i Lejlës është personazh shumë i fuqishëm që then then shumë rregulla, në një Bosnjë të shkatërruar prej normave, prej luftës, mendësi arkaike. Është një personazh jashtëzakonisht interesant. Mendoj që kanë një lloj dashurie erotike sepse e kanë të pamundur shkëputjen prej njëra tjetrës, idomos kur takohen me këto kujtime kaq të thella. Mënyra se si i përshkruan autorja me një gjuhë jashtëzakonisht të fuqishme poetike, të detajuar, me shumë kujdes e rafinuar, mendoj që është mund të jetë edhe ky element i pranishëm”, ka thënë Selmani.
Libri “Kape Lepurin” në gjuhen shqipe është përkthyer në kuadër të kolonës “Effugium”. /KultPlus.com