25 Maj, 2022 - 2:38 pm
Uranik Emini
Studentë dhe njohës të fushës së muzikës u bënë bashkë për të ndjekur nga afër promovimin e librit “Historia e Muzikës Shqiptare” të profesorit Nestor Kraja. Libri është i ndarë në 12 kapituj duke përfshirë muzikën e periudhave të antikitetit, mesjetës, rilindjes kombëtare, pavarësisë, mbretit Zog, Luftës së dytë botërore dhe të epokës së socializmit, shkruan KultPlus.
Ky libër vjen pas mungesës 40 vjeçare të botimeve të kësaj natyre, e për herë të parë ndonjëherë trajtohet edhe fusha e muzikës nga vitet e 90-ta, gjer në ditët e sotme.
Profesori universitar, Valton Beqiri, fillimisht bisedoi për biografinë e autorit, e më pas edhe për punën e tij ndër vite.
“Nestor Kraja u lind në Tiranë më 03/08/1959. Me artin muzikor gjegjësisht me mësimet në piano i fillon që nga mosha 6 vjeçare. Në vitin 1983 diplomon në degën e kompozimit në Akademin e Arteve të Tiranës në klansën e kompozitorit Feim Ibrahimi (me veprën koncert për piano e orkestër). Në vitin 1998 i përfundon studimet e magjistraturës në drejtimin kompozicion dhe analizë në Akademinë “AIDA” në Romë në klasën e kompozitorit Edgar Alandia. Që nga viti 1992 është i angazhuar si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, Pas magjistraturës, nga viti 2003 rikthehet në Akademi dhe vazhdon punën si pedagog për lëndët kompozim, histori muzike, muzikologji dhe solfezh. Përveç aspektit krijues dhe veprat e interpretuara në rajon si dhe Gjermani, Itali, Austri etj. Prof Nestor Kraja shquhet edhe me aktivitetin e tij shkencor, hulumtues dhe organizativ”, thotë ai.
Kraja gjithashtu në sirtarin e tij ka edhe shkrime e kritika rreth ngjarjeve e aktiviteteve të ndryshme muzikore.
“Libri Historia e Muzikës Shqiptare në esencë pasqyron zhvillimet e muzikës shqiptare që nga shkëndijat e para e gjerë në ditët e sotme. Ky përshkrim dhe evidentim realizohet përmes informacioneve dhe referencave të studiuesve muzikorë por edhe vlerësimeve dhe analizave mbi muzikën artistike shqiptare”, thotë tutje Beqiri.
Siç e thekson edhe vetë autori, faktet, nuk janë vetëm datat, autorët apo veprat e tyre, por edhe shkaqet, rrjedhojat, dhe dukuritë tjera shoqërore dhe politike të këtij rrugëtimi historik.
Një element po ashtu i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga të gjithë është edhe prezantimi i këtij materiali përmes botimit online në faqen e Universitetit, dhe kërkesa apo ndryshe ta quaj edhe oferta e autorit që kolegët ta lexojnë e të japin sugjerimet e tyre para botimit final.
“Në fund edhe një herë ta theksoj se botimet e kësaj natyre, janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm për studentët dhe studiuesit muzikor, po edhe për shkak të ri definimit të dijeve tona rreth historisë sonë muzikore dhe hapjes së rrugës për pasurimin e saj të mëtejshëm”, u shpreh Beqiri.
Muzikologia dhe pedagogia Rreze Kryeziu, shprehi mirënjohje në emër të departamentit të artit muzikor, për profesorin Nestor Kraja, për punën e tij të jashtëzakonshme në këtë libër.
“Një nga mangësitë e problematikat më të mëdha me të cilat jam shoqëruar në formimin tim profesional por edhe që sot vazhdojnë të shoqërojnë zhvillimin e muzikës artistike/profesionale në vend është pikërisht mungesa e dokumenteve, publikimeve, literaturës përkatëse muzikore”.
Kryeziu tutje thotë se në një mjedis ku ata punojnë, ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për shkrime muzikore e sidomos me një përparësi të lartë në botime.
“Njëkohësisht është një mjedis i frikshëm për ata që marrin guximin të angazhohen në këtë fushë, dhe kështu hapësira për një zhvillim të shpejt të saj ka qenë edhe vazhdon të jetë e kufizuar”.
Ky botim, sipas asaj, u jetësua përmes studimeve të realizuara mbi kulturën muzikore, mbi faktorët kyç për ekzistencën e saj siç janë kompozitorët, duke analizuar historikun e jetës dhe paraqitjes së tyre profesionale por edhe aspektin formal e stilistik të opusit të tyre krijues.
Ndërkaq, Profesori Nestor Kraja në një intervistë për KultPlu deklaron se studentët e shtynë që të punojë më shumë në këtë libër dhe të sjellë diçka për të cilën ka shumë pak informacione.
“Objekti i parë në të cilin kam menduar përpara se të filloja të shkruaja librin, kanë qenë studentët. Ata janë të parët dhe të duhurit për të ditur rreth muzikës shqipe. Muzika është e lidhur ngushtë me kulturën dhe ne duhet ta ruajmë e njohim mirë atë, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të projektojmë trajektoren e zhvillimeve të mëvonshme të vendit. Përmes kësaj trajektore duhet t’i shohim rrugët dhe mundësitë për të implementuar një rrugëtim sa më të suksesshëm në jetë. Për muzikantët e rinj, muzika është një pjesë thelbësore, njësoj si busulla për detarin”.
Kraja vlerëson se në vitet e fundit ka pasur evente shumë të mira, të cilat i ka ndjekur me shumë interes.
“Një nga problemet e këtij libri, është se flet vetëm për muzikën e Shqipërisë. Mendoj që në të ardhmen duhet të projektojmë idenë e muzikës kombëtare, sepse ajo do të na bëjë të vetëdijshëm që jemi vërtet një komb, ne nuk mund ta konsiderojmë dhe nuk duhet ta konsiderojmë vetëm të ndarë. Pavarësisht që historia na ka ndarë në forma e mjete të ndryshme, neve na ka mbetur një gjuhë, na ka mbetur dashuria për njëri tjetrin, e respekti për njëri tjetrin. Në këtë drejtim duhet të shohim edhe kulturën që u japim të rinjve, ta kemi të unifikuar”.
I pyetur se cilën periudhë e sheh si më të frytshmen, profesori Kraja thotë se ajo pas viteve 90’ e ka intriguar që të punojë më shumë në pjesën të cilën e ka quajtur pas viteve 90’.
“Që nga viti 1990 e deri tani nuk kishte ndonjë informacion konkret për muzikën shqiptare, çfarë u bë me muzikën, si u organizua muzika pas 90-ave, ishte një dije që lundronte vetëm në mendjen e pak njerëzve. Studentët nuk dinë për këtë pjesë, prandaj unë kam vendosur që të shkruajë për këtë periudhë kohore. Mendoj që unë vetëm kam hedhur një gurë përpara, pra, vetëm një hap, pres që të tjerët të bëjnë edhe më shumë.
Kraja vlerëson shumë pjesën e zhvillimit të muzikës në Kosovë, ku thotë se ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të ketë përfshirje të të gjitha fushave, duke filluar nga muzika korale, opera, baleti e shumë të tjera.
“Jemi vonuar në aspektin e bashkëpunimit në fushën e muzikës mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi profesionistë të shumtë dhe bashkëpunimi duhet të rritet. Pres që brezat e rinj të shpërthejnë”, përfundoi ai.
Libri po ashtu përmban edhe portretet e kompozitorëve shqiptarë, si dhe është i plotësuar me rubrika mbi etnomuzikologjinë, muzikologjinë si dhe historinë e institucioneve kryesore në Shqipëri. /KultPlus.com