25 Mars, 2025 - 6:31 pm
Vjollca Duraku
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, mbrëmë është promovuar libri “Kohë kurorash” nga autoret Mirlinda Ahmeti, Shqiponja Vokshi, Shukrie Morina dhe Lona Kadriu, i cili sjell rrëfimet personale të katër autoreve të përjetuara në luftën e fundit në Kosovë.
Libri “Kohë Kurorash” i takon zhanrit dramë-romancë, që ngërthen rrëfime autentike të detajuara që shpërfaqin vështirësitë e luftës dhe triumfit të lirisë, duke pasqyruar historitë e dashurisë e të sakrificës që kanë karakterizuar jetët e shumë çifteve kosvare në atë kohë.
Prurja e këtij libri i cili erdh në 26 vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake serbe, është vlerësuar lartë në panelin diskutues për faktin se vuajtjet e popullit shqiptar janë dëshmuar edhe njëherë, por në këtë rast prej një këndvështrimi tjetër, prej vuajtjeve të të rinjve për mbijetesë. Rrëfimet në libër janë ngjarje tërësisht të vërteta, ku katër autoret shpjegojnë për dashurinë, frikën, vuajtjet.
Disa fragmente të lexuara në mënyrë mjeshtërore nga artistja Vlora Merovci dhuruan emocione të bukura, të thella, trishtuese dhe ngadhënjimi. Ndërkaq, Kori “Lira” me dy interpretime u kujdes që ngjarja të ketë edhe karakter artistik.
Pjesë e ceremonisë promovuese ka qenë edhe Ministrja e Arsimit, Arbrije Nagavci, e cila e ka çmuar lartë iniciativën për botimin e këtij libri.
“E veçanta e këtij aktiviteti është sepse nuk është vetëm një promovim libri, por një promovim libri i katër autoreve, i katër grave të cilat kanë botuar veprën e tyre të parë. Kështuqë, janë shumë arsye për t’i uruar për librin dhe për t’iu dëshiruar shumë suksese më tutje. Besoj shumë që ky roman që promovohet sot do të jetë një mundësi e mirë për të zbukuruar jetën e atyre që do të kenë rastin ta lexojnë. Urime për librin, ju dëshiroj vazhdimësi edhe për shumë vepra të tjera”, ka thënë Ministrja Nagavci.
Ndërkaq, Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, duke iu referuar thënies së Karl Jaspers-it “Nuk ka liri pa kujtesë”, ka thënë se romaneve dhe studimeve të ndryshme lidhur me betejat dhe strategjitë e luftës iu ka munguar misioni human i rishikimit të historisë.
”Ne si Drejtori e Kulturës jemi jashtëzakonisht të lumtur që ky roman botohet prej katër grave, katër perspektivave të ndryshme, që në fakt jo rastësisht prek një dimension shumë të rëndësishëm siç është “Kohë Kurorash”, i cili lidhet kryesisht me jetën në çift dhe me mënyrën se si autoret i kanë përjetuar rrëfimet dhe ngjarjet e ndryshme. Unë ju përgëzoj dhe besoj që kjo vepër nuk do të jetë e vetmja, por do të jetë vazhdimësi e shumë veprave të ndryshme”.
Tutje, Drejtoresha Halimi ka thënë se libri do të jetë një referencë e rëndësishme për të gjithë historianët për perspektiva që lidhen me të kaluarën, pasi sipas saj libri nuk ka të bëj vetëm me luftën, por ka të bëj edhe me përditshmërinë.
Kurse, iniciatorja e librit Mirlinda Ahmeti duke shpjeguar idenë dhe përmbajtjen e librit “Kohë Kurorash”, botimin e ka cilësuar si triumf për katër autoret dhe të gjitha gratë asaj gjenerate që kanë përjetuar gjëra të ngjajshme.
“Mendoj që libri ngërthen memorie kolektive. Ne jemi katër autoret e librit, por me siguri do të mund të kishin qenë shumë më shumë gra të tjera pjesë e tij, meqenëse janë paraqitur tre periudha: e paraluftës, e luftës dhe pasluftës. Secili në mënyrën e vet ka përjetuar sfida, por në këtë libër përshkruhet edhe vullneti dhe dashuria për të arritur diçka edhe në aspektin intelektual dhe shoqëror. Këtë triumf, mendoj që ne autoret e librit e kemi arritur, normalisht edhe shumë gra të gjeneratës tonë, që kanë përjetuar sfidat tona, e ndoshta edhe gjëra më të rënda se ne”.
Autorja Ahmeti gjithashtu ka thënë se ideja kryesore ka qenë të paraqitej fuqia gjeneruese e rinisë shqiptare, të cilën fuqi sipas saj do duhej ta kishte zili tërë bota.
“Praktikisht kemi menduar që jemi një popull i vuajtur, por ideja ka lindur asisoji që nuk duam ta pranojmë që jemi më popull i vuajtur, miegjithëse të kaluarën nuk duhet ta harrojmë. Pra, kemi dashur ta tregojmë një perspektivë ndryshe. Edhe pse kemi vuajtur me gjenerata parap se prap kemi arritur të ekzistojmë. Se çfarë kemi kaluar është çudi se si ekzistojmë”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa, Drejtoresha e Mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti ka çmuar lartë vullnetin e autoreve, të cilat sipas saj paraqesin në mënyrë faktike një pjesë të dhimbshme të së kaluarës së popullit shqiptar.
“Është për t’u përgëzuar vullneti i tyre për të shkruar këtë libër dhe për t’i ndarë rrëfimet personale, duke e pasur parasysh që asnjëra nuk vjen nga fusha e letërsisë. Të katërtat janë nga sektori i ekonomisë, por me vullnetin e tyre kanë vendosur ta dokumentojnë një pjesë shumë të dhimbshme të historisë sonë”, ka thënë Drejtoresha Pajaziti.
Më tutje, Drejtoresha Pajaziti ka thënë se është fascionuar me idenë e librit qysh nga koha kur iniciatorja e librit ia kishte prezantuar idenë e projektit.
“Jam fascionuar nga propozimi i Lindës për arsye se ky libër shfaq jetë dhe dashuri, përkundër vuajtjeve që i kanë hasur katër autoret dhe jo vetëm, sepse në këtë rast ato janë zëri i popullit tonë. Në librat e luftës gjithmonë më kanë fascionuar pjesët ku ka jetë, ku ka lindur një fëmijë, ku ka lindur dashuria sepse pikërisht këto janë mesazhe dhe shembuj se pavarësisht errësirës që mund të ketë një shoqëri e caktuar jeta vazhdon. Pikërisht ky libër e argumenton këtë. Sot, është 26- vjetori i bombardimeve dhe në këtë dhomë jemi kaq shumë kaq figura të ngritura në dimensione të ndryshme. Edhe pse të reja, në lidhje të hershme, këto gra e kanë argumentuar që mund të ia dalin edhe në aspektin familjar edhe në atë profesional, sepse secila është ngritur në pozita të ndryshme në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo.
Kurse, Arbër Selmani ka thënë se botimi i librit “Kohë Kurorash” skenës vendore i ka shtuar edhe katër tregimtare.
“Nuk është libër akademik, dhe më vjen mirë që nuk është i tillë, sepse kur flasim për përvojat njerëzore na nevojitet një shtrirje sa më reale. Më vjen mirë që është një libër i shkruar nga katër gra. Lufta nuk ka qenë as romantike e as ekzotike, as nuk do të ishte dashur të romantizohej, ashtu si nganjëherë ndodh. Lufta ka qenë luftë, ka qenë viktima me të cilën filloi fragmenti, kështuqë ky libër patjetër që do të ishte dashur që patjetër t’i tejkalonte përmasat e këtij promovimi, sado që jemi gjithë këta njerëz të buzëqeshur këtu. Ndoshta pas promovimit do të mund të shkojmë në ambientet e shtëpive tona dhe të reflektojmë, sepse nuk mendoj që ka për të qenë lexim i lehtë dhe lexim i buzëqeshur, por ka për qenë e kundërta e kësaj”, ka thënë Selmani.
Ndërkaq, Sara Kelmendi ka thënë se i kishte lënë përshtypje guximi dhe vullneti i autoreve për të ndarë pjesë të rëndësishme të jetës personale në publik.
“Mirëpo, një pjesë e gjeneratës tonë e gjejmë veten në tregimet e secilës, sepse e kemi përjetuar pak a shumë njësoj aparteidin social, ekonomik e kulturor në vitet e ‘90-ta nga regjimi millosheviqian, helmimet në shkolla, frikën, pasigurinë, dashurinë, humbjen, luftën, eksodin, bombardimet dhe lirinë. Pra, jemi pothuajse të gjithë pjesë e nji memorie kolektive që ka ndodhë vetëm para 30-35 viteve. Po e vendos tash theksin në rëndësinë që tregimet nga autoret femra kanë në formimin e këndvështrimeve të ndryshme dhe pasurimin e letërsisë, sepse ato pasqyrojnë përvojat, betejat dhe triumfet e tyne në shoqëri, ku kjo perspektivë është ma pak prezente, ka thënë Kelmendi.
Më tutje, Kelmendi ka thënë se autoret sfidojnë stereotipet, frymëzojnë ndryshime dhe krijojnë hapësirë për gjeneratat e reja që ta shohin veten më të përfshirë.
“Rëndësia e tregimeve nga autoret femra mund të shihet në ndikimin e shkrimtareve bashkëkohore, si: Marjane Satrapi, Chimamanda Ngozi Adichie, Margaret Atwood dhe Elena Ferrante, ku ato sfidojnë normat shoqërore, nxjerrin në pah pabarazitë gjinore dhe u japin zë përvojave femërore që janë anashkaluar prej kohësh”, ka thënë Kelmendi.
Ndërsa, Shukrije Morina- autore e librit, përvojën personale për të finalizuar librin e ka cilësuar si përvojë sfiduese.
“Ka qenë vështirë, sfiduese emocionalisht, mirëpo gjithsesi e fuqishme dhe shumë autentike. Ka qenë sfiduese sepse jemi kthyer pas në momente që kanë pasur edhe anën e mirë, por edhe frikën. Pra, janë ngërthyer të gjitha në një vend. Është dashur të kthehemi 26 vite pas, por e mira ka qenë se tashmë ne jemi bashkë, kemi krijuar familje, kemi fëmijët përreth dhe po i kujtojmë kohët tona kur kemi pasur ndarje, si momentet kur për një muaj e gjysmë nuk e kemi ditur nëse partneri ekziston. Ka pasur edhe momente të mira kur jemi bashkuar dhe jemi parë. Ka qenë shumë sfiduese. Ka pasur shumë emocion, mirëpo me të vërtetë është shumë e vlefshme”, ka thënë Morina.
Kurse, autorja Lona Kadriu ka thënë se libri përmban datat dhe ngjarjet kryesore të asaj periudhe, duke potencuar që në ndonjë projekt tjetër do të mund të përfshijnë edhe më shumë detaje.
“Drafti i parë ka mbetur realisht, por duke u munduar t’i përfshijmë të gjitha momentet ka qenë e pamundur. Jemi munduar që esencën dhe datat e rëndësishme t’i vendosim sepse ka gjithmonë për të shtuar edhe shumë elemente dhe momente të ndjeshme, që do të ishte mirë t’i vendosnim aty. Kështuqë, besoj që datat e duhura dhe që janë më speciale, e që duhet të mbahen në mend janë të përfshira aty. Asnjëherë asgjë nuk është perfekte, nuk është finalizuar ashtu si di të doja me qenë. Besoj që herën tjetër do të përfshihen më shumë tema ose ngjarje”, ka thënë Kadriu.
Ndërkaq, Shqiponja Vokshi ka thënë se ky projekt i ka dhënë ndjesi të veçantë kënaqësie, për faktin se ka bërë diçka për veten e saj, ndryshe nga zakonisht kur ajo i dedikohet familjes dhe të tjerëve.
“Kënaqësia më e madhe ka qenë që këtë libër e kam bërë për vete, gjë të cilën kam dashur gjithmonë ta bëj. Kam shkruar në momente kur kam qenë më down, mirëpo kanë qenë copëza të shkurtëra që nuk kanë pasur lidhje me këtë pjesë. Të shkruarit e kësaj pjese definitivisht ka pasur shumë emocion. Ka ndodhur që e kam mbyllur dhe nuk jam kthyer një muaj. Kur jam kthyer nuk kam guxuar të shikoj çka kam shkruar, veç kam vazhduar. Vazhdimisht ka pasur emocione, momente që kanë pasur më shumë trishtim, momente të cilat prap i ndjejmë, në secilën situatë që krijohet në rast të ndonjë tollovie. Mirëpo, ka qenë kënaqësi kur unë e kam mbyllur dhe kam thënë që tash diçka kam bërë për vete”, ka thënë ajo.
Në fund, është paralajmëruar edhe realizimi i një filmi dokumentar lidhur me këtë aspekt të veçantë të luftës së fundit në Kosovë./ KultPlus.com