31 Maj, 2023 - 9:24 am
Në një ambient të ngrohtë librash, mbrëmë u promovua libri “Lindur së prapthi” i autores Rita Petro, në librarinë Dukagjini, shkruan KultPlus.
Rita Petro në një bashkëbisedim me Ag Apollonin, bëri prezantimin e romanit të saj të parë “Lindur së prapthi”, i cili në përmbajtje është autofiksion, autobiografik, një roman që është ndërlidhje në mes të biografisë dhe fantazisë.
Prezantimin e filloi profesori universitar Ag Apolloni, me një bashkëbisedim dhe pak shaka para të ftuarve, duke i relaksuar të pranishmit dhe duke bërë pyetje ndaj autores së librit.
Më tej në këtë promovim u tha se libri “Lindur së prapthi”, është një libër autobiografik, montazh, me një mister të paqartësisë për lexuesin se çka është duke vepruar personazhi, apo se kush është personazhi.
Libri u vlerësua si mjaft provokativ për imagjinatën e lexuesit, i cili e trajton temën e komunzimit, jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por nga margjina.
Në subjektin e tematikës, libri përmban një vajzë të vogël e cila ka lindur mbrapsht, ecën mbrapsht, me duar në vend të këmbëve, dhe kur fillon të ecën mbarë, fillon të bëjë mbrapshtira për shoqërinë. Këtu jepet një pasqyrë për komunzimin. Çka është komunizmi, ç’bën ai, për të rinjët, për të moshuarit dhe i bën një përmbysje ironike kanunit etik të tij. Një roman me një perspektivë të re, një perspektivë femërore.
Në libër gjithashtu flitet edhe për autorët që nuk konkurronin me gjininë mashkullore për shkak të mentalitetit dhe për përmbysjen e regjimit i cili mudësoi të shfaqej zëri femëror.
Rita Petro gjatë bashkëbisedimit, gjithshtu foli për lirizmin dhe erotizmin e shprehur në vepër. Ndër të tjera, ajo përmendi kohën e vështirë për letërsinë në Shqipëri gjatë komunizmit.
“Shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera ishin një hap më përpara sa i përket letërsisë. Në Shqipëri, në kohën e diktaturës ishte e ndaluar letërsia moderne. Andaj më erdhi natyrshëm ta shkruaj këtë libër”, ka thënë autorja Petro.
Ndërsa profesori, Ag Apolloni duke dashur të shpreh admirimin për autoren tha se Petro gjithmonë ka trajtuar tema të mira, dhe se proza është ajo që i ka shtuar admirimin edhe më shumë për të.
“Si poete gjithmonë na ka ëmbëlsu me tema të mira, por tash edhe prozatore, më pëlqen edhe më shumë”, ka thënë Apolloni.
Përndryshe Rita Petro, është poete nga Shqipëria, e cila mbrëmë bëri prezantimin e librit të saj, romanit të parë, “Lindur së prapthi”, mes të figurave të ndryshme nga fusha e letërsisë, artit dhe kulturës./KultPlus.com