31 Janar, 2025 - 12:28 pm
Në hapësirat e librarisë “Dukagjini”, u promovua libri “Lugina e lumit Issa” i autorit Czesław Miłosz, me përkthim nga Romeo Çollaku, botuar në kuadër të kolanës “Effugium” – projekt i mbështetur nga Evropa Kreative.
Panelistët Blerim Latifi, profesor i filozofisë dhe i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Durim Abdullahu, historian dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, vlerësuan lart librin, por dhe rolin e autorit Miłosz në letërsi.
Profesori i filozofisë dhe i sociologjisë, Blerim Latifi, theksoi se është tejet e rëndësishme të pasurohemi kulturalisht me një vepër të mbushur me refleksion filozofik nga një autor që ka fituar çmimin Nobel për letërsi. Ai, po ashtu, theksoi se fryma e këtij romani është ndjenjë malli – trishtim për humbjen e atdheut.
I po këtij mendimi qe edhe historiani Durim Abdullahu, i cili e vlerësoi autorin Czesław Miłosz – një profil prej intelektuali, të shumëangazhuar, por jo vetëm në letërsi.
Panelistët, po ashtu, çmuan lart kontributin e shtëpisë botuese “Dukagjini” për përkthimin dhe promovimin e kulturës evropiane në gjuhën shqipe./KultPlus.com