21 Qershor, 2019 - 2:32 pm
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, është promovuar libri “Magjia e ligjërimit, intervistë me poetin dhe profesorin Agim Vinca” i studiuesit Miftar Kurti, që është libri i pestë në korpusin e tij.
Në këtë libër, profesori Agim Vinca si i intervistuar rrëfen për jetën dhe veprimtarinë e vet, që nga fëmijëria deri në ditët e sotme.
Para audiencës së mbledhur foli, ku ishte prezent edhe profesori dhe protagonisti i librit Agim Vinca, recensenti i librit Mehmet Hajrizi, tha se Vinca është njëri nga intelektualët e kompletuar shqiptar.
“Lënda e këtij libri është një intervistë e gjatë me profesor Agim Vincën, studiues, poet kryengritës, kritik, përkthyes, autor i tridhjetë veprave në krijimtarinë e tij të gjatë. Me këtë intervistë dinamike, dhe me pyetjet e shumta dhe të mençura, Miftar Kurti, e ka nxjerr informacionin e duhur nga i intervistuari. Të pyesësh është e vështirë, sepse duhet të kesh njohuri për atë që pyet. Autori Kurti e ka ndarë librin në shtatë kapituj, secili më interesant se tjetri, me një nivel të lartë, kurse fundi i librit është skalitur me albumin cilësor fotografik.
Kurti ka arritur t’i ngris në art pyetjet e tij dhe libri është strukturuar me kujdes profesional, në harmoni me përmbajtjen” tha Hajrizi, derisa profesori Fazli Hajrizi e ngriti lart figurën e Vincës, e po ashtu përgëzoi autorin për librin.
“Si studiues, publicist, e profesor universiteti, Agim Vinca ishte gjithmonë i etshëm për dije, kaloi nëpër të gjitha fazat e studimit, mori gradën magjistër e doktor shkence. Ai nuk është pajtuar asnjëherë me konjukturat politike dhe në jetë gjithmonë ka kundërshtuar padrejtësitë dhe ka mbajtur anën e popullit” tha ai.
“Magjia e ligjërimit” është botuar nga Shtëpia Botuese “Artini” dhe është dhënë falas për të gjithë pjesëmarrësit. /KultPlus