Promovohet libri ‘Mrikë, Jeta ime’ nga autori Martin Çuni, vlerësohet prurje e fuqishme që shpreh heroizmin e heshtur të gruas shqiptare

16 Nëntor, 2024 - 5:15 pm

Vjollca Duraku

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery sot është promovuar libri i 17-të i autorit Martin Çuni, “Mrikë, Jeta ime”, në të cilin janë të përmbledhura letrat e autorit  drejtuar bashkëshortes dhe fëmijëve të tij nga burgu i Prishtinës, Prokupjes dhe Nishit.

Autori Çuni ka qenë nëpër burgje për plotë nëntë vjet, dhe vetëm gjatë tre viteve të fundit i është lejuar lapsi dhe letra. Këto letra të shkëmbyera me familjen e tij autori ka arritur t’i fshihte në parkun e oborrit në pavijonin e lirë të burgut të Nishit, pranë një lisi, të futura në një enë plastike në dhe, e të cilat me një vendim të guximshëm autori arriti t’i tërhiqte natën, tre muaj pas lirimit.

Kjo vepër është cilësuar si e goditur, botimi i së cilës ka qenë borxh ndaj gruas shqiptare, që shpeshherë në histori ka qenë heroinë e heshtur e popullit shqiptar, duke qenë e përvuajtur por gjithmonë besnike në kohëra të vështira ndaj burrave të tyre dhe popullit shqiptar.

Moderuesja Vera Pelaj ka hapur ngjarjen e cila pati shumë të pranishëm, ku edhe dha një prezanitim të shkurtër të librit.

“Nga ata tri vite, rezultati është edhe libri që po përurohet sot, që bashkangjitur ka edhe faksimilet e atyre letrave, të cilat me guxim dhe shumë urtësi, arriti t’i nxjerr nga dheu ku i kishte fshehur”, ka thënë moderuesja Vera.

Ndërsa, recenzentja  Shukrije Gashi ka thënë se kapitujt e librit, të ndarë në katër pjesë, paraqesin një mozaik të fortë për dashurinë dhe lidhjen mes çiftit, ku Mrika është simbol i forcës dhe besnikërisë së grave shqiptare.

“Ky libër përmban një letërkëmbim kurrë të hasur më parë në letrat shqipe, të një dashurie kulminante mbrumur me binomin e dyzuar ndaj njeriut dhe atdheut, të ndjerë mes autorit dhe gruas së tij, që eksploron thelbin e përvojës njerëzore, veçanërisht në kontekstin e rrethanave të skëterrës së burgut” ka thënë Gashi, duke treguar më tuje përmbajtjen e letrave të librit.

“Letrat të mbushura me dashuri dhe mall tregojnë një histori që shpreh fuqishëm ndjenjat e autorit për gruan e tij, përballë distancës së largët fizike dhe gjeografike. Ai e inkurajon atë të gjej lirinë e saj, por ajo e zhytur  në dashurinë e çiltër ndaj njeriut të dashur, i mbetet besnike atij, pavarësisht vuajtjeve dhe sëmundjes së rëndë me vite, që ajo kalon si grua e një të burgosuri politik, të kohëve të thyerjeve më të rënda politike të viteve të 80-ta”, ka thënë ajo.

Recenzentja Gashi më tej ka thënë se ky krijim artistik në formën më sublime shpërfaqë dashurinë e tyre, përmes sakrificave dhe angazhimit të thellë të gruas për familjen dhe atdheun.

“Në letrën e tij të fundit, autori shpreh vuajtjet e tij dhe dëshirë për t’u lidhur me gruan dhe fëmijët duke theksuar se jeta e tij është e boshatisur pa ta. Ai shpreson se do të vijë një ditë kur do të jenë së bashku, duke festuar dashurinë e tyre përmes kujtimeve dhe ëndrrave”, ka thënë Gashi.

Kurse, panelisti Ali Berisha ka thënë se në letrat e shtypura, krahas atyre të shkruara me dorë janë dhënën kujdesshëm me një gjuhë të rrjedhshme edhe visaret popullore, duke e ngritur librin edhe në nivel të lartë artistik.

“Martini Mrikën e quan herë-e nderuar, e herë e dashur, ndërsa i nënshkruan letrat me “I juaji Martini” dhe “I yti Martini”. Kur i drejtohet me “e nderuara” Martini sikur e shtyen Mrikën të veproj drejt një jete që do t’i ofronte lumturi më të madhe, ndërsa kur i drejtohet “e dashura”, e ndjenë ta ketë pranë, ta dojë e ta adhurojë.  Me thënien “I juaji Martini” kuptojmë se bëhet fjalë për tërë familjen, ndërsa me “I yti Martini” është vetëm i saj dhe për të shkruan edhe vargje”, ka thënë Berisha.

Recenzenti Berisha më tej ka ndarë edhe copëza origjinale të letrave të cilat gjenden në libër.

“Martini shpesh letrat i shkruan me humor si në letrën e 11. 12. 1985, kur e pyet Mrikën nëse e kishin thirrur dajtë në dasmë. Po të më kishte thirrë, nuk e kisha lënë pa ardhur. Sikur të mos kishte qenë i mbyllur në shtatë dryna. Nganjëherë letrën e thur në mënyrë poetike “Ja që vitet ppo shkojnë si uji i turbullt  i lumenjve të rrëmbyer… pastaj- ta them të vërtetën, kam një zbrazëtirë për ty se nu je mirë me shëndet, e po  të mos ishte ajo, tash e tutje do të më bëhej zemra mal. E ku të mos më bëhet, kur Agroni sivjet bëhet shkollar, e pastaj fillon edhe Teuta”.

Ai më tej ka thënë se Martinit i lumtë penda e guximi, sepse pa pasur guxim letrat do të kalbeshin në burg e nuk do të ishte ky libër.

Më tej, mbesa simpatike e autorit Martin Çuni,  Bjeshka Çuni, i ka recituar me plotë emocion dy poezi të gjyshit të tij.

Ndërsa autori Martin Çuni i ka falënderuar të gjithë miqtë e tij të cilët ishin të shumtë në këtë promovim me një fjalim të shkurtër dhe më pas i prezantoi edhe disa barcoleta me të cilat i bëri të qeshnin të gjithë.

Një fjalë rasti e mori edhe miku i tij, Avni Dehari i cili e çmoi shumë librin e sapo botuar, e i cili sipas tij në mënyrë të veçantë paraqet moralin, qëndresën, e dinjitetin e gruas shqiptare.

“Nga fjalët që i dëgjova, kuptoj se kemi të bëjmë me një libër shumë të rëndësishëm për arsye se letrat të cilat janë të përfshira dalin nga burgu, ku pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë kanë kaluar pjesën më të mirë të jetës së tyre. Por, që ta marr fjalën më provokoi Titulli i librit “Mrikë, Jeta ime”. Ata që nuk do ta lexonin librin do të mendonin që ka të bëj me dy të rinj, ku i dashuri i drejtohet të dashurës, që është shumë normale me fjalët “jeta ime”. Këtu me fjalët që dëgjova, erdha në përfundim se përpos dashurisë që shpreh Martini më shumë shpreh respektin për moralin, qëndresën, dinjitetin e saj. Dhe nga ky libër sikur del porosia për të gjithë ata që merren me shkrime letrare konkretisht me poezi që për besnikërinë e gruas dhe për nderin e saj të mos të shkojnë në antikë te Penelopa, por le t’u drejtohen bashkëshorteve të burrave tanë që kanë kaluar jetën nëpër burgje”, ka përfunduar Dehari.

Martin Çuni ka lindur në Ujz të Hasit më 1948, dhe është rritur në Keqekollë të Gallapit të Prishtinës. Ai ka punuar në  redaksinë për fëmijë në RadioPrishtinë. Gjithashtu, ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme