Promovohet libri ‘Një kosovar si Radomiri’, Dimiq: Kam kryer obligimin tim qytetar ndaj Kosovës

13 Mars, 2025 - 12:48 pm

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, është promovuar libri “Një kosovar si Radomiri- Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”, nga Radomir Dimiq, emër i njohur në politkë, gazetari e shoqëri civile, shkruan KultPlus.

Në librin “Një kosovar si Radomiri” janë të përmbledhura disa nga shkrimet dhe intervistat që Dimiq i ka bërë për mediat kosovare në gjuhën shqipe, të botuara ndër vite në gazeta të ndryshme si”: Koha Ditore, Info Press, Zëri, Ekonomia Online, Kosova Press dhe Kosova Sot.

Gjatë ceremonisë promovuese u tha se Radomir Dimiq ka qenë i njohur edhe si drejtues ndërmarrjesh shtetërore para luftës në Kosovë.  Ndërkaq, tash e 25 vite  ai me vullnet, e pa frikë angazhohet publikisht për një shoqëri kosovare të pandarë, për një shoqëri që sheh nga e ardhmja, por nuk e harron të kaluarën.

Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit të tij librin e cilësoi si testament të guximit, të së vërtetës dhe të shpirtit të pathyeshëm të njeriut.

“Radomir Dimiq ishte një emër i dalluar në politikë e në gazetari, por edhe një njeri që guxoi të sfidonte narrativat e kohës, të ngrinte zërin kur shumëkush heshti dhe të shihte Kosovën me sy dhe zemër të hapur. Ky libër përmbledh shkrimet e tij, rrëfimet dhe bindjet e tij, angazhimin dhe betejën e tij për drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin”, ka thënë kryeministri Kurti.


Kryeministri Kurti gjithashtu ka thënë se angazhimi i Dimiq nuk ishte i lehtë, pasi Dimiq pagoi çmimin e guximit të tij duke u shpallur tradhtar në Beograd dhe duke u sulmuar nga strukturat nacionaliste shtetërore dhe para-shtetërore, para të cilave ai nuk u ndal kurrë.

“Ai kërkoi që Serbia të pranonte përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, që të ndalej propaganda që i ndante komunitetet dhe që të hapeshin rrugët e pajtimit. “Serbia duhet të kërkojë falje për frigoriferët me kufoma shqiptarësh, për dhunimin e grave” – shtonte ai”, ka thënë kryeministri Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti tha se libri “Një kosovar si Radomiri” është një përmbledhje tekstesh që i sfidon të gjithë, duke pyetur se çfarë bëhet me të vërtetën, se a do të vazhdohet me heshtje para padrejtësive apo të ngrihet zëri në shoqëri?

“Shkrimet e tij janë dëshmi e një njeriu që nuk u nënshtrua kurrë. Ai nuk e mohoi asnjëherë realitetin e dhimbshëm, por u përpoq ta ndryshonte atë. Ai e dinte që pajtimi nuk mund të ndodhë pa drejtësi dhe që drejtësia nuk është hakmarrje, por një akt përgjegjësie, qytetërimi dhe reflektimi”, ka thënë Kurti, duke potencuar se guximi për ta thënë të vërtetën nuk është i shpeshtë, ashtu skurse guximi për ta dëgjuar seriozisht atë.

“Shumica e njerëzve duke sfiduar bëhen të guximshëm por përshtypja ime për Radomirin është që, ky sfidon për shkak se është i guximshëm”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërkaq, Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Agron Bajrami ka thënë se libri është përmbledhje shkrimesh ku evidentohet konsistenca dhe vendosmëria e Dimiq në qëndrimet e tij, të nxjerra para publikut si gjithherë me fjalë të qarta e pa ekuivoke. Botimin e librit “Një ksovar si Radomiri” e ka cilësuar si një publikim me rëndësi të madhe.

“Bëhet fjalë për një libër dëshmi që risjell fjalët e shkruara nga një autor, gazetar dhe aktivist serb i Kosovës që është kritik i hapur, i pa kompromis, konsekuent i politikave anti-kosovare dhe anti-shqiptare të liderëve dhe elitës intelektuale të Serbisë ndër dekada duke filluar nga Millosheviq, Akademia e Dobrica Qosiq e deri tek Vuqiq, Dodiku dhe elita e sotme politike dhe intelektuale në Serbi, e cila fatkeqësisht mbetet e kapur nga idologjia serbomadhe dhe shqiptarourrejtëse”, ka thënë ambasadori Bajrami, duke potencuar se në të gjitha shkrimet dhe deklarimet e tij, Dimiq, jo vetëm që ekspozon këtë realitet idologjik dhe politk të serbisë por edhe del hapur kundër tij.

“Nxjerr në pah helmin racist që vlon në lëkurën e retorikës politike të shteti serb dhe lidërve të tij, ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës. Në këtë kuptim shkrimet e tij janë antidot i këtij helmi. Ai po ashtu hedh dritë mbi errësirën ku qëndrojnë të heshtur ata që janë kapur peng nga politika zyrtare e Serbisë në Kosovë. E, ky është komuniteti serb i Kosovës, sepse Dimiq në esence është një kryqtar në betejë për të shpëtuar komunitetin e tij nga kthetrat e pushtetarëve nacionalist e militant në Beograd, të cilët këtë komunitet e keqpërdorën dhe vazhdojnë ta keqpërdorin e sakrifikojnë për ta luftuar Kosovën e lirë, demokratike dhe evropiane”, ka thënë ai.

Sipas ambasadorit Bajrami, në këtë kryqëzatë të Dimiq kundër politikës agresive antishqiptare të shtetit serb, arma kryesore e tij është fjala e lirë, dhe e vërteta e plotë. Sipas Bajramit shkrimet e Dimiq, të hartuara me saktësinë e një gazetari dhe pasionin e një aktivisti e qajnë dhe shpërndajnë mjegullën e urrejtjes zyrtare ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Ky libër, ky rrëfim i Radomirit dhe për Radomirin është relevant jo vetëm për Kosovën dhe bashkejtesën shqiptaro-serbe në Kosovë, në Kosovën e Pavarur Demokratike dhe Evropiane, mendoj se rrëfimet si ky duhet përquar tutje dhe shpresoj se së shpejti do të mund t’i kemi këto shkrime të publikuara edhe në gjuhën serbe, angleze, franceze, italiane, spanjolle, gjermane etj, sepse fjala e lirë e Radomirit që sjellë të vërtetën për Kosovën përmes syve të tij, është e vërtetë që flet qartë pa ekuivoke e ambiguitete. Kjo është ajo për çka kemi nevojë sot”, ka thënë ai.

Ndërsa, Radomir Dimiq në fjalën e tij, ka thënë se ky libër është biografia e tij kundër luftës dhe obligimi i tij qytetar ndaj Kosovës.

“E falenderoj gazetën Koha Ditore, Info Pres, Ekonomia Online, Kosova Sot dhe të gjithë të tjerët që morën pjesë në publikimin e shkrimeve të mia. Ky libër sqaron hapësirën e lirisë, është biografia ime kundër luftës, rezistenca ime, e vërteta, drejtësia, solidariteti dhe mospranimi ndaj gënjeshtrave. Ky është obligimi im qytetar ndaj Kosovës, dhe falënderimi i tij për ata që e kanë përhapur në një kohë të trishtueshme, gjatë viteve të 90-ta të regjimit kriminal të diktatorit Slobodan Milošević”, ka thënë Dimiq, i cili në fund të ceremonisë ka recituar vargjet e poezisë “Mëmëdheu”, të Andon Zako Çajupit.

Promovimin e librit “Një kosvar si Radomiri” e ka mundësuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Integra”, “Rockefeller Brothers Fund” dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

Të ngjajshme