17 Dhjetor, 2018 - 8:00 pm
Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi” në Malishevë, të shtunën në Sallën e Kuvendit në Malishevë organizoi promovimin e librit “Rrëfime në kohë lufte”, të autorit Izet Shala. Ky është libri i pestë i tij ndërsa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Libri u vlerësua për gjetjen dhe qasjen e mirë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Për autorin foli kryetari i komunës, Ragip Begaj, i cili tha se “Izet Shala gjithmonë ka shkru, në luftë dhe pas lufte”.
Fjalë të mira pati edhe zëvendësministri i MKRS-së, Rexhep Mazreku, i cili tha se “ShKL ‘Tafil Kelmendi’ në Malishevë po bën punë të mirë duke mbajtur sesione shkencore, funizim bibliotekash dhe përurim librash në të mirë të kulturës”.
Ndërsa për librin folën edhe ata që ndihmuan që libri të dalë sa më i plotë. Lektori i librit, Qëndrim ndër të tjera tha: “Monografia “Rrëfime në kohë lufte” i autorit Izet Shala duhet të lexohet edhe si ngjarje e madhe, si dramë jetësore dhe si gjetje shumë e mirë e autorit, i cili është njëjtësuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe na ka paraqitur sfidat dhe vështirësitë që iu shtruan Kosovës gjatë viteve 1998-1999. Në këtë libër autori ia ka dhënë një homazh UÇK-së dhe të gjithë personazheve që kanë kontribuar për liri e pavarësi nga okupatori “.
Ndërsa shkrimtari, Mehdi Krasniqi, tha se “Në librin “Rrëfime në kohë lufte”, rrëfimet e autorit janë të përditshme, flasin për organizimin e luftës, zhvillimet politike në vend dhe rajon, dëbimin e popullatës, intervenimin ushtarak të NATO-s, përfundimin e luftës, hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë dhe kthimin e popullatës në shtëpitë e tyre”./ KultPlus.com