Promovohet libri ‘Shqiptarët dhe Serbët’, shpërfaqet e vërteta kundrejt trillimit

20 Qershor, 2024 - 8:38 pm

Vjollca Duraku

“Nuk ka zot më të lartë se e vërteta” – është një thënie e Mahatma Gandit të cilën autori Shyqri Nimani e ka përdorur si pikënisje në librin “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës”, i cili post-mortem u promovua në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky libër, i teti me radhë i autorit Nimani, i cili erdh plot një vit pas vdekjes së tij shpërfaqë argumente me fotografi, dokumente e harta të papublikuara më parë për autoktoninë shqiptare, kundrejt miteve dhe trillimeve serbe të cilat përgjatë historisë me planifikim synonin rrëmimin e historisë, kulturës dhe etnisë shqiptare.

Siç u tha në promovim vet titulli i librit “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës”, parathotë një ballafaqim në mes të fakteve historike dhe trillimeve mitologjike të cilat përbëjnë thelbin e ideologjisë shtetërore të pushtimit dhe të asgjësimit të tjetrit, në këtë rast të popullit serb ndaj shqiptarëve.

Profesori  Jusuf Buxhovi ka thënë se autori Nimani i paraqet raportet në mes të vërtetës faktike dhe asaj që është gënjeshtër, mbi përvetësimin serb.

“Ky libër është vazhdimësi e punës së gjatë të Shyqri Nimanit për ta pasqyruar një të vërtetë të fshehur apo një të vërtetë të përvetësuar nga politika hegjemoniste serbomadhe në planin historik dhe kulturor”, ka thënë Buxhovi duke potencuar se shteti i Kosovës duhet ta shpërndaj sa më shumë këtë libër mënyrë që t’i përgjigjet propagandës të cilën po e bën Serbia, veçmas në planin e rrënimit të historisë dhe kulturës shqiptare.

“Unë them se e vërteta absolute dhe e vërteta të cilës i referohet Shyqyri Nimani është aspekt moral. Raportet shqiptaro-serbe nuk kanë qenë raporte morale, por kanë qenë raporte hegjemoniste, raporte në mes të viktimës dhe viktimizuesit, raporte në të cilat më së paku ka pasur moral. Prandaj këtu mund të merret edhe një asimetri në aspektin e të drejtës politike dhe të drejtës ndërkombëtare, sepse sipas këtij libri Nimani i thotë të vërtetat kundër të pavërtetave. Esenca është viktima kundër viktimizuesit. Viktimë është kultura shqiptare dhe historia shqiptare prej gjysmës së dytë të shek. XIX”, ka thënë Buxhovi.

Ndërsa poeti Lulzim Tafa autorin Shyqri Nimani e quajti personalitet të respektuar, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.

“Në artin, historinë, shkencën dhe përgjithësisht kulturën shqiptare prof. Shyqyri Nimani është ndër emrat më të rëndësishëm dhe më të respektuar. Nimani është studiues që kulturës shqiptare i la një pasuri të madhe të veprave të ndryshme shkencore dhe artistike. Është autori që me punën e tij të palodhshme bëri shumë për të rigjetur dhe për të rizbuluar edhe personalitete të njohura botërisht që patën gjak e rrënjë shqiptare”, ka thënë Tafa duke potencuar se tendencës së serbëve për të përvetësuar figurat të shquara shqiptare, Nimani iu është kundërvënë përmes argumenteve shkencore.

“Shyqyri Nimani ka bërë përpjekje të vazhdueshme e këmbëngulëse për vërtetësinë e autoktonisë shqiptare. Në këtë drejtim edhe kjo vepër që profesori Shyqyri Nimani e la në dorëshkrim vazhdon në shtjellimin e temave të çështjeve që lidhen me etninë shqiptare, historinë e trazuar e me fatin e popullit tonë gjatë historisë. Kështu ai i qaset edhe temës për pushtimin e trojeve shqiptare nga Serbia dhe masakrat që përcollën gjatë tërë historisë”, ka thënë ai.

Kurse akademik Pëllumb Xhufi tha se si te asnjë studiues tjetër shqiptar tek Shyqyri Nimani bashkoheshin historiani, fotografi, epigrafi, piktori, hartografi, heraldisti dhe kaligrafi, të cilat edhe i dhanë privilegjin për të shkruar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

 “Titulli i librit na parathotë atë që është përmbajtja e tij: një ballafaqim midis fakteve historike nga njëra anë dhe trillimeve mitologjike nga ana tjetër, të cilat, këto të fundit përbëjnë thelbin e ideologjisë shtetërore të pushtimit dhe asgjësimit të tjetrit qysh në kohën e Nemanjiqëve serbë në shekujt XIII dhe XIV”.

Më tej akademik Xhufi tha se profesor Nimani i konsideron si pasues të ideologjisë mesjetare  serbe të asgjësimit të shqiptarit apologjetët modernë të asaj ideologjie si Ilia Garashanin dhe “Naçertanien” e tij, Vaso Çubriloviqin dhe elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve” apo edhe nobelistin Ivo Andriq, i cili në memoarin e tij tregon se s’ka asgjë të përbashkët me humanizmin, që është një rekuizitë kryesore për ata që aspirojnë për çmimin Nobel.

“Një nënvizim të fortë autori i bën rolit të historiografisë serbe si gjenerator të pavërtetash e mitesh. Këtu vijnë në konsideratë dy mite të montuara me art nga historianë e më shumë nga kleri serb. Miti serb i Kosovës- 1389 dhe miti i së ashtuquajturës ikje e madhe- 1690-1691”, ka thënë akademik Xhufi.

Botimi i libri “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës” u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Të ngjajshme