25 Shtator, 2024 - 5:13 pm
Vjollca Duraku
Në ditën e lindjes së saj autorja dhe gazetarja Lumnije Berisha ka promovuar librin e saj të tretë “Zëra Hibrid”, në ambientet e ngrohta dhe festive të KultPlus Caffe Gallery.
Libri “Zëra Hibrid”, i autores Berisha, i përket një zhanri shumë të veçantë të gazetarisë, i cili përmbledh 14 intervista të realizuara me personalitete të rëndësishme shqiptare që jetojnë në Kosovë, Shqipëri si dhe në Diasporë.
Përmes këtij libri autorja paraqet perspektivë të pasur të identitetit kombëtar dhe shoqëror shqiptar me personalitete të ndryshme, të cilët në një formë kanë dhënë kontributin e tyre në shoqëri dhe jetën publike në përgjithësi, si në fushat e kulturës, letërsisë, politikës, gazetarisë etj.
Të pranishëm në këtë ceremoni të dyfishtë festive ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Abërije Nagavci, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomëza Emini, profesori universitar Mazllum Baraliu si dhe shumë familjarë, miq dhe dashamirë të autores Berisha.
Ceremonia u udhëhoq nga moderuesja Vera Pelaj, e cila përveç fjalimit hyrës dha edhe disa detaje nga biografia dhe karriera e bujshme e autores në fjalë.
Ndërsa, recenzenti Pajazit Krasniqi ka thënë se autorja nga të intervistuarit ka arritur të nxjerr një kontrast të përhershëm ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, duke krijuar një mozaik nga jeta e mysafirëve të saj.
“Autorja ka kombinuar intervista nga personalitete të ndryshme duke krijuar një përshtypje te lexuesit dhe duke i bërë ata që të thellohen edhe më shumë në jetën e personaliteteve të ndryshme, që për herë të parë lexuesi mund t’i gjej në këtë libër. Autorja me mjeshtërinë e saj ka arritur që të nxjerr nga këto intervista profesionet e të intervistuarve para se ata të ushtronin një detyrë tjetër. Lumnije Berisha arrin që të nxjerr për lexuesit e saj jetën e një politikani, i cili para se të ishte politikan ai dikur ishte gazetar i shquar, apo një inxhinieri të pasionuar pas fotografisë.
Recenzenti Krasniqi më tej ka thënë se libri “Zëra Hibrid” paraqet një mundësi të shkëlqyer që lexuesi të zgjerojë horizontet e të thellohet në njohuri edhe më tej.
“Prandaj edhe mund të thuhet se motivet e përzgjedhura në libër mund të konsiderohen edhe si hibrid, në kuptimin që bashkon përvojën dhe profesonin ndërmjet personaliteteve të ndryshme”, ka thënë Krasniqi.
Kurse, profesoresha universitare Shpresa Hoxha e cila ishte pjesë e panelit diskutues gjithashtu, ka përgëzuar autoren Berisha, e cila me punën e madhe të saj paraqet një shembull për mbarë shoqërinë.
“Është një vullnet vërtetë i paparë i një studiueseje, një zonje që përkundër kushteve të saj ka arritur një sukses kaq të madh, falë edhe ndihmës së nënës së saj. Lumja e gëzoftë shëndetin. Ne presim edhe botime të tjera, meqë ka me të vërtetë një vullnet të paparë dhe angazhim të suksesshëm përkundër sfidave të saj” ka thënë profesoresha Hoxha.
Ndërkaq, vetë autorja Lumnije Berisha nën emocione të shumta tha se “Njerëzit janë të bekuar kur kanë miq”, duke i falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për prezencën e tyre.
“Ky projekt ka filluar para dy vitesh. Realisht është dashur botohet në vitin 2023, por si pasojë e një ngjarjeje botimi u pamundësua. Ky libër po botohet në vitin 2024 me ndihmën e miqve të mi. Njerëzit janë të bekuar që kanë miq, të cilët të ndihmojnë në qaste të vështira. Libri “Zëra Hibrid” përmban 14 intervista të ndryshme që i kam përmbledhur nga emisioni “Kaleidoskop” dhe “Për një botë më të mirë”. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë që t’i përzgjedhë sepse kam edhe materiale të tjera që vërtetë kontribuojnë për një botë më të mirë”, ka thënë autorja Berisha, të cilën e lumturonte fakti që pjesëmarrëse ishte edhe vogëlushja simpatike e Ministres Albulena Haxhiu, e cila me zërin e saj i shtonte ëmbëlsinë ngjarjes.
Pjesëmarrëse në ceremoninë promovuese të autores Berisha për të dytën herë ishte edhe Ministrja e Arsimit Arbërije Nagavci, e cila tha se ndihej krenare për këtë “vajzë të veçantë”, që përkundër sfidave që mund t’i ketë pasur në jetë është shëndrruar në profesioniste të suksesshme.
“Jam shumë e emocionuar sepse ndaj të njëjtat emocione me Lumen. Jam e lumtur të shoh që përkundër sfidave që mendoj që mund t’i ketë hasur në jetë, ia ka dalë që jo vetëm të jetë një grua e zonja, të jetë një gazetare, një profesioniste e suksesshme, por përtej kësaj të vazhdojë me krijimtari të tjera, si në këtë rast botimi i librit, e mbi të gjitha mbetet një njeri i mirë, një vajzë e veçantë që na motivon shumë të gjithëve. Vazhdo të jesh kështu siç je”, ka thënë Ministrja Nagavci duke i uruar ditëlindjen dhe shumë suksese të tjera edhe në të ardhmen.
Ndërsa Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me këtë rast është shprehur se Lumnije Berisha është një shembulli më i mirë për shumë gjenerata.
“Nuk kam pasur rast më herët të takoj fizikisht, por e di punën e saj, e njoh veprën e saj, prandaj me kënaqësi kam pranuar ftesën që të jem e pranishme, sot në këtë ditë të veçantë për Lumen. Vepra e saj tregon që pavarësisht sfidave që i ka pasur në jetë, me mbështetjen e familjes dhe vullnetin e jashtëzakonshëm, je një shembull edhe për komunitetin që ju përfaqësoni, në kuptimin që kur ke vullnet çdo gjë mund të arrihet. Unë i them edhe familjes që duhet të mburreni me vajzën që e keni”, ka thënë Ministrja Haxhiu.
Një fjalë rasti e mori edhe Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomëza Emini, e cila u zotua se autorja Berisha do të vazhdojë të ketë mbështetjen e saj personale dhe të këtij institucioni edhe në të ardhmen.
“Ndonjëherë ne nuk e dijmë se çfarë thesari kemi afër, shpesh herë ne e kuptojmë rëndësinë e tyre kur ata dalin jashtë. Unë kam pasur kënaqësinë që në aktivitetet që i zhvillojmë Lumja çdo herë ka frymëzuar edhe shumë vajza që të inkuadrohen në sport. Vazhdo me qenë inspirim i imi, por edhe inspirim i shumë vajzve”, ka thënë Emini duke i lënë radhën profesorit universitar, Mazllum Baraliut.
“Lumja është e preferuara jonë, një shembull një ekzemplar tipik i një përfaqësueseje të rinisë shqiptare, se si me vullnet i kalon të gjitha peripecitë. Edhe titulli i librit mendoj që është mjaft simbolik sepse edhe jeta vet është hibride në të mirat dhe të këqijat e saj që secilin prej nesh na ballafaqon. Prandaj, puna edhe në komunitetin e gazetarisë, edhe në radio dhe kjo e krijimtarisë mendoj që na bën nderë të gjithë neve. Jemi të lumtur që në këto sfida që i kemi edhe si shoqëri edhe si shtet të kemi sa më shumë zëra të tillë që punojnë për të mirën e këtij vendi”, ka thënë profesori Baraliu.
Edhe Bekim Krasniqi, nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka përgëzuar Berishën për promovimin e librit, nga ku edhe ka bërë apel për përfaqësueset e institucioneve për përkrahje më të madhe për personat me nevoja të veçanta.
“Në emër të kryetarit të shoqatës i uroj Lumes ditëlindjen dhe botimin e librit të radhës, e cila po na bën krenar edhe neve si shoqatë dhe si përfaqësues të komunitetit. Ka qenë kënaqësi për të bashkëpunuar me Lumen, si për aktivitete të shoqatës, ashtu edhe për emisionet e saj, në të cilat e kemi prezantuar aktivitetin që shoqata e zhvillon me komunitetin e të verbërve”, ka potencuar Krasniqi.
I pranishëm si mysafir special në këtë ceremoni ishte Fatmir Sheremeti, pjesëmarrës i trefishtë i Lojërave Paralimpike në Suedi, i cili u shpreh se autorja është një shembull për gjithë komunitetin se me vullnet çdo gjë mund të arrihet.
“Kur kam qenë në Lojërat Paralipike në Suedi, i shihja të gjithë flamujt që e përfaqësonin gjithë botën, por vetëm një flamur mungonte, Flamuri i Kosovës. Sivjet pata rast që të shoh edhe Flamurin e Kosovës duke valuar me të gjithë të tjerët. Lume ti je një dëshmi e komunitetit tonë shqiptarë që gjithçka është e mundur. Kur më ka kontaktuar Lumja për intervistë e kam kuptuar se çfarë profesioniste është dhe çfarë energjie e ka”, ka thënë Sheremeti i lumtur që po merrte pjesë në këtë ditë të shënuar.
Festa, gëzimi dhe hareja për këtë festë të dyfishtë vazhdoi me darkën solemne në KultPlus Caffe Gallery, në të cilën të gjithë pjesëmarrësit patën rast të shijojnë tortën e ditëlindjes dhe të kënaqen me biseda pambarim me njëri-tjetrin.
Lumnije Berisha u lind në Dardanë (ish Kamenicë). Studimet për gazetari i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse studimet Master në drejtimin “Komunikim Masiv dhe Gazetari”, i përfundoi në Kolegjin AAB, ku mori titullin MA me temën “Qasja e Institucioneve dhe e Mediave ndaj Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë”, e cila në vitin 2018 u bë libri i saj i parë. Që nga viti 2013 Berisha është autore e emisionit “Për një Botë më të Mirë” në Radio Kosovë, ku trajton tema sociale. Gjithashtu, një periudhë kohore e ka drejtuar edhe emisionin “Kaleidoskop”, po në Radio Kosovë, në të cilin ka trajtuar tema të ndryshme me personalitete të shquara shqiptare./ KultPlus.com