25 Shkurt, 2025 - 7:14 pm
Vjollca Duraku
Foto: MKRS
Të hënën mbrëma, në ambientet e Menzës “Ramiz Sadiku” është bërë promovimi i monografisë dhe albumit muzikor “Gjurmë të Qamilit të Vogël në Muzikë” nga autorët Krenar Doli dhe Bestar Vula, shkruan KultPlus. Kjo monografi erdh në ditëlindjen e tij të 102-të, si dhuratë në nderim të veprës madhore të kolosit të madh shqiptar, krijimtaria e të cilit edhe pas 90-të vitesh vazhdon të jetë prezente anembanë trojeve shqiptare.
I konsideruar si një prej figurave më të veçanta të muzikës popullore shqipe, Qamili i Vogël përbën një figurë poliendrike në shumë dimensione, si: krijues, interpretues, mbledhës i traditës muzikore shqiptare, zbulues i talentëve të rinj dhe përkrahës i tyre. Si një artist i tillë ai la gjurmë të pashlyeshme në muzikë dhe në traditën e trashëguar të saj, dhe përmes botimit të monografisë “Gjurmët…” ai u bë “i prekshëm” edhe nga një gamë më e gjerë njerëzish.
Libri është i ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë të librit trajtohet tema e zhvillimit të ahengut në qytetin e Gjakovës, pjesë e të cilit ndër të tjerë ishte edhe vetë artisti. Në pjesën e dytë trajtohet figura e Qamilit të Vogël, duke filluar nga fëmijëria e tij e deri te veprimtaria e gjerë artistike. Kurse, pjesa e tretë përmban përshtypjet e 10-të personaliteteve të shquara për këngëtarin, dhe pjesa e katërt përmban aktivitete të rëndësishme që janë organizuar në shenjë respekti dhe nderimi ndaj artistit të jashtëzakonshëm.
Në ceremoninë promovuese u prezantua edhe një program artistik nga grupi muzikor “Rilindja”, me perla të artistit të madh. “Fol se m’ke në dorë”, “Pasha sytë e mi” ishin veprat e para që u interpretuan në këtë mbrëmje të veçantë me tinguj margaritarë duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme për të gjithë pjesëmarrësit në promovim. Dominojnë tema të dashursisë, jetës, lirisë etj. Aktori Jahja Shehu ka shtuar edhe më tej përjetimet emocionale pas interpretimit plot ndjesi të vargjeve “Vjersha ime” nga krijimtaria e Qamilit të Vogël.
Etnomuzikologu Bekim Ramadani ka thënë se autorët e monografisë me hulumtimin e tyre kanë shpërfaqur ndërtimin muzikor të këngëve.
“Autorët kanë arritur të shpërfaqin dhe të hulumtojnë këto këngë edhe nga ndërtimi i tyre muzikor, nga aspekti etnomuzikologjik. Shpërfaqin gjithë elementet e bukura që karakterizojnë këngët e bukura shqipe me vibratot, ornamentet, mënyrën e këndimit e të tjera, por duke folur gjithashtu edhe për aspektin monotik dhe për aspektet e tjera të karakterit heterofonik”, ka thënë Ramadani.
Më tej, Ramadani ka kujtuar edhe përulësinë me të cilën Qamili i Vogël ka përkujtuar mësuesit e tij muzikorë, me theks të veçantë Ymer Rizën.
“Kujtonte ata të cilët në një mënyrë e kishin edukuar. Ai kujtonte me shumë respekt dhe dashuri mësuesin e tij, Ymer Rizën, të cilit madje i ka dedikuar këngën: “Më ka marrë malli me ndigju”. Një këngë, vargjet e së cilës kemi vargje të ndjera dhe unë sa herë që kujtoj dhe evokoj për kohët e kaluara përplot dashuri, sinqeritet e muzikë të pastër shqipe, them: më ka marrë me dëgju mjeshtrit e mëdhenj të muzikës shqipe të cilët në njëfarë mënyre krijuan identitetin tonë”, ka thënë Ramadani.
Ndërkaq, recenzenti Albin Sadiku, ka thënë se monografia “Gjurmë të Qamilit të Vogël në Muzikë” ka një rëndësi të veçantë për shkencën, muzikologjinë dhe etnomuzikologjinë.
“Ata kanë shfrytëzuar metodat e të menduarit logjik që janë: analiza, sinteza, induksioni, deduksioni, ebstragimi, krahasimi për të arritur deri te përfundimi teoriko-shkencor dhe kësaj pune ia kanë dalë me sukses të plotë. Meqë ky hulumtim ka të bëjë me një temë të karakterit etnomuzikologjik”, ka thënë Sadiku, duke potencuar se monografia është realizuar në mënyrë të përkushtuar.
Kurse, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se është detyrë e institucioneve që të mbështesin dokumentimin e veprës së atyre që kanë kontribuar në vlerat dhe krijimtarinë artistike të vendit.
“Është një nga ato momentet kur kurorëzohet një punë e madhe serioze, në këtë rast e dy autorëve të cilët na kanë sjellë këtu edhe librin edhe albumin e njërit prej emrave më të shquar, më të mëdhenj, atë të Qamilit të vogël, Qamilit jo vetëm interpretues, por edhe krijues, e mbi të gjitha hulumtues e dokumentues i traditës dhe trashëgimisë sonë muzikore”, ka thënë Ministri Çeku.
Autori Krenar Doli me këtë rast shprehu mirënjohje për të gjithë në pjesëmarrësit që ishin të pranishëm në promovim.
“Faleminderit që keni gjetur kohë t’i ndani këto momente me ne. Sa i përketë librit, mendoj se të gjitha u thanë nga parafolësit e mij. Unë vetëm dua të falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht ministrin Çeku, i cili bëri të mundshme që puna jonë të realizohet me sukses”, ka thënë Doli duke i falënderuar edhe personat tjerë që e kishin ndihmuar gjatë procesit.
Ndërsa vajza e Qamilit të Vogël, Shqipe Muhaxheri, ka thënë se ndihet krenare që kënga e babait të saj vazhdon të dëgjohet edhe pas 90 vitesh, nga koha kur disa prej tyre janë realizuar.
“A ka më krenari për mua si familjare kur i dëgjoj këta breza të rinj që ripërtërijnë këngët e vjetra, kur shoh që shkruajnë, nxjerrin nga harresa. Kjo është krenaria. Babai im pusho në paqe! Ne jemi krenarë që, pas sa e sa vjetësh, e shpresoj që do të kalojë edhe një kohë e gjatë, që këto këngë do të këndohen dhe do të mbesin dokument për muzikën e mirëfilltë shqipe”, ka thënë Muhaxheri.
Botimi i monografisë dhe albumit muzikor “Gjurmë të Qamilit të Vogël në Muzikë” është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Qamili i Vogël (Muhaxhiri)- ka lindur më 1923 në Gjakovë. Qysh në fëmijërinë e tij i ishte vërejtur talenti për muzikë, veçanërisht për muzikën tradicionale shqiptare. Ishte mjeshtri i këngës dhe sharkisë Ymer Riza ai që në mënyrë profesionale spikati talentin e tij, që më pas e ftoi në grupin e tij artistik. Kushtet e rënda ekonomike e detyruan të emigronte në Tiranë, ku edhe kishte arritur të mblidhte këngë nga anembanë rajonit. Ndërkaq, depërtimi i tij në Radio Prishtinë më 1952 ishte fillimi i një karriere të jashtëzakonshme. Nga ajo kohë Qamili i Vogël me zërin e tij tingëllues ishte shëndrruar në një këngëtar shumë të kërkuar, zëri i të cilit vazhdon të jehojë edhe sot. Ai vdiq më 23 shkurt të vitit 1991./ KultPlus.com