Promovohet në Tiranë libri i Kamala Harris, Linda Rama: Me sytë e mendjes tek e drejta dhe liria

12 Nëntor, 2024 - 10:15 pm

“Të vërtetat që mbartim” libri i shkruar nga zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris vjen në shqip. Libri u promovua sot në Tiranë, me parathënie nga Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama.

Gjatë promovimit në Qendrën Kombëtare të Leximit dhe Librit, Linda Rama tregoi përjetimet e saj ndërsa lexonte librin e shkruar nga Harris, kandidatja demokrate që humbi në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

“Karriera e Kamalës ishte kaq graduale, kaq logjike dhe domethënëse sa herë-herë kisha nota mosbesimi dhe thoja është një manual se si duhet të jetë një prokuror apo një guidë si duhet të jetë një politikane. Asnjëherë nuk më erdhi si një grua që në fakt rrënjët e saj biologjike, shoqërore dhe sociale i kishte te grupet vulnerabël të shoqërisë. Ajo nuk kishte asnjë lloj vunerabiliteti në libër”, u shpreh Linda Rama.

“Mua Kamala më vinte me fuqinë e saj nga libri i shkruar në vitin 2018. Kamala nuk do të hyjë në Zyrën Ovale. Gjërat erdhën ashtu siç e donte populli amerikan. Dhe kjo është bukuria e demokracisë që popujt të vendosin dhe tranzicioni ynë i 30 viteve na ka mësuar se populli nuk gabon”, vijoi Linda Rama.

“Po kjo Shqipëria e vogël sa shumë eksperiencë ka patur në këto 30 vite sa në të gjitha debatet që bëhen ne e ndjejmë veten si të jemi pjesë e një konteksti të jashtëzakonshëm siç është konteksti i SHBA. Kishte mjaft momente tek të vërtetat që mbartin që mua më tërhiqnin posaçërisht për t’i bërë pjesë në parathënie, se ky ishte një moment reflektimi brenda meje: ku do të ndalem? Fjala vjen, roli i gjurmëve të fëmijërisë tek prokurori dhe tek politikani. Ky ishte një moment për mua shumë interesant”, theksoi Linda Rama.

Linda Rama u shpreh se “vendosa të ndaloj në dy momente, liritë dhe të drejtat. Këtë vendim e mora se ky është thelbi im se unë doja që të isha vetja në parathënien e Kamalës e frymëzuar nga Kamala dhe e mbështetur nga Kamala. Dhe momenti i dytë, profili i prokurorit që për mua mbetet një kërshëri e veçantë. Në parathënie unë do t’i referohen një momenti tjetër, për të bërë një shtjellim të asaj që i përket viteve që do të vijnë. Në parathënie kam nënvizuar se kërcënimet për liritë e fituara nga brezat janë reale dhe më shumë të ngjarë do të bëhen dhe më të pranishme për ata që do t’i trashëgojnë fitoret e shoqërive demokratike”.

Sipas saj, ky libër i shkruar me sytë e mendjes te liria dhe të drejtat të jep mundësinë të reflektosh, si prind dhe qytetar.

“Kamala Harris nuk do të hyjë në zyrën ovale dhe kjo i jep librit të ketë një stacion tjetër imagjinar. Pse një model fitues deri në momentin kur Harris ishte senatore nuk u kthye në një model fitues si presidente. Unë jam shumë kureshtare për të ditur të vërtetat e Kamala Harris si zv/presidente dhe kandidate për presidente, që nuk janë në këtë libër. Fuqia që Kamala sjell jetën e saj në karrierë deri në 2018, do të ketë fuqi të transmetojë të vërtetat ndërsa shërbente si zv/presidente dhe konkurronte kandidate për presidente. Uroj shumë që këto të vërteta të na ofrohen dhe të na mbledhin sërish. Do të doja ta mbyllja fjalën time me një pyetje; çfarë i mungoi Kamala Harris për të mos qenë presidente dhe çfarë nga profili i i Harris ka kandidati fitues, për të ushtruar detyrën si president i SHBA”, tha Linda Rama.

Fjala e plotë e Linda Ramës mbajtur në forumin “Pushteti, e drejta dhe liria” me rastin e botimit në shqip të autobiografisë së Kamala Harris “Të vërteta që mbartim”, nëntor 2024

Libri “Të vërteta që mbartim” është shkruar në vitin 2018, ndërsa Kamala Harris ushtronte mandatin e saj si Senatore. Unë librin e lexova në shtator, në kohën kur fushata per zgjedhjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara ishte në kulmin e saj me Harris si një prej dy kandidatëve që synonin të hynin në Zyrën Ovale që është dhe Zyra më e rëndësishme e botës.

Përgjatë leximit, çka më bënte përshtypje ishte që karriera e Kamala Harris në rrugëtimin nga një stacion tek tjetri ishte kaq graduale, kaq logjike dhe kaq domethënëse saqë herë herë kisha nota mosbesimi dhe mendoja mos është një manual se si duhet të jetë një prokuror apo është një guidë se si duhet të jetë një politikan. Në asnjë moment, Kamala Harris, përgjatë leximit të librit, nuk më erdhi thjeshtë si një grua, nuk e perceptova si të tillë dhe asnjëherë si një grua që rrënjët e saj biologjike dhe sociale i kishte tek grupet vulnerabël të shoqërisë. Ajo nuk kishte asnjë lloj vulnerabiliteti. Dhe ndërsa dëgjoja komentet që bëheshin në favor të njërit kandidat apo në favor të kandidatit tjetër, mua Kamala më vinte me fuqinë e saj nga libri i shkruar në vitin 2018.

Kamala nuk do të hyjë në Zyrën Ovale. Dhe botuesja e librit sapo tha “pavarësisht se si erdhën gjerat”. Gjerat erdhën ashtu siç donte populli amerikan dhe kjo është bukuria e demokracisë, që popujt të vendosin dhe tranzicioni ynë i 30 viteve na ka mësuar që populli nuk gabon. Dhe në shumë dimensione të gjithë diskutimit që zhvillohet sot për kandidatin fitues apo për kandidatin humbës, një përjetim tjetër që kam patur ka qenë, po kjo Shqipëri e vogël sa shumë eksperiencë politike ka patur sa duket sikur jemi pjesë e një konteksti të jashtëzakonshëm siç është konteksti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por vendosa të ndaloj në 2 momente në parathënien time: momenti i parë, liritë dhe të drejtat, dhe këtë vendim e mora sepse ky është thelbi im dhe doja të isha vetja në parathënie e frymëzuar nga Kamala dhe e mbështetur nga Kamala dhe momenti i dytë profili i prokurorit që për mua mbetet një kërshëri e veçantë.

Në parathënie Alda u ndal në pikën zero të tranzicionit tonë. Unë do t’i referohem një momenti tjetër, për të bërë një shtjellim të asaj që është shkruar në parathënie dhe që i përket viteve që po vijnë. Në parathënie kam nënvizuar që kërcënimet për liritë e fituara nga brezat janë reale dhe me shumë të ngjarë do të vazhdojnë të bëhen edhe më të pranishme për ata që do t’i trashëgojnë fitoret e shoqërive demokratike.

Përse mendoj unë që kërcënimet për liritë dhe të drejtat janë reale, dhe përse mendoj që mund të jenë edhe më të pranishme në vitet që kemi përpara?

Do të doja të bëja një parantezë për kontekstin historik të një shekulli më parë kur luftërat, shpikjet teknologjike (automobili, aeroplani, radio dhe përdorimi i saj si instrument ndërlidhës dhe komunikimi), lindja dhe rënia e regjimeve autoritare, rënia e perandorive kolonizatore, shpikja dhe përdorimi i bombës nukleare në Hiroshima dhe Nagasaki dhe traumat ekonomike dhe njerëzore të lidhura me to, krijuan arsyet dhe mjedisin për avancime të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave në vendet demokratike, krijuan institucionet e mbikëqyerjes dhe të vlerësimit të drejtave dhe lirive, mobilizuan mbështetje financiare që nuk ishin parë kurrë më parë dhe që synonin fuqizimin e komuniteteve dhe individëve në lëmin e të drejtave dhe të lirive.

Një listë e gjatë të drejtash u institucionalizuan përgjatë disa dekadave filluar me ato për barazinë para ligjit, lirinë e fjalës, lirinë e votës, lirinë e pronës, lirinë e besimit. Kjo ishte dhe gjenerata e parë e të drejtave, për të kaluar më pas në gjeneratën e dytë të të drejtave që si e drejta për punë, e drejta për ushqim, e drejta për strehim, e drejtën për kujdes shëndetësor dhe për sigurime shoqërore. E më tej u vijua me gjeneratën e tretë të të drejtave, ato që shkojnë përtej individit dhe përqendrohen tek shoqëria si e drejta për mjedis të shëndetshëm, për zhvillim ekonomik dhe social, e drejta ndaj burimeve natyrore apo trashëgimisë kulturore, zhvillimit të qëndrueshëm etj.

Ndërsa ne avanconim në lëmin e të drejtave, sfidat ishin të jashtëzakonshme ndërkohë që të drejtat po ktheheshin në normalitet në jetën tonë. Dhe unë do të ndalesha në secilën sfidë që ka shoqëruar këtë betejë dhe nëse do të kisha mundësi do të ndalesha veçanërisht tek ajo që kam jashtëzakonisht për zemër, që është polarizimi social dhe efektet e tij. Por nuk do ta bej këtë, pasi mendoj që fokusi tek e ardhmja është shumë i rëndësishëm kur ne flasim për librin e Kamala Harris. Do të ndalem tek një zhvillim domethënës i dy dekadave të fundit për vetë faktin se ky zhvillim i ka rrënjët dhe gjigandët e tij në ShBA, ndërsa ndikimin në mbarë botën.

Në këto dy dekada, ndërsa çliroheshim pak nga pak nga padrejtësitë e së kaluarës, zinxhirë të rinj u shfaqën në jetën tonë në formën e oreksit materialist, të egoizmit dhe të lakmisë. Këto zinxhirë nuk kursyen as planetin tonë. Dhe ky shekull filloi pikërisht me vetdijen që mënyra e jetesës së botës perëndimore dhe rendja e ethshme e bizneseve për të fituar me çdo çmim po i tejkalonte kapacitetet e planetit tonë. Raporti i zhvillimit njerëzor në vitin 2007-2008 e bëri të qartë sfidën e ndryshimeve klimaterike për njerëzimin.

Ndërkohë jemi duke jetuar një tranzicion tjetër. Tranzicionin teknologjik, i cili ka përmasa të paimagjinueshme deri më sot për nga përhapja dhe ndikimi.

Interneti është një rrjet botëror gjithnjë dhe më i aksesueshëm nga publiku, askush në shoqëritë tona demokratike nuk imagjinohet më pa një telefon inteligjent në dorë, platformat e medias sociale po ndryshojnë pa kthim jetën tonë dhe inteligjenca artificiale dhe të mësuarit nga makina po konkurron dukshëm makinerinë tradicionale të arsimimit.

Interneti, në këto dy dekada, nuk kushtëzoi vetëm komunikimin mes njerëzve, por po ndërton një marrëdhënie plotësisht të re të qytetarëve me institucionet, të klientëve me bizneset, të bizneseve me njëri tjetrin dhe biznesit me institucionet. Interneti dhe inovacioni po modifikon me një shpejtësi marramendëse mënyrën tonë të jetesës.

Pajisjet në shtëpitë tona po lidhen dhe funksionojnë gjithnjë dhe më shumë me internet, komunikimi me tregun po bëhet në distancë, inovacioni po i transformon industritë tradicionale në industri inteligjente. Inteligjenca artificiale dhe robotika i kanë dhënë fuqi makinës që jo vetëm të na vrojtojë dhe të na asistojë, por edhe të krijojë përmbajtje, muzikë, poezi e tekste mbi bazën e të dhënave që përdor.

Përsa kohë jemi të lidhur me njëri tjetrin, me institucionet, me mallrat, me sendet, me mediat sociale sa ç’jemi përfitues si konsumatorë e përdorues, ne jemi po aq jemi dhe të cenuar, në të drejtën tonë, atë të privatësisë së individit.

Pak nga pak dhe pa e kuptuar jemi bërë të gjithë banorë të një planeti paralel me planetin tonë, planetit virtual monopolin e të cilit e kanë ata që e krijuan dhe e zotërojnë dhe së bashku me të dhe monopolin e dijes. Ata dinë gjithçka për ne, ndërsa ne asgjë për ta duke na vënë në kushtet e një pabarazie të plotë dhe duke na cenuar hapur të drejtën tonë të barazisë. Makineria gjigande e informacionit të tyre nuk është ndërtuar për të garantuar integritetin e dhe as vërtetësinë e këtij informacioni.

Se çfarë gatuhet në të, me çfarë gatuhet, përse gatuhet e dinë vetëm ata, ndërsa ne jemi aq të zënë me të përditshmen marramendëse për t’ja dalë në planetin real saqë e tretim ushqimin e gatuar në planetin virtual pa patur as kohë e as fuqi ta përtypim. Për t’ja parë qarin apo qederin vite më pas.

Thënë këto, është plotësisht e vërtetë që fëmijët tanë sot kanë liri dhe të drejta më shumë se kurrë më parë, dhuratë kjo e përpjekjeve të gjeneratave të 100 viteve të fundit veçanërisht. Por këto liri dhe të drejta rrezikojnë të mos jenë më të tilla nëse nuk i rezistojnë sfidave të këtij fillim shekulli.

Në vigjilje të këtij shekulli, shoqëritë demokratike nuk arritën të ndërtojnë një vizion mbi një të ardhmen digjitale dhe demokratike. Raporti i Forumit Ekonomik Botëror mbi Rrisqet Globale 2006, ndërsa përcaktonte terrorizmin, pandeminë e gripit si risqe imediate dhe ndryshimet klimaterike si një rrezik që do të ndjehej në periudhë afatgjatë, me një notë të lartë pasigurie theksonte që ekzistonin edhe disa rreziqe potenciale me efekte ende të panjohura si ato të lidhura me teknologjitë e reja, të cilat mund të jenë shumë çorientuese.

Nëse do të vizitohen raportet e Forumit Ekonomik Botëror nga viti 2006 kur ka filluar matja e rreziqeve dhe deri në vitin 2024 në asnjë prej raporteve teknologjia dhe rreziqet prej saj nuk kanë qenë në listën e rreziqeve globale. Ishte vetëm në raportin e fundit mbi rreziqet globale, atë të botuar në Janari 2024. Dhe cili është rreziku më i madh global i evidentuar në këtë raport? Dizinformimi, ndër 36 rreziqe kërcënuese, dhe ndër pesë rreziqet më të mëdha në 10 vitet e ardhshme. Ndërsa listës së rreziqeve në 10 vitet e ardhshme i shtohen dhe efektet negative të Inteligjencës Artificiale duke lenë pas për nga shkalla e rrezikut polarizimin social.

Menaxhimi i këtyre rreziqeve në vitet që vijnë në dobi të publikut është thelbësor për të ardhmen e fëmijëve tanë. Big tech në këtë betejë nuk është aleati ynë. Përkundrazi, qeveritë janë garantuesit tanë më të mëdhenj që do t’i duhet të marrin në konsideratë thirrjet e akademikëve, analizat e tyre, shifrat statistikore, përpjekjet e shoqërisë civile, për të materializuar më tej në ligje dhe në rregullore mënyrën se si do të përdoret informacioni dhe aktiviteti i planetit virtual që ne e kemi present çdo ditë në jetën tonë.

Ndaj, ky libër i shkruar me sytë e mendjes tek liria dhe tek të drejtat, të jep mundësinë të reflektosh. Të reflektosh në radhë të parë si prind në një kohë kur prindërimi është më kompleks se kurrë dhe si qytetar në një kohë kur planeti dhe njerëzimi janë në një sprovë komplekse.

Kamala Harris, në Janarin e ardhshëm nuk do të hyjë në zyrën Ovale. Por mendoj që kjo pikërisht i jep librit mundësinë të ketë një stacion tjetër imagjinar. Pse modeli fitues deri në momentin kur Kamala Harris ishte senatore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk u kthye në një model fitues si Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Jam shumë e kuriozuar për të vërtetat e Kamala Harris si Zevendes Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk janë në këtë libër dhe ato si kandidate për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fuqia me të cilën Kamala Harris rrëfen jetën e saj në karrierë deri në vitin 2018, do ketë fuqinë e rrëfimit të të vërtetave teksa shërben si Zëvendës Presidente dhe si kandidate konkurrente për Presidente. Uroj që këto të vërteta të na ofrohen dhe ne të mblidhemi përsëri dhe të diskutojmë. Megjithatë, do të doja ta mbyllja fjalën time me pyetjet që i kam këto ditë vazhdimisht në mendje: çfarë i mungoi profilit të Kamala Harris për të mos qenë Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Dhe  çpjesë nga profili i Kamala Harris ka Presidenti aktual i zgjedhur që do të hyjë në Zyrën Ovale në Janar të vitit të ardhshëm dhe që mund ta zbatojë si President përgjatë ushtrimit të detyrës së tij?

Ju falënderoj për vëmendjen dhe uroj ta lexoni dhe shijoni këtë libër ashtu siç e kam lexuar dhe shijuar unë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme