Promovohet “Prishtinë, muza ime!”, libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive në kohë karantine

14 Prill, 2022 - 9:20 pm

Libri “Prishtinë – Muza ime” që vjen si një libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohën e karantinës nga gjithsej 40 autorë sot u promovua në ambientin e Kino Armatës. Kur pandemia erdhi fuqishëm në vitin 2020, qytetarët e Prishtinës vendosën që t’i shkruajnë Prishtinës në kuadër të iniciativës së librarisë Dukagjini, Komunës së Prishtinës dhe organizatës ‘Etea’, shkruan KultPlus.

Përbrenda një afati të përcaktuar, libraria Dukagjini ka mirëpritur qindra shkrime fantastike nga më të ndryshmet. Tregime e poezi të shkruara nga qytetarët në një kohë të vështirë por njëkohësisht edhe një kohë në të cilën është reflektuar mbi atë se çka është e rëndësishme, janë jetësuar dhe kanë gjetur shtëpinë e tyre në librin e përjetimeve të titulluar “Prishtinë, muza ime!”.

Një libër i mbushur me tregime dhe poezi të cilat janë përzgjedhur nga juria profesionale si: shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës Hivzi Sylejmani, sot në mesin e një numri madh të pranishmëve, disa nga to u lexuan dhe ngjallën emocion dhe një ndjenjë tejet të veçantë.

Pak para se kjo ngjarje të fillonte, të pranishmit dalëngadalë zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër disa rrëfime që nisin qysh nga ideja për të krijuar këtë libër e deri tek botimi i saj. Ndërsa, teksa meloditë e këngës “Të dua Prishtina” luanin në prapavijë si dhe zëri i mahnitshëm i Nexhmije Pagarushës dëgjohej këndshëm në sfond, kjo ngjarje veçse kishte filluar me simbolikën e saj e që është pikërisht qyteti i Prishtinës.

Por fillimisht në një panel diskutimit të moderuar nga shkrimtari Arbër Selmani, të ftuar ishin: Ilirana Hasaj nga libraria Dukagjini, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, Adrian Berisha dhe drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti.

“Libri është nis qysh në vitin 2020 atëherë edhe kur është hapur thirrja dhe kur janë dërguar qindra shkrime prej të cilave më pas juria e ka bërë një punë modeste dhe i ka përzgjedhur dyzet prej tyre të cilat janë pjesë e këtij libri që mendoj se do të mbetet një dokument i rëndësishëm dhe i fuqishëm që tregon se si ne jemi mishëruar me Prishtinën në një kohë kur kemi qenë të izoluar, kohë kjo pak e papritur prej neve dhe për ata që janë mirë me fjalën e shkruar. Mendoj se me u përball me atë traumë ka qenë më së lehti për ti shkruar Prishtinës”, thotë Selmani.

Sipas tij, libri është një punë e mahnitshme ku ai vetë si anëtar i jurisë është i kënaqur me poezitë, prozën dhe tregimet e shkurtra të cilat e shfaqin Prishtinën në dimensione të ndryshme dhe prej syve të ndryshëm.

“Unë mendoj që secili prej neve ka një dashuri për Prishtinën ose qoftë edhe një moment, një njeri, një këngë, një objekt me të cilin mishërohen në Prishtinë dhe më e mira e kësaj është se ajo është shprehur në këtë libër. Ky libër vjen si bashkëpunim midis tri institucioneve si: Komuna e Prishtinës, Libraria Dukagjini dhe Qendra Etea. Unë tutje po i lexoj të gjitha emrat e krijuesve në këtë libër për të respektuar punën e tyre”, thotë Selmani.

Ndërsa Ilirana Hasa tregoi për rrjedhën e idesë për librin që në fakt ishte paraparë qysh para pandemisë por që ajo u krijua pikërisht kur pandemia goditi botën.

“Libri ka qenë një rrugëtim shumë interesant por edhe tash që po mundemi për të reflektuar ngase kanë kaluar dy vite dhe pse gjatë gjithë kësaj periudhe jemi marrë shumë me qejf me librin, tash po e shohim edhe më mirë se sa i rëndësishëm është dhe sa i veçantë është. Krejt ka filluar si një ide thjesht për një organizim para pandemisë mirëpo pandemia goditi gjithë botën dhe ishim në karantinë kur u rikthye ideja jonë për ti ftuar qytetarët që t’i shkruajnë Prishtinës dhe ta krijojmë një libër të cilin po ia falim kryeqytetit tonë”, thotë Hasaj.

Sipas saj, në këto kohëra të jashtëzakonshme shihet se çfarë ka dhuruar Prishtina. Në këtë situatë është parë ajo se çka është vërtetë e rëndësishme dhe çka i mungon çdo njeri.

“Edhe pse ishte një situatë jo e mirë, na ka falë një mundësi dhe një kohë që të pauzojmë, të reflektojmë apo edhe ti kthehemi kreativitetit që e kemi ndrydh brenda dhe andaj besoj që shumë prej nesh e kanë shfrytëzuar këtë kohë. E kemi hap thirrjen në grupin “Ri n’shpi me neve”, që ka qenë një grup i krijuar nga Komuna e Prishtinës dhe është bërë kështu një punë shumë e madhe. Kemi pranuar rreth 250 shkrime e po ashtu ne qysh në fillim kemi tregu se cili është qëllimi dhe si ka mu bo përzgjedhja”, shpalos Hasaj.

Ajo tutje tregon se faza e përpunimit dhe krijimit të librit ka qenë një periudhë tejet e mirë ngase është bërë ngadalë dhe me shumë dashuri për detajet e ndryshme.

“Juria është e përbërë nga shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’. Kur kemi ardhur në fazën e dizajnit të librit e kemi menduar që një pjesë e mirë e librit të përmbajë edhe fotografi sepse edhe fotografitë flasin shumë e sidomos pasi që syri i aparatit kap momente të ndryshme të qytetit apo të personave. Fotografitë janë fotografi nga fotografë profesionalë por edhe të zakonshëm”, përfundon ajo.

Po ashtu, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, tregoi për grupin “Rri n’shpi me neve”, grup ky që kishte për qëllim të zhvillojë aktivitete gjatë kohës së pandemisë.

“Ne jemi takuar në vitin 2019 kur kemi qenë pjesë e një grupi për realizimin e aktiviteteve socio-kulturore e sportive për nder të 20 vjetorit të çlirimit të qytetit dhe është shfaqur edhe kjo ideja apo propozimi që të realizohet një projekt i tillë siç është ky libër por në atë periudhë kohore nuk kemi mundur ta realizojmë por sidoqoftë i ka ardhur koha në periudhën e pandemisë. Ne si Komunë në atë periudhë kohore e kemi hapur grupin “Rri n’shpi me neve” ku qëllimi ishte që të zhvillohen aktivitete interaktive”, thotë Berisha.

Sipas tij, ky libër ka qenë një bashkëpunim trekëndësh, bashkëpunim ky që ka rezultuar në aktivitete të shumta e të ndryshme.

“Këta dyzet persona që janë në këtë libër kanë shkruar në kohën e karantinës dhe përmes shkrimeve të tyre kanë treguar përjetimin që qyteti jonë ia dhuron. Pra, Prishtina na bashkon dhe ajo është e përjetimeve tona të përbashkëta”, përfundon Berisha.

Në anën tjetër, drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti foli rreth përshtypjeve të tij të cilat i ka marrë përgjatë krijimit të këtij libri.

“Padyshim që ky trekëndësh bashkëpunimi ka rezultuar në një sukses të madh dhe i tillë po duket edhe produkti i këtij bashkëpunimi. Besoj që bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm dhe në të ardhmen. Një përshtypje të cilën do të doja ta tregoja është ajo se ndonëse e kemi nis këtë projekt qysh në vitin 2019, ne kemi marrë mesazhe të shumta nga krijuesit të cilët na kanë pyetur se a është akoma i qëndrueshëm dhe se do të krijohet ndonjëherë ky libër. Ka qenë shumë e bukur që t’i shohim ato mesazhe dhe është një kënaqësi e madhe për të lumturuar dikë që pretendon apo edhe është një shkrimtar apo shkrimtare”, shpalos Ahmeti.

Më pastaj vëmendja iu drejtua gjithsej dyzet krijuesve por që njëmbëdhjetë nga të cilët në një mënyrë të rastësishme janë përzgjedhur për t’i lexuar krjiimet e tyre sonte. Në një renditje të rastësishme krijimet e tyre i interpretuan: Flutur Mustafa  (“Mos qaj Prishtinë”), Agon Rexhepi  (“Kam mendu për ty Prishtinë”), Liridona Shehu (“Prishtinë”), Doruntina Golaj (“M’ka marrë malli Prishtinë”), Fatos Lleshi (“Ty, Prishtinë”), Jeta Lila Delija (“Gjakova po t’shkruan, Prishtinë”), Parisa Ratkoceri (“Prishtina në qiell të hapur”), Planeta Sllamniku (“Pse po hesht Prishtina”). Ndërkaq, edhe treshja e fundit që interpretoi poezitë e tyre ishin: Edita Malazogu (“Për ty Prishtinë”), Elita Ferati (pa titull) dhe Filloreta Hoxha (“Ta ndiej heshtjën, Prishtinë”), por paraprakisht ishte nënkryetari në panel për një fjalë rasti u ftua edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

“Në fakt unë u inspirova aq shumë nga leximet saqë vendosa për të lexuar edhe vetë një poezi për t’u bërë pjesë e këtij leximi. Është me të vërtetë kënaqësi për të marrë pjesë në këso ngjarje. Ngjarjet si kjo sot gjithmonë më japin një emocion dhe ndjenjë të veçantë andaj ju falënderoj shumë për këtë emocion që e mora nga ju. Jam i lumtur që Komuna e Prishtinës ka kontribuar që ky libër të jetë me ne. Nuk kam pasur rastin t’i lexoj më herët këto poezi por me të vërtetë u kënaqa. Tash e lexova edhe një poezi e cila më përfaqëson dhe e përfaqëson kohën që kam kaluar. Koha e karantinës na ka kthyer në kohën e luftës dhe nëse i hiqni datat e këtyre krijimeve, neve në fakt na kthejnë në atë periudhë të luftës”, thotë Zogaj.

Ai tutje veçoi poezinë “Natë e trishtë” e autorit Dren Loxha të cilin ai personalisht nuk e njeh por poezia e tij e ka kthyer Zogajn në kohë dhe i ka dhuruar ndjenjën të cilin ai e ka pasur gjatë luftës por edhe në karantinë. Po ashtu nënkryetari Zogaj kujtoi edhe kohën e karantinës ku muaji mars i vitit 2020 ka qenë për të një trishtim i tejskajshëm.

Kështu krejt në fund ishin duartrokitjet e shumta që iu drejtuan drejt këtyre krijuesve të cilët patën rastin të interpretojnë shkrimet e tyre tashmë të botuara në librin “Prishtinë, muza ime!”. Ndërkaq, autorët tjerë krijues që janë përzgjedhur për këtë libër janë edhe: Ardit Mehmetaj, Argjenda Selmani, Dafinë Bajrami, Dearta Zeqiri, Donarta Sh.Uka, Donika Hamiti, Dorina Imami, Dren Loxha, Edlira Maloku, Elvira Sh.Ukiqi, Fadil Halimi, Fatlinda Imeri, Fitim Majkovci, Fjolla Hajrizaj, Jakob Ëeizman, Kaltrinë Uka, Kosovare Xh.Leskovci, Linda Jakupi, Mimoza Sapiqi, Mirjeta Zekaj, Rrona Jaka, Sala Jashari, Salim Memishi, Sara Tahiri, Saranda Rugova, Saranda Stuja-Tara, Teuta Berisha, Vesa Ferizi dhe Vlora Konushevci.

“Prishtinë – Muza ime” është libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohë karantine përgjatë muajve mars – prill të vitit 2020. / KultPlus.com

Të ngjajshme