Promovohet “Qytetet e Ilirisë” nga Mehmetaj, konsiderohet libër i rëndësishëm për publicistikën shqiptare

30 Janar, 2020 - 2:28 pm

Bujar Meholli

Shkrimtari dhe publicisti i njohur Gani Mehmetaj promovoi sot librin e tij më të ri me titull “Qytetet e Ilirisë”, shkruan KultPlus.

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” u mblodhën profesorë, studiues, gazetarë e adhurues të fjalës së shkruar për ta promovuar librin më të ri të Mehmetajt.

Ish-redaktori Shaban Arifaj, njëherit redaktor i librit, hapi ngjarjen duke e cilësuar librin e Mehmetajt si të rëndësishëm për publicistikën shqiptare. “Përmbajtja dhe shtjellimi i veprës si dhe përshkrimet, Ganiu i bën me një kapërcim të fuqishëm historik duke u thelluar në përshkrimin e qyteteve dhe ngjarjeve që lidhen me periudhën e lavdishme të Ilirisë, poashtu duke i përshkruar në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, tha redaktori Arifaj.

“Mehmetaj shquhet me stilin e tij të veçantë, ai trajton tema dhe probleme që janë të nxehta për opinionin. Mehmetaj shquhet për një qasje ndryshe, i tillë është ky libër që është i veçantë në publicistikën shqiptare”, potencoi Arifaj. Ai e vëri theksin tek pjesa e librit ku flitet për perandorin Justinian nga koha antike, i cili ndërtoi qytete të reja dhe meremetoi edhe shumë të tjera. Studiuesi dhe pastori Femi Cakolli që ishte në panel, prezantoi para të pranishmëve një analizë të thukët për librin “Qytetet e Ilirisë”. “Libri më i ri i Mehmetajt i takon zhanrit udhëpërshkrues, aty përshkruhen 23 qytete shqiptare, duke nisur nga Gjakova, Nishi, Pazari i Ri, Artana, Ulpiana, Prizreni, Shkupi e Shkodra, Plava e Gucia, Kruja, Lezha, Korça e Gjirokastra”, nisi ai.

“Autori këtë herë e lë fiksionin dhe bëhet një vizitator, një arkeolog ose ciceron për gjetjet më të fundit nëpër këto qytete ilire si pjesë e ekspeditave që i ka bërë”. “Mund të konstatoj se nga aspekti tematik, kjo vepër nuk ka ndonjë risi strukturore, veçantia e këtij teksti është arkeologjia e këtyre qyteteve dhe ideja për të përçuar një mesazh dhe kundërshtesë për këtë civilizim tonin”. “Autori zgjedh të kaluarën e largët, antikitetin ilir, të kaluarën e mesme, Mesjetën, të kaluarën e afërt, Rilindjen kombëtare, dhe të sotmen. Skema është thjeshtë, dje dhe sot. Në qendër të këtyre qyteteve gjendet perandori Justinian, i cili ndërton qytete, kala, foritifikata, etj. Perandori Justinian është ndërtuar si ide letrare në këtë vepër”, thotë ai.

Tutje, Cakolli shton se në të kaluarën kemi pasur skulptura e skulptor, piktura e piktorë, tempuj e kisha, vepra e shkrimtarë, për të cilat shkruan Mehmetaj dhe dëshiron që t’i përçojë tek lexuesi. “Autori porosit se ka një vazhdimësi dardane nëpër këto qytete, andaj ne duhet të shfaqim më shumë dashuri për historinë e vendit”, potencoi Cakolli.

Autori Mehmetaj tha se është i lumtur teksa sheh interesimin e lexuesve, ai premtoi se në të ardhmen do të sjellë edhe krijime të reja, qoftë nga letërsia apo publicistika. Në fund Mehmetaj diskutoi me të pranishmit rreth librit dhe interesimeve që ata shfaqën për veprën e tij.

“Qytetet e Ilirisë” është libër i tipit udhëpërshkrues, pasiqë autori ka shtegtuar nëpër këto qytete dhe krahina ka bërë edhe ilustrime të cilat janë brenda librit, poashtu ka rrëfime të vendasve e kronika të ndryshme.

Nga tani libri gjendet nëpër libraritë e kryeqytetit, në “Dukagjini”, “Artini”, “Buzuku” si dhe në kioskat e Sheshit “Nënë Tereza”. /KultPlus.com

Të ngjajshme