Promovohet revista për të verbër “Fuqia e Fjalës”

22 Tetor, 2021 - 3:57 pm

Për nder të Javës Ndërkombëtare “Njeriu me shkop të bardhë”, Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ka promovuar sot revistën “Fuqia e Fjalës”, botimi i dytë.

Kjo revistë e cila është në shkrimin Braille, flet për rëndësinë dhe historikun e shkopit të bardhë, pjesën shkencore, artistike dhe aktivitetet e organizatës. Pjesëmarrës në këtë promovim ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, autori i revistës, Halil Kurmehaj, kryetari i Organizatës Iniciativa e të Verbërve, redaktorja Vera Pelaj e shumë pjesëtarë të tjerë të komunitetit të të verbërve dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Ministri Çeku vlerësoi botimin e një reviste kaq domethënëse për komunitetin e të verbërve dhe shoqërinë tonë, ndërsa tha “Ne duhet të angazhohemi shumë që vendi ynë të ofroj mundësi të barabarta për të gjithë, këtë po mundohemi ta bëjmë edhe në Ministrinë e Kulturës, në të gjitha fushat” dhe shtoi “Në programin tonë kemi aktivitete të shumta për personat me nevoja të veçanta duke përfshirë këtu fuqizimin e Bibliotekës së të verbërve “Syri ynë” të cilës do ti rritet buxheti dhe ai do të orientohet për digjitalizimin e librave të alfabetit braille, rritjen e botimit në audio dhe në kopje fizike të titujve të librave ekzistues”.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes thirrjeve publike në kuadër të departamenteve të kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë, mbështet vazhdimisht organizatat për persona me aftësi të veçanta dhe pamje të dobësuar./ KultPlus.com

Të ngjajshme