7 Tetor, 2017 - 9:56 am
Një libër artistik kushtuar më të bukurës e Tiranës së viteve 1920, që ndau epokat, gazetari, publicisti dhe politikani i njohur Alfred Peza promovoi në ambientet e UET-së, romanin e parë titulluar “Sarah”.
Gjatë ceremonisë së promovimit ishin të pranishëm figura të njohura të medias e politikanë të famshëm si : Ish presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish deputetja Arta Dade etj.
Autori e përshkroi romanin e tij si një libër atipik, të shkruar në një kohë atipike për vetë autorin. Si një përgjigje edhe ndaj akuzave të bëra ndaj tij, ai tha se Alfred Pezën e vërtetë çdo kush mund ta gjejë brenda 400 faqeve të libri. Po kështu, romani i promovuar dje, për herë të parë do të ketë një website për ta blerë ose parë pikat e shitjes.
“Ashtu si Sarah Blloshmi u bë e para femër në Shqipëri e 100 viteve më parë që të sillte një element shumë perëndimor, shumë civilizues në jetën e Shqipërisë bashkë me Sarën ka ardhur edhe një element tjetër. Për herë të parë në Shqipëri, ky libër ka një website www.sarah.al .
Libri vjen edhe si një dhuratë imja për të gjithë miqtë dhe dashamirësit e mi, që më kanë mbështetur gjatë këtij viti të vështirë, për ti thënë të gjithëve se ai është Alfred Peza. Alfred Pezën e vërtetë e gjeni brenda 400 faqeve të këtij libri. Një libër që është një dhuratë dedikim për nënën time por edhe një dhuratë për të gjithë miqtë e mi”, tha gjatë fjalës së tij, Peza.
Por, ajo ç’ka surprizoi të gjithë të pranishëm ishte se ky libër, sipas Pezës, ishte pjesë e një triologjie që do të vijojë edhe me dy librat të tjerë. Ai zbuloi detaje të rëndësishme mbi atë ç’ka do të shkruhej në romanet e ardhshme.
“Ky libër është pjesë e një projekti triologjik, ku pas Ahmet Zogut do të pasohet vitin e ardhshëm besoj, me një libër për Enver Hoxhën dhe më pas për një lider shqiptar të pas 1990, te epokës së pluralizmit. Në këtë mënyrë unë dua që nëpërmjet 3 personazheve me të rëndësishëm ose jo të historisë të Shqipërisë, sipas meje, të shpjegoj historinë e vendit tonë”, përfundoi Peza.
Nga ana e tij, poeti Faslli Haliti vlerësoi librin e Pezës duke e cilësuar këtë të fundit si roman modern. “Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte kompozimi i romanit. Ishte një kompozim modern, personazhe që vinin pa u stërholluar dhe pashë që Alfredi i fuste personazhet në një gjendje shumë të fortë, ku ata zbërtheheshin si të tillë.”
Vlerësime pozitive gjatë ceremonisë erdhën edhe nga gazetari i njohur Henri Cili si dhe nga ish mësuesja e letërsisë në gjimnaz, te Alfred Pezës e cila ishte e para në radhë, që kishte zbuluar talentin e tij në të shkruar. / KultPlus.com