Promovohet “Shoqëri në Alarm” nga Sibel Halimi, u dedikohet grave dhe vajzave në Kosovë

21 Dhjetor, 2017 - 7:43 pm

“Shoqëri në Alarm”, kështu e ka titulluar librin e saj të ri autorja Sibel Halimi, i cili u promovua sonte në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Libri i saj sjellë një reflektim i cili përfshin zhvillime të gjithëmbarshme në shoqërinë kosovare, në gati pothuajse dy dekadat e fundit.

Arbër Selmani, gazetar dhe redaktor në gazetën për kulturë KultPlus, moderoi këtë promovim libri ku edhe tregoi se brenda këtij libri është e përfshirë një punë e gjatë kërkimore e autores dhe përmban disa figura kontradiktore brenda tekstit. Selmani tregoi se në këtë libër përfshihen citate të Kantit, Simone de Beauvoir. Ai po ashtu tregoi se ky libër përmban edhe emra kontradiktor që lidhen me fusha të ndryshme andaj në këtë libër kanë zënë vend edhe emri i Shefqet Krasniqit, Rexhepi Qosjes, Atifete Jahjaga e deri tek Era Istrefi, ndërsa depërton edhe tek Akademia e Shkencave. Që nga kjo përmbajtje tregon se autorja i ka dhënë një trajtim të veçantë çështjeve të ndryshme të shoqërisë kosovare.

Antropologia Nita Luci, sot gjatë promovimit shpalosi disa nga pjesët më interesante të librit, ajo tha se ky libër nxjerrë në pah disa vështrime dhe mendime që mund të jenë të ndryshme varësisht nga konteksti i leximit. Luci tha se e veçanta e këtij libri vjen në faktin se ndonjëherë e bën lexuesin të qesh edhe në momentet më të dhimbshme. Ajo theksoi pjesën e cila flet për historinë, kombin dhe mustaqet, derisa lexoi dhe një pasazh.

“Burrat janë baballarët e kombit, ata që formuan, zhvilluan dhe drejtuan shtetin. Ata para të cilëve shteti përkulët, njerëz me mustaqe, lavdia e të cilëve në histori nganjëherë rri e varur pikërisht në atë grumbull qimesh”, ishte pjesa të cilën e lexoi antropologia Luci, e cila shtoi se kritika dhe intervenimi feminist mbi kombin vazhdon të jetë gjithnjë temë e rëndësishme për diskutim.

Antropologia Nita Luci poashtu tregoi se veçantia e këtij teksti është se primare e ka dashurinë, pavarësisht çështjeve që trajton.

“Ajo çfarë nxjerrë në pah Sibeli është dashuria, ky tekst nuk flet për Millosheviqin, nuk flet për pronën, për universitetin, ai flet të gjitha ato po primare është dashuria dhe a mundet dashuria të jetë një lloj projekti politik që i mobilizon grupet e ndryshme për interesa të përbashkëta” tha tutje Luci sonte.

Po ashtu dhe sociologia Linda Gusia, kishte lexuar këtë libër ende pa ardhur në duart e lexuesve ndërsa tregoi për të pranishmit dhe tha se punën e autores Halimi e sheh si shumë të rëndësishme lokalizimin e dijes dhe veçmas për lidhjen që bën mes akademisë dhe aktivizimit.

“Viteve të fundit jemi duke u përpjekur që ta tejkalojmë atë hendekun e madh mes akademisë dhe aktivizimit dhe lokalizimit të dijes. Mendoj se është e rëndësishme që ta lokalizojmë dijen dhe angazhimin feminist, poashtu të flasësh për subjektin e gruas prej një konteksti shumë të vështirë”, tha sonte Linda Gusia, e cila po ashtu shtoi se sociologen Sibel Halimn e cilëson si një shembull i një intelektualeje që ka guxim të reagoi mbi fenomenet për të cilat janë shumë të rëndësishme për shoqërinë.

Ky libër në të cilin autorja ka vënë edhe një qasje shkencore, nxjerrë në pah reflektimin e autores për zhvillimet që ndodhin në Kosovë, ndërsa ajo nuk mund t’i ndahet as natyrës së saj poetike, ku brenda librit ka vendosur edhe poezinë e saj.

Vet autorja Sibel Halimi, pohoi se këtë libër ua dedikon vajzave dhe grave që shpesh janë përballur në situata jo të mirë për shkak se për fatin e tyre kanë vendosur grupet e tjera, duke u nisur edhe nga sistemi ynë patriarkal.

“Reagimi im i përditshëm vjen si pasojë e ndryshimeve që kanë ndodhur dy dekadat e fundit dhe që shumë grupe i kanë kanalizuar këto ndryshime në bazë të ideologjive të tyre”, u shpreh Halimi. Ajo më pas tregoi se trupi është pjesë qendrore në pothuajse katër kapituj, për shkak se trupi është i pranishëm kudo por që historia e filozofisë, ajo e psikologjisë dhe feministe ka trajtuar vetëm mendjen.

“Vetëm epoka e fundit e feminizmit përpiqet që trupin ta kthej në figurë qendrore për shkak se trupi është bërë vend i shtypjes, i kontrollit dhe disiplinimit”, ka treguar autorja Halimi.

Arsyeja përse autorja këtë libër ua dedikon vajzave dhe grave të Kosovës, është sepse ky libër është alarmi i fundit që ato t’i kthehen vetvetes, jo duke u përfshirë në ndonjë ideologji por duke reflektuar dhe duke u shndërruar në subjekt.

Autorja Halimi krejt në fund pati një mesazh me të cilin godet edhe në fund të librit, se ky libër shliron edhe gratë edhe burrat që të dy palët janë viktima të sistemit patriarkal./ KultPlus.com

Të ngjajshme