3 Tetor, 2022 - 5:21 pm
Historia e shkronjave, shtypshkronjave dhe alfabeteve të gjuhës shqipe që nga viti 1555 deri në vitin 1912 tani mund të gjenden të ndërthurura në librin ‘Tipografia shqiptare, 1555 – 1912’ të Yll Rugovës, libër ky që dje u promovua në Prishtinë, përcjell KultPlus.
Ndonëse autori ka synuar që në fillim të gjurmoheshin vetëm gjurmët tipografike të botimeve të hershme shqipe, studimi i tij na dërgon në një rrugëtim që nis nga viti 1555 e vazhdon deri më 1912.
Libri është i ndarë në tre pjesë kryesore. Në pjesën e parë prezantohen veprat dhe autorët e hershëm, duke filluar me Mesharin e Buzukut, pastaj me Budin, Bardhin e Bogdanin, të gjithë me vepra të shtypura në Itali. Për të vazhduar më pas në anën e Adriatikut, së pari me shtypshkronjën e Voskopojës, të udhëhequr nga Grigori i Durrësit, shpikës i një alfabeti origjinal të shqipes, e deri tek viti 1824 kur është shtypur një libër i parë i njohur në gjuhën shqipe në Ballkan, në ishullin e Korfuzit.
Në pjesën e dytë trajtohet më në detaje çështja e fenomenit të shpikjes së alfabeteve origjinale të shqipes, duke filluar nga alfabeti më i hershëm nga Kozma i Durrësit, për të kaluar përmes Theodhor Haxhifilipit, Jan Vellarait, Naum Veqilharxhit e deri te Hasan Tahsini në fundin e shekulli të 19-të.
Në pjesën e tretë shfaqen iniciativat e para kombëtare për ngritjen e shtypshkronjave, për të vazhduar me Shoqërinë e Stambollit që ka shtypur veprat e veta të kroatit Anton Zeliç në Stamboll, e ku siç mëtohet Sami Frashëri vetë ka gdhendur shkronjat e alfabetit në Stamboll. Pastaj vazhdohet me shtypshkronjën shqiptare në Bukuresht, me Mbrothësinë e Kristo Luarasit në Sofje e me shtypshkronjat shqiptare në Korçë e Shkodër.
Në këtë promovim foli vetë autori Yll Rugova i cili u shpreh se ky libër trajton historinë e tipografisë shqiptare deri në vitin 1912, kurse pas këtij viti, do të duhen edhe 2-3 kërkimet për të cilat ai do të vazhdojë të kërkojë më tutje.
“Në periudhën në të cilën e kam trajtuar unë këtë libër, tipografia dhe shtypshkrimi kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën sepse tipografia nuk është realizuar jashtë shtypit. Në këtë kontekst qëllimi ka qenë që të identifikohen të gjithë librat që janë në gjuhën shqipe edhe të mund të gjenden burimi i secilës prej shkronjave që janë përdorur e që nuk është një punë shumë e lehtë sepse nuk ka shumë njohuri jo vetëm për tipografët shqiptarë por në përgjithësi tipografët nuk janë rrënjësisht duke hulumtuar e megjithatë në librat që i kemi ne disa informata i kemi gjetë.”, u shpreh Rugova.
Duke folur për librin, Rugova shton se gjatë hulumtimeve ka vënë re se tek Meshari i Gjon Buzukut, shkronjat janë sipas modelit të Nicolas Jenson, i cili ka jetuar dhe vepruar në Francë dhe ka vizatuar Rotundën veniciane ku më pas 50-vjet pas vdekjes së Jensonit ka përfunduar shtypshkronja në punishten ku është ‘Meshari’.
“Tek Meshari ato shkronja janë krejt të vjetruara, kështu e dimë që ajo shtypshkronjë duhet me qenë diçka jo shumë e pasur dhe jo shumë e zhvilluar.”, thotë Rugova.
I pranishëm në këtë promovim ishte edhe albanologu dhe historiani, Jahja Drançolli i cili u shpreh se sot në Evropë dhe në botë bëhen shumë diskutime dhe shkruhen shumë studime për problemin e tipografisë.
“Në këtë kuadër, monografia që po promovojmë sot si e para e këtij lloji te ne, ofron risi me vlerë të veçantë dhe hap shtigje të reja kërkimi në shumë fusha shkencore jo vetëm albanologjike. “, u shpreh Drançolli duke shtuar më tutje se problemi qëndron që trajtohet në këtë libër është tipografia arbërore-shqiptare.
Duke folur për atë çka trajton Tipografia, thotë se kjo shkencë e cila shpjegohet si një kompozitë e përbërë nga fjala typos – vulë dhe grafien për të shkruar.
“Përkufizohet ndryshe edhe si shkenca e shkronjave, arti i përdorimit të shkronjave tipografike, aftësia për të rregulluar, krijuar, formësuar dhe përdorur në mënyrë funksionale shkronjat. Për të shpjeguar më hollësisht këtë term dhe objektin e këtij studimi, autori Yll Rugova ka shfrytëzuar burime të ndryshme historike të ruajtura në arkiva e biblioteka të Europës, si dhe literaturë relavante, fjalorë, enciklopedi, leksikone, etj.”, u shpreh ndër të tjerash profesori Drançolli.
Tutje, Drançolli thotë se pjesa e parë e e këtij libri ofron njoftime duke filluar me shtypshkronjat e para ndër shqiptare, tipologjinë e shkrimeve dhe influenca latine, venete, greke dhe sllave, duke spikatur gotikën e Italisë Veriore, rotundën venete, rotunda e Mesharit, germat e veçanta, inicialet, si dhe botimet e realizuara në vitet 1592-1824.
“Pjesa e dytë e librit i sillet njoftimeve të detajizuara lidhur me germat ekskluzivisht shqip duke u ndalui- edhe në raste konkrete specifike, siç janë “Shtypi i Evetareve”, “Gdhendja e alfabetit te Vithkuqit”, “Gdhendja e germave në Rumani””, u shpreh ndër të tjera Drançolli duke shtuar se pjesa e tretë përfshin njoftime historike për tipografinë në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njoftime të cilat plotësojnë në mënyrën më domethënëse temën qendrore të kësaj pjese, që është tipografia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe periudha e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndërkaq, fjalën në këtë promovim e mori edhe profesori Shyqri Nimani i cili vlerëson se botimet e tilla janë të rralla dhe jepen shumë rrallë gjatë jetës së njeriut.
Sipas Nimanit, Yll Rugova këtë libër e ka bërë me të gjithë ato parametrat e domosdoshme shkencore dhe estetike dhe kjo është një gjë të cilën sipas tij nuk mund ta mohojë askush.
“Është shumë e rëndësishme që Ylli ka vjelë të gjithë që ka mundur të vjelë të gjitha dëshmitë të cilat janë apo gjenden sot e kësaj dite në arkivat e Shqipërisë sidomos dhe në arkivat jashtë shtetit apo hapësirave shqiptare’, u shpreh Nimani.
Botimi i librit bëhet nga “Trembelat”, nën siglën botuese “Varg” për librin e shtypur në Prishtinë, kurse për formatin digjital botimin e ka marr përsipër “Berk” në Tiranë. Botimi digjital në formatin “e-book” është i qasshëm për publikun nga muaji gusht, kurse libri i shtypur do të jetë këto ditë nëpër libraritë në Prishtinë e Tiranë.
Botimi i librit është mbështetur pjesërisht nga subvencionet e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com