Promovohet vëllimi poetik ‘Nëse një ditë unë të mungoj’, shpalos të pathënat e dashurisë

21 Gusht, 2019 - 10:04 pm

Poetët gjatë gjithë kohës i kanë shkruar dashurisë, kush me vuajtje, e kush në formë lutjeje. Kësaj radhe, autorja më e re e letërsisë shqipe, Kaltrina Pacolli, në ambientin e Kult Plus Caffe Gallery, promovoi librin e saj të parë ‘Nëse një ditë unë të mungoj’, shkruan KultPlus


Me një vëllim poetik, që përmban rreth 70-të poezi, autorja ne mes vargjesh fsheh nostalgjinë, mallin, ankthin e fjalën e pathënë të dashurisë. Duke potencuar se inspirimin e gjen në secilën ditë që zbardhë, autorja tha se në titull secili do të ketë mundësi të gjej veten, ”Po e lë më mirë në dorë të lexuesit kuptimin e titullit”, u shpreh ajo.


Për të diskutuar rreth këtij vëllimi poetik, të pranishëm në panel ishin Rrahman Paqarizi dhe Flamur Maloku. “Natyrisht se duke qenë linguist, një pjesë të mirë të vëmendjes gjatë leximit të këtyre poezive ma ka marrë gjuha e përdorur nga Kaltrina. Është një variant jostandard i shqipes – një gjuhë që të bën me u ndje lirshëm e që mua, më nxiti të shkruaj në po atë variant se ndryshe, besomëni, do të dilte një përshkrim i pagjak poezish kaq të gjalla e me kaq shpirt”, u shpreh Paqarizi për vëllimin poetik të Kaltrina Pacollit.

Kurse Maloku duke pohuar se poezitë e Kaltrinës ka pasur rastin t’i ketë edhe në dorëshkrim, deklaroi se ”Vargjet e Kaltrina Pacollit shtresojnë situata jetësore, të cilat, para së gjithash, bëhen zbulim i një pozicionimi subjektiv, duke formësuar kështu kuptimin e plotë të fjalës poetike. Artikulimi i brendshëm subjektiv, në kuptimin e leximit, përpos strukturimit të jetës në shkrim, shpreh si të thuash tërë dashurinë e njeriut në përgjithësi”

Publiku pati rastin të dëgjoj njërën prej poezive të autores, edhe nga vetë ajo. Kurse për ta përmbyllur, ashtu siç përmbyllet një event i tillë, Agnesa Qerimi recitoi tre nga poezitë e autores, duke krijuar emocion poetik te publiku i pranishëm./KultPlus.com

Të ngjajshme