4 Shkurt, 2019 - 6:30 pm
Ai erdhi i dehur një natë, dhe një natë pas saj, e çdo natë me radhë. Kishte një pikëllim në sytë e tij të mbushur zjarri, pas saj fshihej diçka që ai donte ta kujtonte çdo natë me mua, dhe ta harronte ditën tjetër.
Ishte ditë nga më të zakonshmet, disa klient të rregullt, disa klient të rinj, më së shumti burra të vjetër, të martuar që iknin nga bërtimat e shtëpisë së grave të tyre, vinin tek ne, ne nuk bërtisnim, ishim jashtëzakonisht të bindura për kënaqësitë e tyre. Ajo që menaxhonte shtëpinë tonë të kënaqësive ishte Zonja e Vjetër.
“Shpejt, shpejt, hyni në radhë, vajza, atje lart, ju, mos më bëni ta përdor rripin, shpejt,” – thërriste Zonja e Vjetër.
“Me siguri është dikush i rëndësishëm, atë natë gjithë klientët ishin kthyer pas, dhe kjo ndodhte rrallë herë, vetëm për ata që kishin xhepin plot, zakonisht pasanikë djemsh të rinj ose burra biznismeni të vjetër,” – mendova me vete. – Afaristë të shquar që donin ta mbanin sekret jetën e dytë të tyre, por këtë herë kishte vetëm një klient, me një thirrje ai kishte ndalur të gjithë aktivitetet e shtëpisë sonë të kënaqësisë dhe Zonja e Vjetër po dridhej, endej sa lartë e sa poshtë.
“Më duket se po vjen ai,” – dëgjova R-në të më pëshpëriste në vesh.
Ne nuk kishim emra, kishim vetëm shkronja, numra, ose emra kodesh. Unë isha prostituta V.
“Kush?” – pëshpërita fshehurazi me hamendje.
“Ai pra, që asnjëra nuk e kënaq, ka qenë tetëdhjetëepesë herë këtu fshehurazi, por tani këtë natë qenka prapë…” – ndaloi ajo fjalën në mes.
“Qenka prapë çfarë?” – po më kaplonte kureshtja aq më shumë që R-ja fliste në një mënyrë misterioze për këtë njeri.
R-ja ishte më e kërkuara. Por në një natë para disa muajve dëgjuam se një klient e kishte refuzuar me bërtimë aq të madhe sa ajo kishte dalë e zhveshur nga dhoma aq shpejtë sa nuk kishte pasur kohë t’i vishte as rrobat. R-ja kishte qarë tërë natën, ajo që ishte pa ndjenja, që meshkujt kishin lënë gratë dhe fëmijët për të, i kishin dhuruar shtëpi, vetura, xhevahire e diamante, që nuk ia ndiente fare teksa secili mashkull i biente në gjunjë, i përgjërohej, ishte mbyllur në dhomë dhe nuk kishte dalë deri në ditën e nesërme, ishte njeriu i parë që e kishte kthyer.
“Me siguri ky duhet të jetë ai që e refuzoi atë natë,” – mendova në vete prapë. – Kjo kurreshtje po ma hante shpirtin. Kush është ky njeri që ka provuar tetëdhjetëepesë nga femrat më të kërkuara në gjithë rajonin, që njerëzit udhëtonin për to në aeroplanet e tyre private veç të kalonin një natë pranë tyre, dhe ky, i biri i botës, nuk i kishin dalë hakut asnjëra.
“Vajza, qetësi, të gjitha jepni më të mirën, ju dua më tërheqëse se kurrë, kalërojeni dhe tregojini se kush është pronarja e tij, bëjeni skllav, zbuteni atë sa të kthehet çdo natë, të përgjërohet të jetë me ju,” – fliste Zonja e Vjetër derisa sillej rreth e rrotull dhomës. – R, zhduku, nëse ai të sheh do të çmendet, je e lirë sonte.
R-ja iku lartë duke ia plasur të qarit gjersa po ngjiste shkallët. Të gjitha, tetëdhjetëekatër vajzat e tjera atë natë ishin të mbyllura. Zonja e Vjetër kishte porositur veçanërisht vajza nga më të bukurat, që zotëria nuk i kishte parë kurrë.
“Thuhet se ai kalon natë pas nate nëpër shtëpi publike, dhe se të gjitha vajzat e qejfit si ne bien në dashuri me të pasi kalojnë një natë, nuk i marrin as para, i zvarriten për këmbësh që të vijë përsëri, por ai kurrë nuk është kthyer për të njëjtën gocë dy herë,” – u dëgjua I-ja nga qoshja e fundit e dhomës.
“Po vjen, po vjen, oh Zot po vjen,” – dëgjoheshin pëshpërimat e vajzave sa në anën e majtë e sa në anën e djathtë.
Qetësia hyri para tij, u shpërnda në gjithë dhomën e madhe, ne bashkuam duart përpara dhe mbanim kokën poshtë në përulje bashkë me Zonjën e Vjetër. Hapa të ngadaltë u dëgjuan shkallëve, të gjitha neve kthyem sytë anash pa u munduar të viheshim re, qirinjtë nëpër dhomë i jepnin një errësirë privatësie zotërisë në fjalë, u dëgjua një ofshamë që i dridhi vajzat e shtëpisë, uuuuuh, dhe ja ku ishte, para nesh, i veshur me të zeza, i tëri, flokë të gjata ngjyrë ari, të buta, i bienin fijet para syve, pallto e zezë lëkure kashmir deri në fundin e shpinës së tij, bluzë ngjitur për trupi fit, jo muskuloz, por të hollë si i vizatuar, tërheqës, si të ishte model i skenës së modave, një shall të lidhur rreth qafe, qafë e gjatë e shtrirë aq simetrike, dorëza lëkure aq të ngjitura sa ishin pjesë e lëkurës së tij, shishe vodka në dorën e djathtë, rrip nga më elegantët, e kisha parë vetëm në milionerë atë brand, pantollona as të ngjitura por as të gjera, masë perfekte, i shkëlqenin nga qirinjtë e ndriçuar hijëzisht, qenka elegant, dhe ishte i ri, çudi, mendova.
“Kto janë të gjithat?” – shikoi një herë dhe ktheu kokën nga dritarja.
“Po zotëri, janë nga më të mirat, nuk do gjeni askund si këto, klientë tanë nga më të shquarit luten t’i blejnë por nuk kemi pranuar, do ndaheni i kënaqur këtë herë,” – fliste Zonja e Vjetër teksa ne vajzat silleshim njëra pas tjetrës duke reklamuar trupat tanë.
“Dërgoji të gjitha,” – papritmas ndërpreu ai Zonjën e Vjetër.
Zonja e Vjetër ngriu, dhe poashtu gjithë vajzat e tjera. Në pikëllim të gjitha filluam të linim dhomën një pas një. Disa qanin, disa ishin të trishtuara. Prapë kurreshtja po më mbyste, kush ishte ky njeri, që me një shikim i dridh të gjitha, thashë vetë më vete.
“Ti, ndalo,” – thirri ai.
“Kush, unë?” – u përbiva e habitur.
“Ajo mund të qëndroj, të tjerat të zhduken,” – i tha ai Zonjës së Vjetër.
“Patjetër,” – u përgjigj Zonja.
“Sigurohu që ta kryesh detyrën tënde, bëj çdo gjë që të kërkohet, ose do të ta nxij jetën,” – më pëshpëriti Zonja në vesh duke më kap për mënge.
“Oh sa me fat që je, do ta kalosh natën më të bukur të jetës tënde,” – dëgjova të më thoshte I-ja nga pas.
Të gjitha vajzat dolën. Pas pak, doli edhe Zonja e Vjetër. Isha e vetëm në dhomë me të. Ai u afrua, m’u fut gati një centimetër përballë hundës sime. Tani po e shihja më mirë. Ishte i pashëm, fytyrë e rruar e prerë pastër, si një hamshor i ledhatuar, kishte një erë perfumi çmendëse, joshëse, epshi, dhe më shikoi drejt në sy, e nisi të sillej rrotull meje, dëgjohej fryma e tij e rëndë, e ndieja të më shikonte të tërën, i vinte era alkool, shishja në dorën e tij ishte vodka Spirytus Rektyfikowany, nga ato më të rëndat që u shërbenim vetëm disa klientëve, pasi shumica nuk mund as ta përballonin një gotë, ishte ferr, nëntëdhjetegjashtë përqind alkool të pastër, zakonisht e pija një gotë kur kisha ndonjë klient trashaluq leshator të pështirë në mënyrë që të mund të performoja. Ai vazhdonte të sillej rreth meje, e ndieja se si i merrte erë flokëve të mia, ishte i frikshëm, një shikim shpatë që të depërtonte thellë brenda teje, të gjente sekretet më të fshehura që as edhe ti vetë nuk do t’i mendosh. Mirë, thashë me vete, mbasi ai nuk po bën ndonjë lëvizje do e bëj unë, fund së fundmi Zonja më kishte porositur të bëja më të mirën e mundshme, ose do përfundoja si mos më keq. Fillova të zhvishem. Fillimisht hoqa bluzën time ngjyrë kuqe, ai vazhdonte të sillej, dhe sytë e tij u ngulitën direkt në figurën time siç isha e krijuar. U shastisa e gjitha. Deri në atë çast kisha pasur me qindra klientë, disa madje arrinin të më jepnin dhe orgazëm me raste, por kurrë nuk isha ndier kështu, tani po filloja të kuptoja se ç’po flisnin vajzat, thashë me vete. Pastaj hoqa dhe pantollonat, dhe isha e tëra e zhveshur para tij. Kisha një trup perfekt, një që të gjitha vajzat e shtëpisë ma adhuronin, por ai, ai më bënte të ndihesha e pasigurtë, mënyra se si më shikonte, më gllabëronte me sytë e tij, dukej sikur nuk mjaftoheshin me asgjë, sikur ato sy depërtonin e më rrënqethnin çdo cep të trupit. Vendosa të marr kontrollin, mblodha veten me një frymë që mezi po e merrja, sytë e tij thithnin gjithçka në dhomë, përfshirë dhe oksigjenin, iu afrova ngadalë, dhe në momentin kur ai u ndodh përballë meje, e kapa për rripi, e tërhoqa ngjitur me trupin tim të zhveshur, me një dorë i preka gjoksin, me një dorë e hoqa rripin shpejt, dhe u ula në gjunjë…
“Ngritu,” – tha ai dhe me dorën e tij të majtë e vuri përfundi nofullës sime. – Jo.
Ai mori të ikte. Nuk e di ç’mu dha, por e kapa për bluze, iu afrova deri në hundë, por nuk kisha guxim ta puthja. Frymëmarrjet e tij u përshpejtuan, poashtu dhe të miat. Fija flori e flokut të tij i ra përpara syrit, me dorën time ia tërhoqa anash, ai mbylli dhe hapi sytë, dhe sikur e kapa një njeri tjetër në të. Nuk dija ç’të bëja, dora ime ishte ende në flokët e tij, dhe e përkëdhela, ai i mbylli sytë, dhe u mbështet në dorën time, qëndruam ashtu për një kohë, unë duke e përkëdhelur, dhe fytyra e tij duke kërkuar ledhatimin e dorës sime.
Më mori për duarsh, më mori dalngadalë, u gjendëm tek shtrati, vuri duart e mia tek shpina e tij dhe i rrëshqiti lartë e poshtë. Me kët’ kuptova se ai donte ta ledhatoja. Ai u shtri, vuri kokën në jastëk, dhe unë e ledhatoja, ia prekja flokët butësisht, flokët e tij aq të butë, e puthja lehtësisht, dhe e përqafoja. Pas një kohe dëgjova dënesje, ai qante, qetësisht, si një këlysh i vogël, dhe unë e ledhatoja dhe më shumë, përqafoja më shtrëngueshëm, mbahesha për të, dhe vija kokën në shpatullat e tij. Pas një kohe e zuri gjumi. Unë nuk ndalesha me përkëdheljet e mia, më bënte të ndihesha e trishtuar, e kuptoja pse ai hidhej në shtëpi pas shtëpi, shtrat pas shtrati, femre pas femre, murmuriste një emër, sikur e mundonte shpirtin e tij, dhe thoshte më fal. Dhe çdo natë pas saj, dhe një natë tjetër, e çdo natë me radhë, ai murmuriste të njëjtën gjë, murmuriste një emër, një emër që i përkiste një femre, një femre që ishte gruaja e tij, një darkë, një darkë e përvjetorit, një makinë, një përplasje, një elektroshok në gjoksin e tij në ambulancë, i dehur, nuk mbaj mend gjë, kam qenë i dehur, nuk desha, nuk e di, nuk e di, se si shqyente flokët në stacionin e policisë kur ishte marrë në pyetje, se si kurrë më nuk e vizitoi varrin e saj, dhe çdo natë ai pi, dhe çdo ditë ai përpiqet të harrojë, në secilën shtëpi kënaqësie, secilin shtrat, në çdo femër, në çdo lëkurë, në çdo shikim, ai kërkonte atë, dhe njëkohësisht, harresën e kujtimit të saj. Ai vjen çdo natë, unë tani nuk mendoj për asgjë, pres ta shëroj plagën e tij.
Unë jam prostituta V, dhe çdo natë unë qaj me të.
Sovran Hoti.
E Shtunë, 2 Shkurt, 2019.