30 Maj, 2023 - 4:30 pm
Akademia e Studimeve Albanologjike e përbërë nga 106 studiues pritet të shkrihet e të bashkohet me Akademinë e Shkencave brenda datës 31 dhjetor.
Ky projektvendim i propozuar nga Ministria e Arsimit që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave ka mbledhur këtë të martë para institucionit me rëndësi kombëtare në ruajtjen e historisë dhe gjuhës shqipe, përfaqësues të organizatave me në fokus arsimin për të kundërshtuar VKM-n që sipas tyre është e pakonsultuar me senatin akademik siç e parashikon ligji i arsimit të lartë.
“Kjo është e paligjshme. Ata nuk kanë arsye për ta mbyllur, por duan ta kthejnë kërkimin shkencor në “part-time” se kështu thotë ligji i akademisë së shkencave nuk ka studime të përhershme por të përkohshme”, tha aktivisti Gentjn Serjani.
Mbyllja e Akademisë së studimeve albanologjike për aktivistët është alarm që vë në rrezik pavarësinë e kërkimit shkencor, duke e cilësuar si një ditë zie për lirinë akademike, ndaj ata kërkojnë që vetë akademikët të ngrenë zërin për të mos lejuar VKM-n të miratohet.
“Ne kemi parë godina të rrëzohen, tani po shikojmë akademinë, studiuesit më të mencurit. Nuk duhet të lejojmë që ky institucion që gëzon autonominë të mos pyetet. Duhet ti shpëtojmë këto ishuj edhe pse në dukje të vegjël por me rëndësi për identitetin”, tha Migen Qiraxhi.
Projektvendimi dikton që të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Akademisë Albanologjike t’i kalojnë Akademisë së Shkencave.