Pse shkruaj?

29 Qershor, 2020 - 7:32 pm

Nga: George Orwell

Njihet si shkrimtari me potencial profeti i romanit distopik “1984”, apo alegorinë “Ferma e kafshëve”. Por, përveçse autor i këtyre romaneve dhe disa librave tjerë të rëndësishëm, ishte para së gjithash një eseist. Me qindra ese të tij të shkruara përgjatë dekadave prekin një larmishmëri të madhe temash, nga letërsia te politika dhe filozofia. Në njërën prej këtyre eseve, “Pse shkruaj”, jep katër arsye të mundshme

(i) Egoizëm i pastër. Një nga arsyet pse dikush fillon të shkruajë mund të jetë dëshira për t’u dukur i mençur, për të qenë temë diskutimi mes të tjerëve, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të sfiduar ata fëmijët popullorë që të injoronin kur ti ishe fëmijë. Është mashtrim të pretendosh se ky nuk është një motivim për të shkruar, e madje është një motivim i fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – me pak fjalë, me bërthamën e njerëzimit. Pjesa dërrmuese e qenieve njerëzore nuk janë shumë egoistë. Pasi arrijnë në moshën tridhjetë vjeç, shumica braktisin ndjenjën e të qenit individualë – dhe jetojnë kryesisht për të tjerët. Por, ka një pakicë të vogël me dhunti, njerëz që me paramendim janë të vendosur të jetojnë jetën e vet si qëllim në vetvete, dhe shkrimtarët janë në këtë kategori. Shkrimtarët seriozë, më duhet të them, janë në tërësi më vanitozë dhe e shohin veten si qendra e botës më shumë se sa gazetarët, megjithëse janë më pak të interesuar për para.

(ii) Entuziazëm estetik. Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme, ose, në anën tjetër, te fjalët dhe radhitja e duhur e fjalëve. Kënaqësia në impaktin e një tingulli mbi një tjetër, në fortësinë e prozës së mirë apo në ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë një eksperiencë që dikush ndjen se është e çmuar dhe nuk duhet të humbet. Motivi estetik është shumë i dobët mes shumë shkrimtarëve, por dhe një pamfletist apo shkrimtar librash shkollor do të ketë fjalë apo fraza të parapëlqyera të cilat e joshin atë për arsye jo-utilitare; ose ai mund të ndjehet më mirë mbi tipografinë, mbi gjerësinë e anëve, etj. Çdo libër përtej nivelit të një udhërrëfyesi hekurudhash nuk mund të jetë pa të menduar estetik.

(iii) Impuls historik. Dëshira për të parë gjërat siç janë, dhe për të gjetur faktet e vërteta e për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës.

(iv) Qëllim politik. Përdorimi i fjalës ‘politike’ në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e njërëzve të tjerë mbi llojin e shoqërisë që ata duhet të kërkojnë të kenë. Edhe këtu, nuk mund të ekzistojë një libër pastër i pandikuar apo i paanshëm politikisht. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një mendim politik. /KultPlus.com

Të ngjajshme